2015-07-26 15:40:00

Françesku: t’u rikthehet liria njerëzve të rrëmbyer në Siri


Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku kujtoi popullsinë siriane të stërmunduar nga një konflikt, të cilit nuk po i duket fundi. Përsëriti, posaçërisht, thirrjen për lirimin e jezuitit, atë Dall’Oglio, dy vjet pas rrëmbimit, si dhe të të gjitha pengjeve të tjera, në zonat e konfliktit.

Me një gjest simbolik, duke klikuar mbi një tablet, Papa u regjistrua i pari në Ditën Botërore të Rinisë, duke i ftuar, në vijim, gjithë të rinjtë, të marrin pjesë në Festën, që do të kremtohet pikërisht pas një viti, në vendlindjen e Shën Gjon Palit II, fryt i shërbesës papnore të të cilit është kjo Ditë.

 Papa Françesku nuk e harron Sirinë, vuajtjet e popullsisë së vendit të martirizuar. Përsëriti, prandaj, thirrjen për pajtim në këtë vend të Lindjes së Mesme, që rrezikohet ta harrojë fjalën “pajtim”. Nëse nuk ia kujton vazhdimisht kush lutet e punon për pajtimin.

Të lirohet atë Dall’Oglio dhe të gjithë njerëzit e rrëmbyer në Siri

Papa kujton, në mënyrë të posaçme, se së shpejti mbushen dy vjet nga rrëmbimi i atë Paolo Dall’ Oglios:

“Bëj thirrje urgjente për lirimin e këtij rregulltari të nderuar! Nuk mund të harrojmë edhe ipeshkvijtë ortodoksë, të rrëmbyer në  Siri, si dhe të gjithë njerëzit e tjerë, rrëmbyer në zonat e konfliktit. Uroj që autoritetet vendase e ndërkombëtare të angazhohen, që këtyre njerëzve t’u rikthehet sa më shpejt liria. Me dashuri e pjesëmarrje në vuajtjet e tyre, dëshirojmë t’i kujtojmë në lutje”.

I ftoj të rinjtë e mbarë botës në DBR-në e Krakovit

Para fjalëve kushtuar Sirisë, Françesku bëri një gjest vërtet simbolik. Në mes dy të rinjve, klikoi mbi një tablet, duke u shkruar i pari në listën e “të rinjve”, që do të marrin pjesë në DBR-në e Krakovit e duke hapur, kështu, zyrtarisht, regjistrimet për pjesëmarrësit, pikërisht një vit para ngjarjes së madhe rinore:

“E kremtuar gjatë Vitit të Mëshirës, kjo Ditë do të jetë, në një farë mënyre, jubile i rinisë, që thirret të reflektojë mbi temën ‘Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë’ (Mt 5,7). I ftoj të rinjtë e mbarë botës ta jetojnë këtë festë  të madhe, si duke shtegtuar drejt Krakovit, ashtu edhe duke marrë pjesë në këtë çast hiri, në bashkësitë e tyre”.

Në komentin e Ungjillit të së dielës, përqendruar mbi mrekullinë e shumëzimit të bukëve e të peshqve nga ana e Jezusit, Papa Françesku nënvizoi se kjo mrekulli buron nga pushteti i gjithëmëshirshëm i Zotit, që shëron çdo sëmundje, të korpit e të shpirtit.

Jezusi e zëvendëson logjikën e blerjes, me atë të dhënies

Dishepujt, vërejti Ati i Shenjtë, arsyetojnë me logjikën e tregut. Ndërsa Jezusi  e zëvendëson logjikën e blerjes, me atë të dhënies. Gjestet e Tij, shtoi Françesku, përshpejtojnë ato të Darkës së Mbrame, të cilat i japin bukës së Jezusit kuptimin e saj më të thellë e më të vërtetë:

“Buka e Zotit është vetë Jezusi. Kur bashkohemi me Të, marrim jetën e Tij në jetën tonë, duke u bërë bij të Atit qiellor e vëllezër ndërmjet nesh. Të marrësh pjesë në Eukaristi, do të thotë të hysh në logjikën e Jezusit, logjikë e dhurimit, e faljes, e ndarjes me të tjerët, pa pritur asnjë shpërblim. E sado të varfër të jemi, skamja jonë nuk arrin kurrë deri në atë pikë, sa të mos kemi asgjë për të dhuruar. Të kungohesh, do të thotë të marrësh nga Krishti hirin, që na bën të aftë për të ndarë me të tjerët çka jemi e çka kemi”.

Secili nga ne mund t’i shumëfishojë gjestet e solidaritetit

Turma, vijoi Papa, u pataks nga mrekullia e shumëzimit të bukëve, por dhurata më e madhe, që i jep Jezusi njeriut të uritur, është plotnia e jetës. Krishti nuk shuan vetëm  urinë për sende materiale, por shkon shumë më përtej. Shuan urinë e njeriut për kuptimin e jetës, shuan urinë për Zotin: Ç’mund të bëjmë ne, përballë vuajtjes, përballë vetmisë, varfërisë e vështirësive, nëpër të cilat përshkohen një mori njerëzish? - pyeti Papa. - Ankimet nuk zgjidhin asnjë problem. Atëherë? Ç’mund të bëjmë? Mund të  dhurojmë atë pak, që jemi; atë pak, që kemi:

“E kemi, pa dyshim, ndonjë orë kohë; e ndonjë talent, ashtu si edhe ndonjë aftësi... E cili nga ne nuk i ka ‘pesë bukë e dy peshq?’. Të gjithë i kemi. Nëse jemi gati t’i lëshojmë në duart e Zotit, do të mjaftojnë, që në botë të ketë pakëz më shumë dashuri, më shumë paqe, më shumë drejtësi, e, posaçërisht, më shumë gëzim! Sa nevojë ka bota për gëzim! Zoti është në gjendje t’i shumëfishojë gjestet tona të vogla të solidaritetit e të na bëjë pjesëtarë të dhuratës së Tij”.

Së fundi, në festën e Shën Joakinit e Anës, Papa u drejtoi një urim të veçantë gjyshërve, figura që i do e i kujton vazhdimisht në mënyrë të veçantë. Prej këndej, në festën e tyre, një urim papnor, i dalë nga zemra, shoqëruar edhe me falënderimin për praninë e tyre të çmuar në  familje  e për ndikimin jashtëzakonisht pozitiv në edukimin e të rinjve me urtinë e shekujve, që breznia ia kalon breznisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.