2015-07-26 17:30:00

Papa: verë pune në Vatikan


Padyshim, edhe Papët kanë nevojë për pushime verore. Vapa i kufizon aftësitë e njeriut për punë e natyra, në lulëzim, e fton të prehet në gjirin e  saj. Prej kohe, pas punës së rëndë e me përgjegjësi të lartë të një viti të tërë, i kemi ndjekur Papët në pushimet e tyre verore. Nga Gjoni XXIII e Pali VI, që e kalonin një pjesë të mirë të pushimeve në Castel Gandolfo, në mes të kaltërsisë, blerimit e freskisë, tek Gjon Pali II, gjithnjë pas një pune të rëndë, e në fillim të një pune tjetër të rëndë. Na u desh të ngjiteshim në maja malesh, pas Papës polak. E ndoqëm në shëtitjet ndër shtigjet e bjeshkëve, edhe atëherë kur ecte me vështirësi. Mbeten në kujtesën e mijëra besimtarëve Meshët e Lutjet e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Shën Shtjefnin e Kadores, në Lorenzago të Kadores e në lugina të tjera të blerta, ndërmjet pyjeve, rrethuar nga qindra mijëra malësorë, ardhur prej të katër anëve. “Këto male të ngjallin në shpirt ndjesinë e pafundësisë e dëshirën për ta lartuar mendjen drejt sendeve sublime”, pati shkruar, në sa i përshkonte e i sodiste.

Papa Benedikti eci disa vera në gjurmët e Paraardhësit, në shtigjet e Dolomiteve italiane, e pastaj u ndalua në Kastel Gandolfo, me shëtitjet e zakonshme e tingujt e pianos, në orët e prehjes, pas punës së rëndë e të vazhdueshme.

Tani ndjekim pushimet e verës më të pazakonta papnore: pushime, pa pushim. Edhe kjo verë, e treta, vijon të jetë stinë pune për Françeskun. Në muajin gusht, që po afrohet, Papa Bergoglio ka në program të punojë për përgatitjen e angazhimeve të rëndësishme, që e presin nga shtatori e në vijim. Prandaj, derisa të niset për Kubë, Papa ka një program mjaft të lehtësuar nga angazhimet publike. Gjatë korrikut, shtegtarët nuk do të mund ta takojnë si zakonisht në audiencat e përgjithshme, takim javor i Atit të Shenjtë me besimtarë ardhur nga anë e anës. E as në Meshët, kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, aq e famshme në mbarë botën, për homelitë që kanë depërtuar në skajet e skutat e jetës së njeriut e të njerëzimit.  

Kjo, që po kalon Papa, është verë dyfish e nxehtë, deri në shtator, kur nis një vjeshtë e ngarkuar me frytet e pjekura gjatë kësaj stine, në Shtëpinë e Shën Martës: nga 19 deri më 28 shtator Françesku do të jetë në Kubë e në SHBA, mision papnor ndërkombëtar nga më të rëndësishmit. Menjëherë pas, Sinodi, nga 4 deri më 25 tetor, takim vendimtar, që lidhet me qelizën themelore të shoqërisë, familjen e nga i cili priten vendime, që do të  tregojnë edhe më qartë  nga po drejtohet Kisha e kryesuar prej Bergoglios. Vjen, pastaj, kuvëndimi kishtar në Firence dhe shtegtimi i nëntorit, në Afrikë, i dëshiruar nga Papa për të përhapur më me forcë mesazhin e papnisë së tij.

Duket qartë se Françesku nuk do t’ia dijë për pushimet verore e, ndoshta- ndoshta, njeri jo i zakonshëm, siç është, pushon vetëm kur punon! Shembull i shkëlqyer i  lidhjes së njeriut me punën, ky. Prej këndej, Papa do ta kalojë edhe këtë verë në Shtëpinë e Shën Martës, nën Kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit, në zemër të Romës, duke vijuar punën e nisur. Natyrisht, me ritme më pak të ethshme, sepse edhe Papa ka nevojë të prehet sadopak, kudo që jeton. E këtë verë do të mund të punojë me ritme më të ngadalta, në krahasim me dy verat e kaluara: të parvjetshmen, kur nisi punën për Enciklikën Evangelii gaudium, e të vjetshmen, kur përfundoi Enciklikën tjetër “Lëvduar qofsh”, pa harruar se edhe doli nga Shtëpia e Shën Martës, për të shtegtuar larg, shumë larg.  Në Korenë e Jugut. E sidomos, nuk duhet të harrojmë se vjet Papa Françesku kreu edhe vizitën e paharrueshme në Tiranë – a më mirë të themi - në Shqipëri, sepse fizikisht a shpirtërisht, e gjithë Shqipëria ishte rreth tij, atë 21 shtator 2014. Madje rreth tij, si asnjë herë, ishin edhe martirët: të vdekurit e gjallë! E, përkrah tyre, gjithë të përndjekurit.

Tani, duke përballuar temperaturat jashtëzakonisht të larta, që  të duket sikur do ta ndezin vetë ajrin, Papa përgatit fjalët, që do të thotë në Kubë, portë e hyrjes drejt SHBA-ve që, falë edhe ndërmjetësisë së Tij,  nisën një fazë të re marrëdhëniesh. E fjalët që duhen thënë në OKB të New Yorkut e në Kongresin e SHBA-ve, në Washington, ku do të çojë frymën e enciklikës së tij shoqërore. Pastaj e presin përfaqësuesit e mbarë familjeve të botës, në ditën e tyre, në Filadelfia, pak kohë para fillimit të Sinodit, takimit të madh të tetorit, edhe ky kushtuar familjes:

“Duhet të filloj të studioj  - njoftoi Françesku, nësa shtegtonte me avion  drejt Romës, në kthim nga Amerika Latine. - Deri tani studiova këto tre vende të mrekullueshme, ku isha (Ekuador, Bolivi e Paraguái), tani duhet të studioj thellë Kubën e SHBA-të. Duhet të studioj edhe kritikat - shton Papa – sepse e di që kritikohem nga disa mjedise amerikane, për shkak se, në enciklikat e mia ‘Evangelii gaudim’ e ‘Lëvduar qofsh’, denoncoj sistemin ekonomik, që thellon pabarazitë e çekulibron jetën e mbarë botës”.

Pushime pa prehje. Pa alpe, pa Castel Gandolfo. Banorët e Selisë verore papnore, sivjet kanë mbetur për herë të tretë pa ditët e bujshme, pa pritjet e përcjelljet e Papës në pushim. Megjithatë, vijojnë të shpresojnë se, në çastin e fundit, siç e ka zakon, Françesku mund të vendosë ta kremtojë Engjëllin e Tënzot ndonjë të diel, në kështjellën e papëve, që hesht nën diellin përvëlues, ngaqë në fronin e Shën Pjetrit është ulur një papë që pushon, pa pushuar.  

Këto ditë Françesku vijon jetën e zakonshme në Shën Martë, duke pritur vizita, duke lexuar letërkëmbimin e duke vijuar punën e rëndë, të cilën sapo e kujtuam. Madje, po ta pyesësh për pushimet verore, gjegjet i kënaqur: “Po pushoj, pra. Kam hequr dorë nga të gjitha angazhimet: meshët në Shën Martë, me publik e besimtarë, audiencat e përgjithshme e të veçanta. A nuk quhen pushime?”.

Këto, ritmet e punës, a të pushimeve verore, të Papës, sipas drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi.

E ritme të ndryshme do të jenë edhe ato, të vitit të ri. Me fillimin e Jubileut, Papa ka vendosur t’i ndërpresë për gjithë vitin vizitat “Ad limina” të ipeshkvijve të botës, në mënyrë që të jetë i lirë për të marrë pjesë në ngjarjet e Vitit të jashtëzakonshëm. Ashtu si ka vendosur edhe, për të njëjtën arsye, të shtegtojë më pak gjatë vitit 2016. Aktualisht në plan janë shtegtimi në Kili, në Argjentinë e në Uruguaj (ende pa data), pastaj shtegtimi në Krakov, në korrik, për Ditën Botërore të Rinisë, e ndoshta- ndoshta, edhe në Francë, të cilën Françesku do të kishte dëshiruar ta vizitonte gjatë këtij viti.

Pushon a nuk pushon Papa këtë verë të vapët? Gjykojeni vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.