2015-07-26 16:30:00

Festa e gjyshërve në Spanjë. Papa: kujdes për të moshuarit


“Ta përforcojnë fenë, duke e pasur gjithnjë pranë Zotin, që nuk na braktis kurrë, të bindur se me urtinë dhe gjestet plot dashuri, mund të japin një ndihmesë jashtëzakonisht të çmuar për rritjen njerëzore të familjeve të tyre”: kjo, nxitja e Papës për të gjithë pleqtë spanjollë, në mesazhin  drejtuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve të Festës XVI të gjyshërve. Festa u kremtua sot në të gjithë Spanjën. Në mesazhin, transmetuar nga Nunciatura e Madridit, Ati i Shenjtë ripohon edhe një herë me forcë se “i mbështet fuqimisht të gjithë ata, që kujdesen për të moshuarit  me dashuri, duke kontribuar për të mirën e përbashkët të të gjithë shoqërisë”.

Dita kremtohet vit për vit në festën e Shenjtorëve Joakini e Ana, gjyshi e gjyshja e Jezusit, nga shoqata katolike spanjolle “Edad Dorada-Mensajeros de la Paz”. Kjo shoqatë angazhohet në ndihmën e mbështetjen e njerëzve, që shkelin pragun e moshës së tretë, e edhe të katërt! Duke ecur me çap të ngadaltë e të matur… Në pritje të një krahu të ri, që t’i mbështesë:

“Qëllimi është të sensibilizohet shoqëria për respektimin e të moshuarve, që aq shumë kanë dhënë gjatë jetës së tyre. Prej këndej, është detyrë të respektohen, t’u njihet vlera në çdo familje e të kujtohen nevojat që mund të ketë popullsia e të moshuarave”. Këto, konceptet, nënvizuar në mesazhin e rastit edhe nga kryeipeshkvi i Madridit, imzot Carlos Osoros, si dhe nga ipeshkvi i ushtarakëve, imzot Juan del Rio Martin.

Qendra e kremtimeve të Ditës së të moshuarve sivjet ishte Madridi: Mesha e madhe, me pjesëmarrje masive të të moshuarve, përkrah me të rinjtë, u kremtua në Kishën e Shëna Ndout, kryesuar nga imzot Luis Gutiérrez Martín, ipeshkëv nderi i Segovisë. Në përfundim të kremtimit, u lexua mesazhi i Atit të Shenjtë, me bekimin e tij apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.