2015-07-20 18:52:00

Arshi Pipa në përvjetorin e vdekjes


Përkujtojmë sot një figurë të shquar të kulturës shqiptare, Arshi Pipën, në përvjetorin e vdekjes, më 20 korrik 1997 në Uashington të SHBA-së. Arshi Pipa lindi në Shkodër më 1920, ishte poet, publicist, gjuhëtar, kritik e studiues, kundërshtar i papajtueshëm i diktaturës komuniste, luftëtar i radhëve të para kundër saj e shërbëtorëve të saj.

Më 1938 i diplomua në Liceun Shtetëror për gjuhët klasike. Vijoi studimet në universitetin e Firencës, në degën e filozofisë. Më 1942 mbrojti disertacionin me temën “Morali dhe feja në veprën e Bergson-it” me të cilën mori titullin “doktor në filozofi”. Punoi kryesisht si mësimdhënës. Më 1942-1944 dha mësim në Liceun e Tiranës dhe të Shkodrës. Mbas luftës qe mësues i italishtes dhe shqipes në kolegjin femëror në Tiranë.

Më 1946 u arrestua, sepse iu kundërvu haptas politikës së regjimit komunist. Vitet 1946-1956, që pasqyrohen më pas në përmbledhjen e tij poetike “Libri i Burgut” (1959), i kaloi në burg dhe në kampe përqendrimi. I persekutuar, i burgosur, i torturuar nga komunistët, më 1957 u arratis në Jugosllavi, ku jetoi për një vit si refugjat. Gjatë kësaj periudhe përktheu në shqip përmbledhje të lirikëve latinë, rreth 250 faqe, shoqëruar me parathënie, shënime dhe një paragraf mbi metrikën. Më 1958 ia doli mbanesh të arratisej në SHBA-së, ku vijoi luftën kundër dhunës, me penën e tij të mprehtë e të kulturuar. Botoi gazetën “Albania”, drejtoi gazetën “Dielli” dhe shkroi “Librin e Burgut”, “Mortale dhe Dante”; ”Letërsia shqiptare: perspektivat shoqërore” (1978); “Vargu popullor shqiptar: struktura dhe gjinia” (1978); “Studime mbi Kosovën”, “Stalinizim shqiptar” (1990) etj.

Si krijues, kujtohet për katër vëllime me vjersha në shqip: “Lundërtarë”, (1944), “Libri i Burgut”, (1959), “Rusha” (1968) dhe “Meridiana” (1969). Si eset e filozof, Arshi Pipa shkroi artikuj dhe studime të ndryshme të paraqitura në kongrese, seminare dhe konferenca ndërkombëtare në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venedik etj. Përsa i përket kritikës letrare, shkroi studime për  letërsinë italiane edhe letërsinë e kulturën arbëreshe e shqiptare. Këto të fundit i botoi në “Trilogia Albanica” (1978) që përbëhet nga tre libra: ““Vargu popullor shqiptar: struktura dhe gjinia” , “Hieronymus De Radra”, “Letërsia shqipe, perspektiva sociale”.

Arshi Pipa u kthye në Shqipërinë e pas diktaturës komuniste me mendimin të mos largohej më, por gjet një Atdhe aq të ndryshuar nga diktatura sa i dukej i tjetërsuar, ku e ndjeu veten më të huaj se në dheun e largët që e kishte adoptuar. Atdheu nuk qe më ai me ato vlera që kishte lënë, ai që duhet të ishte!

Po përmendim se gjatë viteve të burgut, lidhi miqësi të ngushtë me klerikët katolikë bashkëvuajtës. U kushtoi shumë shkrime, ndërmjet të cilave vlen të përmendet “Kujtime mbi Vinçenc Prennushin”, që mbyllet me fjalët aq simbolike e profetike, të cilat sot po ia atriobuojmë vetë atij që i shkroi:”....asht vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë qysh njerëzit vdesin për ideale”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.