2015-07-17 18:30:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16 gjatë vitit kishtar ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. 
Krishti, përmes Kishës, u jep njerëzve siguri, orientim e ushqim. Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, flasin për veprën e Jezusin e për realitetin e Kishës. Porsi bariu që e mbledhë grigjën e vet, Jezusi i bashkon njerëzit, e këta njerëz të mbledhur nga ai përbëjnë Kishën. (Ungjilli Mk 6,30-34))
Grigja e cila ruhet nga barinjtë e përgjegjësit, gëzon sigurinë e mbrojtjen, kushte këto të një jete paqësore, të frytshme e të harmonishme (Leximi i parë Jer 23,1-6) . Këto, pra janë rezultatet e një përgjegjësie mirë të ushtruar e të zbatuar. Nga kjo buron qetësia, rehatia. Grigja nuk është e dezorientuar, madje ecën udhës së jetës, duke ndjekur orientimin e mirë; e di ku të shkojë, si në dimër ashtu në verë. Udhëheqja e ndërgjegjshme dhe vigjilente e bariut e ruan grigjën prej çorientimit, shpartallimit, bjerrjeve e çrregullimeve që mund t’i duken e të jenë shkatërrimtare e të çojnë në vdekje. Po shtojmë se një udhëheqje e tillë përkujdeset që grigja të gjejë përherë ushqim të mirë e të jetë mirë e mbajtur.
Metaforat që na i propozojnë leximet biblike të Meshës së kësaj së diele, me siguri nuk janë moderne. Njeriu i sotëm që është kaq i mësuar të flas në terma të lirisë dhe ka kultin në idealin e autonomisë, i gjen si të çuditshme këto metafora, larg nga bota e tij. Po lypet të kuptohet domethënia e thellë dhe porosia qenësore që dalin prej metaforave biblike; atëherë shohim se si ato janë të vlefshme për edhe për ne.
Ne kemi nevojë për siguri, orientim, ushqim, paqe. Zoti na i falë këto kushte të nevojshme, madje të domosdoshme me një jetë të denjë e të lumtur.
Kjo udhëheqje, këto udhëzime të Jezusit na transmetohet konkretisht përmes Kishës. Në gjirin e Kishës secili merr dhuratën e orientimit, të paqes, të ushqimit tonë të nevojshëm. E me siguri nuk janë dhurata që ipeshkvijtë e meshtarët na japin. Jo, të gjithë ne jemi në gjendje e kemi mundësi t’ua dhurojmë tjerëve e t’i ndajmë bashkë me të tjerët si vëllezër e motra. 

                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Jer 23, 1-6)

Do ta bashkoj tepricën e grigjës sime, do t’u caktoj barinj

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

“Vaj për barinjtë që e lënë të sharrojë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime”, thotë Zoti. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit, për barinjtë që e kullotin popullin tim: Ju e tretët grigjën time; i shpërndatë delet e mia e nuk u kujdesuat për to. Ja, pra, unë vetë do të merrem me ju: do ta ndëshkoj sjelljen tuaj të keqe! - është fjala e Zotit!

Po, unë vetë do ta bashkoj tepricën e grigjës sime nga të gjitha vendet, ku i pata flakur, e do t’i kthej në kullotat e tyre: do të sillen mbarë e do të shumohen. Unë vetë do t’u caktoj barinj që do t’i kullotin; më s’do të kenë frikë as nuk do të tremben, asnjë kokërr nuk do të mungojë - është fjala e Zotit. Ja, po vijnë ditët - është fjala e Zotit – kur do t’ia ngris Davidit pinjollin e drejtë, që do të mbretërojë si mbret i vërtetë dhe do të jetë i urtë e do të ushtrojë në vend të drejtën e drejtësinë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Izraeli do të jetojë në paqe. Ja emri me të cilin do ta quajnë: ‘Zoti ynë – drejtësia jonë!” Fjala e Zotit!

Psalmi (23)                    

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

në saje të dashurisë së Emrit të vet.

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

Ti ma shtron tryezën përpara

Ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen,

gotën ma mbush plot e përplot.

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit

derisa të jem gjallë.

Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon

 

Leximi i dytë (Ef 2, 13-18)

Krishti është paqja jonë: Ai që prej dy popujve bëri një

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, tani, në Jezu Krishtin, ju që ishit larg, erdhët ngjat, në saje të gjakut të Krishtit. Përnjëmend Ai është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një, e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë, në trupin e vet. Ai e shfuqizoi ligjin e urdhërimeve me të gjitha rregulloret, me qëllim që prej dyve, paganëve e hebrenjve, të trajtonte në vetvete një njeri të ri, e duke vendosur paqen, të dy t’i pajtonte në një trup me Hyjin me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë. E prandaj erdhi t’ju kumtojë paqen juve që ishit larg, paqen edhe atyre që ishin ngjat. Në saje të tij, pra, si njëra palë ashtu edhe tjetra, kemi të drejtë të dalim para Atit në fuqi të të njëjtit Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit

Aleluja!

Dhentë e mia e dëgjojnë zërin tim, thotë Zoti;

unë i njoh dhe ato vijnë pas meje.

Aleluja!

Ungjilli (Mk 6, 30-34)

Ishin porsi dhentë pa bari

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi.” Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. Porse njerëzit i panë në çfarë drejtimi u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimben, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra. Fjala e Zotit.

Programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit, mund ta dëgjoni edhe këtu.............. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.