2015-07-26 13:56:00

Kardinali Sistach i paraqiti Papës librin mbi baritorinë në qytetet e mëdha


Kryeipeshkvi i Barcelonës, kardinali Lluìs Martìnez Sistach i dhuroi Papës Françesku edicionin spanjoll, italian e katalan të librit “Baritoria në qytetet e mëdha”, i cili përmbledh fjalimet, dokumentet dhe rezultatet e Kongresit I Ndërkombëtar mbi këtë baritori, që u mbajt në dy faza, në maj e në nëntor 2014.

Ide, që u bë realitet gjatë papnisë së Françeskut

         Ideja e mbledhjes së një Kongresi  mbi baritorinë e qyteteve të mëdha lindi nga një sërë bisedash me këtë temë, ndërmjet kardinalit të atëhershëm Jorge Mario Bergoglio dhe kardinalit Martinez Sistach, në vitin 2013, vetëm pak ditë para zgjedhjes së Françeskut në fronin e Shën Pjetrit. Që në fillim, Ati i Shenjtë pati folur për “periferitë ekzistenciale”, të cilat janë mëse të dukshme sidomos në qytetet e mëdha. Vërtet, gjatë fjalës për pjesëmarrësit në Kongres, Papa vuri në dukje sfidat më të rëndësishme të Kishës në këto qytete: baritori ungjillëzuese më të guximshme, që prek jetën e njerëzve; dialog shumëkulturor, pa relativizma e pa vënë në diskutim identitetin personal të krishterë; vlerësim i përshpirtërisë popullore dhe afërsi me të varfërit e qytetit.

Përfaqësohen 100 milion katolikë

         Mëse 100 milion katolikë u përfaqësuan në Kongres. Libri përmban disa nga fjalimet më të rëndësishme, përfshirë ndërhyrjen e Papës Françesku, e cila e mbyll atë. Kujtojmë se Ati i Shenjtë i priti pjesëmarrësit në audiencë, nëntorin e kaluar, në Sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik. Dy, këshillat e tij: dilni për të takuar Zotin, që jeton në qytet e ndër të varfërit dhe; lehtësojeni takimin me Hyjin, duke punuar për një Kishë samaritane, dëshmitare konkrete e mëshirës dhe e dhembshurisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.