2015-07-27 11:49:00

Më 27 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Klementin e Ohrit, ipeshkëv


Klementi (lindi më 840 - ndërroi jetë më 27 korrik 916) quhet “i Ohrit” sepse lidhet ngushtë me këtë qytet maqedon, i cili dikur ishte një qendër e rëndësishme e fortifikuar romako-bizantine. Por quhet edhe “bullgar” e “sllav”, e të gjithë titujt që i shtohen emrit të shenjtit janë të përshtatshëm, sepse jeta e tij qe një shtegtim i vazhdueshëm ndër vendet sllave, ku endej duke predikuar Ungjillin e duke lënë gjurmë të pashlyeshme, posaçërisht në Bullgari.

Nuk dihet asgjë për lindjen e as për rininë e tij. Shenjti duket në skenën e historisë, në shekullin IX, kur perandori Mihali III i Kostandinopojës i dërgoi princit Rastislav të Moravisë, dy ungjillëzuesit që kishte kërkuar. Niste kështu ungjillëzimi i dy vëllezërve Salonikas, Cirilit e Metodit, apostuj të mëdhenj të Lindjes.

Rastislavi dëshironte misionarë nga Kostandinopoja, sepse nuk u besonte predikatarëve “latinë” siç i quante ai, e sidomos atyre me origjinë gjermanike. Së bashku me dy vëllezërit, u nisën edhe disa bashkëpunëtorë, ndërmjet të cilëve edhe Klementi, që duhet të kishte kryer studimet serioze, sepse u bë bashkëpunëtor i ngushtë i Metodit në veprimtarinë për përshtatjen e liturgjisë bizantine të Lindjes në gjirin e popullsive që ktheheshin pak nga pa në fenë e krishterë. Vite me radhë ai, së bashku me dy vëllezërit salonikas, shtegtoi nga Moravia në Panoni (Hungaria e sotme), nga Roma në Serbinë e sotme.

Ungjillëzimi i Evropës lindore vështirësohej nga rivalitetet politike. Misionarët gjermanikë shikoheshin me mosbesim, si vegla në duart e princërve të tyre. E njëjta gjë ndodhte kur ndokush niste ungjillëzues nga Lindja në emër të krishterimit “latin”. Mosmarrëveshjet nganjëherë bëheshin tepër të ashpra, gjë që provoi edhe vetë Klementi, i cili u detyrua të ikte nga Panonia në Bullgari, i dëbuar nga një peshkve armik i “ritit sllav”. Për shën Klementin Bullgaria nuk qe vetëm strehë e sigurt, por edhe fushë e re veprimi. Atje, ndërkaq, punoi për thjeshtësimin e alfabetit çirilik, në mënyrë që studimi i Shkrimit Shenjtë – Biblës të ishte sa më i thjeshtë e, rreth vitit 865, ktheu në fenë e krishterë mbretin Boris, i cili më pas do të linte fronin për të hyrë në një manastir.

Pasardhësi i Borisit, Simeoni, inkurajoi veprën misionare dhe, në vitet 893-94 e emëroi Klementin “ipeshkëv të parë të gjuhës bullgare”, duke e vënë në krye të dioqezës së Belikës. Bullgar ndërmjet bullgarëve. Po mendja i shkonte vazhdimisht në Ohër.

Shën Klementi, së bashku me Shën Metodin dhe Shën Naumin arritën në Ohër si dishepuj të të famshmit Shën Qirill nga fundi i viteve 880. Në vitin 900 Shën Naumi ndërtoi një Kishë të vogël, së cilës më vonë iu shtua Manastiri që u bë në shekuj një nga vendet e famshme fetare dhe kulturore të zonës. E edhe sot e kësaj dite vijon të jetë cak shtegtimesh.

Është manastiri i famshëm i Shën Naumit, i vendosur mbi një kodrinë ndërmjet liqenit të vogël e bregut të liqenit të Ohrit, një nga qendrat më të rëndësishme turistike të zonës, vendi legjendar ku buron Drini i Zi, që nis pastaj udhëtimin mes për mes Shqipërisë së lashtë, për t’u bashkuar me Drinin e Bardhë e për t’u derdhur në detin Adriatik.

Kur u plak, Shën Klementi deshi të tërhiqej pikërisht në këtë manastir. Por nuk mundi: populli e donte në detyrën e ipeshkvit, në krye të dioqezës, të cilën ai e pasuroi me kler të ri vendas, që e mësoi dhe e edukoi vetë. Por në se nuk mundi të jetonte në Ohër, gjeti aty pushimin e pasosur në një varr, që menjëherë u bë vend shtegtimesh popullore. Shën Klementi, që duhet të ketë lidhje edhe me ungjillëzimin e Kelmendit, vend i cili mban pikërisht emrin e tij të shqiptarizuar, kujtohet më datën 27 korrik.

Në fillim thamë se Shenjti quhet maqedon, bullgar e sllav; mund ta quajmë pa frikë edhe shqiptar, e ky është virtyti i shenjtorëve: mbartin mbi vete universalitetin e fesë së krishterë, që i bën t’u përkasin të gjitha vendeve e të gjithë popujve.








All the contents on this site are copyrighted ©.