2015-07-26 13:46:00

Drejt takimit botëror të të rinjve të shuguruar


“Zgjojeni botën!”: kjo është thirrja e Papës Françesku për të shuguruarit e të gjithë botës, në prag të hapjes së vitit, që u kushtohet. Po kjo thirrje do të përshkojë edhe takimin ndërkombëtar për të rinjtë e të rejat, që kanë zgjedhur jetën rregulltare, në program në Romë, nga 15 deri më 19 shtator.

         Siç thuhet në nëntitullin e kësaj teme -  “Ungjilli-profecia-shpresa” - janë tri, fushat, rreth të cilave do të shtjellohet takimi, i menduar nga Kongregata për Institutet e Jetës së shuguruar e për shoqëritë e jetës apostolike, për të gjithë ata, që kanë vendosur ta ndjekin Krishtin, por ndodhen pikërisht në kohën para noviciatit, në periudhën e shoshitjes e të provës. Qëllimi është të jetojnë një përvojë formimi, përmes thellimit biblik, teologjiko-karizmatik e kishtar të elementeve themelore të jetës së shuguruar. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të flasin së bashku për jetën, dëshirat e aspiratat e tyre. Pa harruar kremtimin e dëshminë e gjallërisë së thirrjes rregulltare.

         Parashikohen takime të përbashkëta, paradite, në Sallën Pali VI në Vatikan, ndërsa pasdite dhe në mbrëmje, të rinjtë e të rejat do të ndahen në grupe sipas pesë gjuhëve: italisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht e portugalisht. Në program ka çaste thellimesh në tematika të caktuara, dëgjim dëshmitarësh, dialog rreth gëzimeve e shpresave të të rinjve. Do të ketë edhe çaste, në të cilat mund të marrin pjesë edhe besimtarë nga jashtë, si mbrëmja e lutjes, të martën më 15 shtator, në orën 20.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, si edhe mesha e mbylljes, të shtunën, më 19 shtator, në orën 11.30, në Bazilikën e Shën Pjetrit. 








All the contents on this site are copyrighted ©.