2015-07-26 16:39:00

Spanjë. Avila: gjithçka gati për Takimin evropian të të rinjve


“Në kohë të vështira, miq të ngushtë të Zotit”: do të jetë kjo tema e takimit evropian të të rinjve, që do të mbahet në Avila të Spanjës, nga 5 deri më 9 gusht. Organizuar nga konferenca ipeshkvnore vendase, takimi mbahet në kuadrin e kremtimeve me rastin e 500-vjetorit të lindjes së Shën Terezës së Avilës. Prej këndej edhe tema frymëzohet nga një fragment i shkëputur prej  jetëshkrimit të Shenjtores, titulluar “Jeta” (15,5).

Priten më se 5 mijë të rinj nga mbarë bota

Më se 5 mijë të rinj do të marrin pjesë në këtë ngjarje, njofton një notë e Kishës spanjolle. Do të vijnë jo vetëm nga të katër anët e Spanjës, por edhe nga Italia, Franca, Portugalia, Polonia, Malta, Australia, Brazili e Argjentina. Në qendër të vëmendjes së këtij takimi, do të jetë figura e Shën Terezës, me qëllim që të rinjtë ta njohin më mirë këtë figurë të jashtëzakonshme dhe rolin e saj në Kishë. Do të organizohen, prandaj, kremtime liturgjike e vizita në viset ku jetoi, vegoi, u lut, shkroi e veproi Shenjtorja e madhe e krishterimit. Por do të ketë edhe koncerte e takime të tjera rinore, gjithnjë me frymën tereziane. Ndërsa nga 5 deri më 7 gusht, duke nisur nga ora 22.00, do të organizohet festivali i kompozitorëve  katolikë bashkëkohor.

Katekizëm, çaste lutjeje e koncerte

Ceremonia e hapjes, Mbrëmësorja e lutjes dhe Mesha përfundimtare do të  mbahen në Sheshin e Qendrës Lienzo Norte, me pjesëmarrjen e kardinalit Ricardo Blázquez, kryetar i Konferencës ipeshkvnore spanjolle. Tridhjetë ipeshkvinj të tjerë vendas do të mbajnë katekizmin e do t’u prijnë çasteve të ndryshme të lutjes, që do të përkthehen në katër gjuhët kryesore të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.