2015-07-29 20:30:00

Papa Françesku: lutuni për vullnetarët që të jenë bujarë në shërbim të nevojtarëve


Papa Françesku fton t’i lutemi Hyjit “në mënyrë që ata që veprojnë në fushën e vullnetariatit, të angazhohen me bujari në shërbim të nevojtarëve” e “duke dal nga vetvetja jonë të dimë të bëhemi e të jemi pranë atyre njerëzve që gjenden në periferitë e marrëdhënieve njerëzore e shoqërore”. Këto janë dy njëjtët apo qëllimet e uratëve, që Papa ia kërkon Apostullatit të lutjes, gjatë muajit gusht.

Vullnetarëve katolikë mund të themi se janë vegla të dashurisë së Zotit për një shoqëri më njerëzore.

E kujtojmë se Kisha katolike, mes shume figurash e shenjtorësh, si shembull për shërbimin vullnetar ndaj atyre që janë të varfër, të nëpërkëmbur e nevojtarë, paraqet të Lumen Nënë Terezë, Ganxhe Bojaxhiun, e shumë tjerë si Shën Martinin e Tur, model i dashurisë së krishterë për mbarë botën. Kisha e vlerëson jashtëzakonisht vullnetaratin katolik, i cili nuk duhet të joshet nga ideologjitë, që premtojnë se do t’ia ndryshojnë faqen botës. Prej këndej, përmes Papës, ripohon vlerën e punës vullnetare, në një periudhë krize të thellë shoqërore e ekonomike, si kjo që po përballojmë sot.
Në një çastin aktual ndërkombëtar, çast krize e pasigurie, impenjimi i vullnetarëve krijon besim, u tregon të gjithë njerëzve se e mira mund të lulëzojë edhe në kohë tejet të vështira, siç janë këto kohë të sotme. Duke vlerësuar me mirënjohje të thellë misionin bamirës të vullnetarëve në botë, Papa, nënvizoi se për të krishterët puna vullnetare nuk është thjesht shprehje e vullnetit të mirë, sepse ajo bazohet mbi përvojën personale të Krishtit. Ishte Ai i pari, që u vu në shërbim të njerëzimit, duke dhënë lirisht jetën për të mirën dhe shpëtimin e të gjithë njerëzve, në mënyrë të veçantë të të varfërve. Përvoja e dashurisë bujare të Zotit, pra, na nxit të ecim mbi të njëjtat gjurmë, në ndihmë të vëllezërve e të motrave tona nevojtarë. E këtë e ndjejmë më fort se kurrë në Eukaristi. Hiri i Zotit, e larton dëshirën tonë për t’u shërbyer të tjerëve pa kurrfarë shpërblimi. Jemi të thirrur, prandaj, për t’u shërbyer të gjithëve, ashtu si u shërbeu vetë Zoti Jezus, me të njëjtën liri dhe bujari.

Duke shërbyer kështu, bëhemi mjete të dukshme të dashurisë së Tij hyjnore, në një botë që ka etje të pashuar për këtë dashuri, sepse jeton në mes të varfërisë materiale e shpirtërore, në mes të vetmisë e të përbuzjes, të padijes e të braktisjes, që bëhen gjithnjë më të dukshme e më të dhimbshme rreth nesh.

E dimë se vullnetariati katolik nuk mund t’u përgjigjet të gjitha nevojave, por kjo nuk i dëshpëron të krishterët, nuk i çarmatos. Përkundrazi, si vullnetarë të krishterë nuk duhet të joshemi nga ato ideologji, që duan ta ndryshojnë botën mbi bazën e një vizioni thjesht njerëzor. Ajo pak gjë, që arrijmë të bëjmë për të lehtësuar mjerimin e njerëzve të varfër e nevojtarë, mund të shikohet si farë e mirë, që do të rritet e do të japë fryte të begata. Është, sigurisht, shenjë e pranisë së dashurisë së Krishtit.

E është pikërisht kjo, natyra e dëshmisë, që vullnetarët e krishterë i japin shoqërisë civile, me përvujtëri e bindje.
Sot, vullnetariati, apo shërbimi i dashurisë së krishterë, njihet tashmë nga të gjithë, si element i rëndësishëm i kulturës moderne. Por gjithsesi zanafilla e tij duhet shikuar si vëmendje e krishterë për mbrojtjen, pa diskriminime, të dinjitetit të njeriut, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Hyjit.
Në se këto rrënjë shpirtërore, mohohen ose nuk përfillen, e kriteret e bashkëpunimit tonë katandisen në veprimtari utilitaristike, atëherë krijohet rreziku i humbjes së cilësisë themelore të shërbimit bujarisë vullnetare, në dëm të mbarë shoqërisë. Së fundi të themi pa kurrfarë frike, me bindjen se njeriu mund të realizohet plotësisht, vetëm në se dhurohet plotësisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.