2015-07-28 11:58:00

Ilaçet me çmim të ulët: alarm për bisedimet e Paqësorit


Do të jetë një nga çështjet më delikate në mbledhjen e vendeve të Paqësorit, kushtuar së ashtuquajturës Trans-Pacific Partnership, në ishullin Maui të Havait. Është fjala për monopolin mbi ilaçet, që shpëtojnë jetën, në një debat më të gjerë për liberalizimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet SHBA-ve dhe 11 vendeve të zonës, ndër të cilat, Australia, Kanadaja, Japonia dhe Meksika. Disa dispozita për tregun farmaceutik mund të “venë në rrezik shëndetin e miliona njerëzve në dhjetëvjeçarët e ardhshëm”, siç denoncon organizata “Mjekët pa kufi”. Marrëveshja, sipas organizatës, mund të forcojë, zgjasë e krijojë monopole të reja për prodhimet farmaceutike, me rezultat rritjen e çmimit të ilaçeve. Flet përgjegjësja mjekësore e “Mjekëve pa kufi” në Itali, Stella Egidi:

Në fakt, ka të bëjë me një sërë prodhimesh tregtare – e pra, me një seri rregullash – ku përfshihen edhe prodhimet farmaceutike, duke mbrojtur në thelb, industritë e mëdha farmaceutike, në dëm të prodhimeve gjenerike, që kushtojnë më pak, përdorur nga qeveritë, programet kombëtare, por edhe nga organizata si e jona, për t’i furnizuar me mjekime e ilaçe, sidomos vendet me pak fonde.

 Në thelb, cila është arsyeja, që do të minonte përdorimin e ilaçeve me çmim të ulët?

Janë dy arsye. Së pari, sepse ky traktat parashikon mbrojtjen e një fenomeni, që në zhargon e quajmë “evergreening”(gjithnjë e re). Është praktika me të cilën shtëpitë farmaceutike përtërijnë të drejtën e autorit mbi ilaçet, duke propozuar formulime të reja për ilaçe të vjetra. Pra, duke paraqitur ndryshime të vogla në krahasim me ilaçin e vjetër, pa ia ndryshuar aspak fuqinë kuruese. Në fakt, është i njëjti ilaç. Së dyti, problemi tjetër është mbrojtja e të dhënave klinike: traktati parashikon që, për 12 vjet, të dhënat e punës kërkimore klinike mbi bazën e së cilës është krijuar një prodhim i caktuar farmaceutik nuk mund të përdoren nga firmat e tjera, pra edhe nga ato të ilaçeve gjenerike. Kjo do të thotë që çdo firmë e ilaçeve gjenerike duhet të fillojë nga e para gjithë procesin e punës kërkimore klinike, para se të prodhojë ilaçin.

 Flasim për ilaçe, që shpëtojnë jetën, apo jo? Për cilat sëmundje?

Për një gamë të gjerë sëmundjesh: nga Sida tek tuberkulozi, por edhe për patologji si leuçemitë e tumoret. Prandaj, vërtet do të kishte një ndikim shkatërrimtar mbi shumë sëmundje, që kanë të bëjnë me miliona e miliona njerëz. 








All the contents on this site are copyrighted ©.