2015-07-28 15:31:00

Një vit na ndan nga DBR-ja e Krakovit. Papa: është koha e mëshirës


Në lutjen e së dielës, 26 korrik, Papa deshi të kishte pranë vetes, në dritaren e Pallatit Apostolik, tashmë e njohur me emrin  e “Engjëllit të Tënzot”, dy të rinj, që do të marrin pjesë,  pikërisht pas një viti, në Ditën Botërore të Rinisë (DBR) të Krakovit. E me ndihmën e tyre, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, bëri një gjest prekës: u shkrua edhe ai, si shtegtar i thjeshtë, duke klikuar mbi një tablet, ndërsa telekamerat e Qendrës Televizive të Vatikanit e inkuadronin këtë skenë nga brenda studios, përdorur nga paraardhësit e Françeskut:

“Të dashur vëllezër e motra - i shpjegoi pastaj turmës në Sheshin e Shën Pjetrit si dhe milionave, që e ndiqnin përmes TV - sot hapen regjistrimet për Ditën XXXI Botërore të Rinisë, që do të kremtohet vitin e ardhshëm në Poloni. Desha t’i hap vetë regjistrimet e sapo u shkrova si shtegtar përmes sistemit elektronik”.

Sipas Papës, Dita Botërore e Rinisë 2016,  duke rënë në Vitin e Mëshirës, do të jetë, në një farë mënyre, edhe Jubile i Rinisë, që do të reflektojë për temën: “Lum të pastrit në zemër, sepse do të shohin Hyjin” (Mt 5,8).  E me këtë Papa deshi të kujtojë DBR-në 2000, kryesuar nga Gjon Pali II (që ishte kryeipeshkëv i Krakovit deri në vitin 1978). Ajo Ditë Botërore qe caktuar që nga shpallja e “Jubileut të Rinisë”, sepse bëhej fjalë për një Vit Shenjt të zakonshëm, domethënë, ishte e parashikuar në kalendarët liturgjikë, e jo si në rastin e këtij Vitit Shenjt të Jashtëzakonshëm, me shpalljen, të diel, krejt papritmas, nga vetë Françesku.

“I ftoj - tha Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 26 korrik - të rinjtë e mbarë botës ta jetojnë këtë shtegtim si duke shkuar në Krakov, ashtu edhe duke marrë pjesë në këtë çast hiri në bashkësitë e tyre”.

Kështu, pra, tani na ndan vetëm një vit nga takimi i madh rinor. Një vit, deri më 26 korrik 2016. Priten më se dy milionë të rinj nga mbarë bota për DBR-në polake, që bën pjesë në Vitin e Mëshirës, shpallur sipas dëshirës së Papës Françesku. Për Papën, “kjo është kohë mëshire”, “e favorshme për të mjekuar plagët e të gjithë atyre, që janë në pritje t’i shikojnë e t’i prekin me dorë shenjat e afërsisë së Hyjit”. Është kohë për t’u rrëfyer të gjithëve udhën e faljes e të pajtimit. Këtë të diel nis tik-takun edhe një orë e madhe, e cila do të shënojë ditët, që na ndajnë nga takimi rinor. Ndërkaq, regjistrimet i hapi vetë Papa.

Po, ç’ pritet nga ky takim? Pyetëm atë Gregorio Suchodolskin, sekretar i përgjithshëm i Komitetit organizator të DBR-së së Krakovit:

Përgjigje: - Shpresojmë se DBR-ja, që do të kremtohet gjatë Vitit Jubilar të mëshirës, do të jetë Jubile i vërtetë për të rinjtë. Po i bëjmë të gjitha përgatitjet e mundshme. Kujtoj në radhë të parë se i kemi caktuar tre vendet, ku do të mbahen kremtimet kryesore. I pari është një livadh në qendër të Krakovit, që quhet “Blonia”, 45 hektarë, ku do të zhvillohen tri ngjarjet kryesore: Mesha e hapjes – të martën – pritja e Papës -  të enjten - e Udha e Kryqit – të premten. Pastaj, vendi i dytë janë shenjtëroret e Krakovit: Shenjtërorja e Mëshirës Hyjnore e, një kilometër më tej, Qendra e madhe Gjon Pali II, në ndërtim e sipër, por që do të jetë gati vitin e ardhshëm. Pikërisht aty do të bëjmë, nga e marta - deri të premten, katër ditë, vazhdimisht, atë që tashmë njihet si katekizëm shëtitës. Në këto veprimtari dëshirojmë të marrin pjesë gjithë të rinjtë, të gjitha grupet. Të gjithë do t’i vizitojnë dy shenjtëroret: atë të Mëshirës Hyjnore e atë të Gjon Palit II. E pikërisht atje do të hapet edhe “Porta e mëshirës”. Pranë bazilikës së Mëshirës Hyjnore do të krijohet edhe zona e faljes, pikërisht për të mbarështuar Sakramentin e Rrëfimit në gjuhë të ndryshme. Terreni i tretë, më i madh, që po përgatisim, është në afërsi të Krakovit, rreth 12 kilometra nga qendra e qytetit. E quajtëm “Campus Misericordiae”. Atje parashikohet të bëhen dy takimet e mëdha: Mbrëmësorja e së shtunës dhe Mesha e së dielës.

Pyetje: - Po zemra e të rinjve, si po përgatitet për DBR-në e Krakovit?

Përgjigje: - Prej disa muajsh jemi në shtegtim shpirtëror me të rinjtë e Polonisë. Këtë vit po realizojmë një program shpirtëror, që titullohet pikërisht “Zemra 2.0”: reflektim i thelluar mbi Sakramentet: Sakramentin e Pajtimit dhe atë të  Eukaristisë. Në të gjitha dioqezat polake është një qendër dioqezane e DBR-së e në të, përveç përballimit të problemeve praktike, është gjithnjë edhe një seksion kushtuar formimit. Këtu organizojmë takime mujore me të rinjtë. Për ne kjo ka shumë rëndësi: të organizojmë grupe të vogla formimi, për të krijuar bashkësi të vërteta, bashkësi të krishtera.

Pyetje: - Cila, sipas jush, është e veçanta e kësaj Dite Botërore të Rinisë?

Përgjigje: - Shën Gjon Pali II, sepse ishte ai nismëtari i Ditëve Botërore. Krakovi është dioqeza e tij. Ai jetonte këtu, këtu kryente shërbesën si prift, si ipeshkëv e si kardinal. Është kthim mbi gjurmët e Wojtylës, ecje mbi hapat e Shenjtit, në shenjë mirënjohjeje për dhuratën e Ditëve Botërore të Rinisë. Por, përveç kësaj, duhet të kujtojmë gjithnjë se Krakovi është qytet i mëshirës. Këtu jetoi edhe motra Faustina Kowalska; këtu vdiq e këtu është edhe shenjtërorja kryesore e saj. Atëherë, kjo e bën edhe më të ndjeshme për gjithë botën temën e mëshirës, temë e vitit jubilar. Ne dëshirojmë që pikërisht nga Krakovi, nga kjo ditë, të ndizet për të gjithë  shkëndia që e përgatit botën mbarë për ardhjen e fundme të Zotit: janë fjalët e vetë Jezusit, që ia tha motër Faustinës. Përgatitemi për të dhënë,  nga Krakovi, një shtytje të fortë, shtytje shpirtërore, që çdo njeri ta kuptojë sa nevojë ka për Mëshirën Hyjnore.

Pyetje: - Në këtë udhë përgatitore, ç’presin të rinjtë nga Papa Françesku?

Përgjigje: -  Kohët e fundit kanë ndjekur shtegtimin e tij në Amerikën Latine. Edhe këtu, sigurisht, do të vijnë shumë të rinj të papunë, me ligështitë e tyre, me trishtimin, mungesën e shpresave, të veprimtarisë e, shpesh, edhe të familjes. Sigurisht do t’ia bëjnë me zë të lartë pyetjet e tyre ekzistenciale Papës Françesku. Shpresojmë se ai, me urtinë e me përvojën e tij, do t’u japë përgjigje, që do t’ua rikthejnë shpresën: shpresën për jetën e ardhshme. Nuk duhet harruar, pastaj, se Krakovi është shumë afër, vetëm një orë rrugë, me kampin e përqendrimit të Auschwitz-it. Mendoj se edhe prej këtu duhet përhapur në botën mbarë pikërisht mesazhi i shpresës që buron nga Mëshira Hyjnore. Është e vërtetë se sot, jo më këtu, por në shumë vise të botës, ka njerëz që vdesin nga uria, që vuajnë nga lufta. Bota ka nevojë për një fjalë të ngarkuar me shpresë. E për shpresë kanë nevojë, sidomos, mijëra njerëz, që vijojnë të vuajnë në të katër anët e planetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.