2015-07-28 11:46:00

Më 28 korrik, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Nazari e Çelsi, martirë


Shën Nazari, qytetar romak, dishepull i Shën Pjetrit, qe pagëzuar nga Shën Lini, i cili më vonë u bë Papë. Për të shpëtuar nga inati i tmerrshëm i të atit, hebre fanatik dhe nga persekutimi kundër të krishterëve, u largua nga Roma dhe e predikoi Krishtin në vise të tjera të Italisë, në Gali e në Treviri. E shoqëronte një djalë me emrin Çelsi, të cilin e përgatiti vetë në fenë e krishterë, e pagëzoi dhe e bëri shok apostullimi. Shumë shpejt të dy u kapën e, të ngarkuar me zinxhirë, u flakën në burgjet romake. 

Dolën që aty, falë gruas së prefektit romak që, pas një ëndrre të tmerrshme, iu lut të shoqit t’i lironte. Vijuan ta predikojnë Ungjillin e Krishtit, derisa u kapën përsëri e u çuan në Romë, ku Neroni urdhëroi që Nazari të hiqej zvarrë në tempullin e Jovit e të flijonte para idhullit. Por sapo shenjti hyri në tempull, të gjitha shtatoret e idhujve ranë përdhe copa-copa.

Pas shumë mrekullish të tjera, që tregohen hollësisht në historinë e martirizimit të dy shenjtorëve, si shpërtheu persekutimi në kohën e Dioklecianit, në vitin 304 pas Krishtit, u qe prerë koka të dyve së bashku në Milano, ku e dëshmuan me gjak fenë e tyre në Krishtin. Më vonë Shën Ambrozi i mbarti trupat e martirëve në kishën përballë Portës Romake, e cila që asokohe quhet Kisha e Shën Nazarit.
Emri Nazar vjen nga hebraishtja e do të thotë: "I shuguruar i Zotit", ndërsa Çelso, nga latinishtja, e do të thotë ‘i lartë’.  Ikonografia i paraqet gjithnjë së bashku. Mbajnë në dorë palmën, simbol i martirizimit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.