2015-07-17 13:17:00

Kubë: paraqitet logoja e vizitës së Papës në Holguín


Një mitër e stilizuar, me elemente simbolike të qytetit të Holguín: kjo, logoja e vizitës së Papës Françesku në dioqezën kubane, parashikuar për 21 shtatorin e ardhshëm. E paraqiti ipeshkvi vendas, imzot Emilio Aranguren Echevarria, gjatë një takimi me shtypin. Brenda mitrës së stilizuar, shpjegoi prelati, vërehen tre nivele: deti, qyteti e malet, elemente gjeografike të zonës. Lart, mbi malet, lartohet kryqi, simbol i ungjillëzimit; ndërsa në qendër shikojmë një kaktus, ose “tunas”, tipik në këtë zonë, nga i cili e merr emrin edhe një pjesë e dioqezës.

Motoja e vizitës: “Misionar i mëshirës”

Ndërsa ndërtesat, kishat e shtëpitë misionare, vijon imzot Aranguren, simbolizojnë në mënyrë abstrakte qytetin e provincës dhe vendet, ku jeton populli kuban, ndërsa relievet në sfond, të kujtojnë vargmalet e Holguín. Poshtë, në qendër të mitrës, shkruhet: “Papa Francisco en la diocesis de Holguín”, që do të shoqërohet nga motoja e vizitës papnore, domethënë nga shprehja “Misionar i mëshirës”.

Kujtimi i Zojës së Dashurisë të Kobres

Njëkohësisht, arkitektja Ana Luisa Salceda Hernández, anëtare e Komitetit organizator të vizitës papnore, paraqiti një projekt të amvonës, që Papa Françesku do ta përdorë gjatë Meshës në Sheshin e Revolucionit: është një vizatim tejet i thjeshtë. Të kujton valët e detit, që rrethojnë Kubën. Përballë duket profili i Zojës së Dashurisë së Kobres, një shtatore e vogël, rreth 60 centimetra, që u gjet në ujërat e Bahía de Nipe, në vitin 1612, nga tre peshkatarë të përvuajtur.

Vizitë e shkurtër, por e ngarkuar me ngjarje

E shkurtër, por e ngarkuar me ngjarje, vizita e Papës Françesku në Holguín do të ketë tre çaste kryesore: në orën 10.30, kremtimi i Meshës Shenjte në Sheshin e Revolucionit, pasuar, në orën 15.45, nga bekimi i qytetit të Loma de la Cruz. Për t’u kujtuar edhe se, para Holguín-it, më 20 shtator, Papa do të vizitojë Havanën; më 22 do të jetë në Santiago, për t’u nisur, pastaj, drejt SHBA-ve, ku do të jetë nga 23 deri më 27 shtator. 








All the contents on this site are copyrighted ©.