2015-07-29 16:51:00

Papët dhe teknologjitë e reja


Fillimisht, qe Gjon Pali II ai, që më 19 nëntor 2001, me një klik, u dërgoi me postë elektronike episkopateve në të gjitha skaje e botës, nxitjen apostolike postsinodale “Ecclesia in Oceania” (Kisha në Oqeani). Ai gjest i Papës Vojtila, i cili pati përdorur një laptop, shënoi fillimin e një epoke të re në përdorimin publik të tekonologjive informatike nga ana e Papëve të Romës. Vetëm disa vite më parë, më 14 mars 1997, kishte nisur punën portali i Selisë së Shenjtë www.vatican.va, i ndjekur menjëherë nga miliona njerëz.

Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar  në fushën e të ashtuquajturave “media të reja”. Një nga risitë, që duket më qartë, është hyrja, me një farë prepotence, në skenë e rrjeteve shoqërore, që u bë e mundur sidomos pas zëvendësimit të tastierave të kompiuterave të tryezës me mjete digjitale më të lehta si smartphone ose tablet, që mund të hyjnë në xhep, ose në çantë.

E pikërisht përmes njërës prej këtyre “tastierave të vogla”, Papa Françesku u regjistrua si shtegtar në Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, në Krakov. U hapi kështu rrugën miliona të rinjve, që pas një viti, do të takohen në qytetin e shën Gjon Palit II. Është një mënyrë për të komunikuar me të rinjtë, për t’u bërë më i afërt me ta, pavarësisht nga largësia me të lindurit digjitalë, që varet nga mosha. Vetë Papa Bergoglio e shpjegoi këtë gjatë udhëtimit të kthimit nga Amerika Latine. Pyetjes se ç’mendon për modën e “selfie” iu përgjigj: “Është tjetër kulturë. Ndjehem stërgjysh! Po, është tjetër kulturë, por e respektoj!”. Aq e respekton, saqë nuk refuzon kurrë, para kërkesës për t’u vënë në pozë, për një fotografi të bërë me celular.

Pra, pasi i la “selfie”-t fushë të lirë veprimi, Papa Françesku i shtoi një gur tjetër mozaikut, që e sheh si Papë komunikator, duke dalë në dritaren e Pallatit Apostolik, ndërsa shkruante në një “pajisje elektronike” fjalët e tij. Një tablet i ngjashëm me atë, që pati marrë si dhuratë vetëm tri ditë pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit, më 16 mars 2013. E vendimi për të mbajtur pranë dy të rinj të kujton sadopak imazhin shtëpiak të gjyshërve të mijëvjeçarit të tretë, që kur duhet të përdorin kompiuter e celular, u kërkojnë këshilla nipërve.

Edhe para tij, Papa Benedikti XVI pati përuruar praninë e papëve në rrjetet shoqërore. Më 12 dhjetor 2012, në Sallën Pali VI, edhe ai me dy të rinj si ndihmës, pati shkruar tweet-in e parë të një pape në faqen papnore në Twitter, “@Pontifex”. Po kjo faqe, sot, falë edhe stilit të Bergoljos, i ka kapërcyer 22 milion ndjekësit.








All the contents on this site are copyrighted ©.