2015-07-27 13:27:00

Nunci në Damask: Papa Françesku është pranë vuajtjes së sirianëve


Ndër sulmet e përgjakshme, që kanë përfshirë disa zona të Lindjes së Mesme, në veçanti Turqinë e, me shtrirjen e terrorizmit të të ashtuquajturit Shtet Islamik, kriza siriane duket sikur është lënë në hije. Por, lufta e brendshme në këtë vend vazhdon të shkaktojë dhjetra të vdekur çdo ditë e ta mundojë gjithnjë e më tepër popullsinë. “Përveç dhunës, ajo që na kërcënon të gjithëve është bomba e varfërisë”, denoncon nunci apostolik në Damask, imzot Mario Zenari. Duke i bërë jehonë thirrjes së Papës Françesku për lirimin e jezuitit italian, atë Paolo Dall’Oglio dhe të ipeshkvijve të tjerë të krishterë, për të cilët nuk dihet asgjë, imzot Zenari kritikon, në mikrofonin tonë, mungesën e impenjimit të bashkësisë ndërkombëtare në Siri:

         Harresa është një e keqe, që i shtohet asaj ekzistuese. Kur konflikti zgjatet shumë, ka rrezik të harrohet e ky është problem për të gjithë.

         Më 29 korrik do të kalojnë dy vjet nga rrëmbimi i atë Paolo Dall’Oglio, për të cilin foli dje Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot. Akoma nuk dihet gjë për të…

         Po, të gjithë e kujtojmë me dashuri të madhe, me shumë simpati e vlerësim: ky rregulltar, që e ka dashur fort Sirinë, ka bërë shumë për dialogun ndërfetar. Dua të kujtoj se bashkë me të, janë marrë peng e nuk dihet ku janë gjashtë njerëz të tjerë të Kishës, ndër të cilët, dy ipeshkvij, e deri tek meshtari i fundit, që u rrëmbye para dy javësh, në jug të Sirisë. Këta shtatë njerëz kishtarë janë pjesë e mijëra të tjerëve të zhdukur pa lënë gjurmë, duke lënë pas dhimbje të madhe në familjet e tyre.

         Në mediat botërore flitet për krizën politike siriane e për aleancat gjeopolitike në zonë. Jepen shifra për sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga amerikanët, por harrohen njerëzit e thjeshtë. Si është gjendja?

         Gjendja është vërtet shumë alarmuese: numri i refugjatëve në vendet fqinjë e ka kapërcyer 4 milionëshin e flitet për mëse 7 milion e gjysëm të shpërngulur brenda vendit. E përveç vdekjes e plagosjes, ajo që na kërcënon të gjithëve, përfshirë ata që u kanë shpëtuar plumbave, është bomba e varfërisë. Rreth 60% e njerëzve nuk ka punë e çmimet rriten vazhdimisht: “bomba e varfërisë” bën keq e i godet të gjithë. Ua përsërisim shpesh Kombeve të Bashkuara, sidomos të dërguarit të veçantë të OKB-së, se nuk duhet të shkojmë drejt zgjidhjes ushtarake: duhet gjetur urgjentisht një zgjidhje politike e bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë përpjekje. Nuk mund të lejojmë të kalojnë muaj e muaj me luftë.

Sipas jush, cilat janë zonat, që kanë më tepër nevojë për ndihmë?

Ka disa zona si Halebi në lindje, Hassaké, Kamishlié në perëndim e në veriperëndim, por edhe disa të tjera në jug të Sirisë. Plaga e luftës është përhapur kudo. Vështirë të gjesh zona pa probleme. Kisha impenjohet në dialogun ndërfetar, por sidomos në fushën e ndihmave humanitare. Po bëhet ç’është e mundur për të koordinuar grumbullimin dhe shpërndarjen e tyre. Jemi të favorizuar, sepse kemi njerëz në vend, rregulltarë e meshtarë, që respektohen e duhen nga të gjithë, edhe nga besimtarët e feve të tjera.

Kohët e fundit keni qenë tek Papa. Cila është fjala e Françeskut, që ju ndihmon më shumë në detyrën tuaj delikate?

Afërsia e tij… Papa ka zemër për këto vuajtje, është pranë këtyre njerëzve e, këtë e preka me dorë, e ndjeva.








All the contents on this site are copyrighted ©.