Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Bota \ Aktualiteti ndërkombëtar

Marrëveshje BE- Greqi: reformat menjëherë e një fond si garanci

Kryeministri grek Tsipras flet me shtypin pas mbledhjes së Eurogrupit - AP

13/07/2015 14:19

Marrëveshje BE- Athinë për të shpëtuar Greqinë: menjëherë reformat dhe fondin si grek, si garanci për borxhin. Pas një dite e një nate intesive, ulur në tryezën e bisedimeve, krerët e Bashkimit Evropian arritën marrëveshjen për Greqinë, por deshën më shumë garanci se më parë, duke i imponuar popullit grek masa më të ashpra se ato, që ishin parashikuar para referendumit. Brukseli nuk dëshiron më t’i besojë Athinës.

 Për shembull, kthehet Trojka për të kontrolluar zbatimin e reformave, ndërsa para referendumit, qeveria Tsipras ishte marrë vesh që takimet të zhvilloheshin vetëm në Bruksel. Pastaj, janë parashikuar sërish pushime kolektive nga puna. Pika qendrore e marrëveshjes: miratimi në kohë rekord, brenda së mërkurës, i paketës së parë të reformave, ndër të cilat rritja e TVSH-së dhe zhdukja e pensioneve në moshë të hershme (55 vjeç për Greqinë). Ka edhe një kafshatë, që s’kapërdihet lehtë: një fond grek, si garanci për borxhin. Fjala është për një lloj hipoteke mbi pasuritë kulturore dhe ishujt. E kjo ishte pak si tepër për Italinë e Francën, që arritën “ta ulin” këtë fond deri në 50 miliard euro, të cilat duhet të derdhen jo menjëherë, por gjatë tre vjetëve e, jo në Luksemburg, siç qe kërkesa, por në Athinë.

Gjithçka, për të mundësuar të ashtuquajturin “shpëtim të tretë” të Greqisë, pra dhënien e 80-86 miliard eurove, prej të cilave, 25 do t’u shkojnë menjëherë bankave greke, të mbyllura prej ditësh. Parashikohet një borxh-urë prej 7 miliard eurosh brenda 20 korrikut dhe 5 miliard të tjerë brenda gjysmës së gushtit, për të siguruar kështu pagimin e kësteve të borxhit grek, që skadojnë më 20 korrik, por Eurogrupi nuk ka ndërmend t’ia falë as edhe një pjesë të borxhit Greqisë, e cila e ka fryrë atë deri në 177% të Prodhimit të Brendshëm Brut. Pra, edhe nëse ajo e përdor krejt Prodhimin e Brendshëm për të paguar borxhin, do të shlyente vetëm pak më shumë se gjysmën e tij.

 E megjithatë, marrëveshja “lot e gjak” për Greqinë, u pëlqen bursave, të cilat sot regjistrojnë, të gjitha, vlera pozitive. I kërkuam drejtorit të Shkollës së Politikës Ekonomike Evropiane të Universitetit “Luiss” në Romë, Francesco Saraceno, ç’mendon për këtë marrëveshje, më të disfavorshme se ajo para referendumit:

Ashtu është! Marrëveshje e pashmangshme, po të marrim parasysh prapambetjen politike të vendimit të Tsipras për të organizuar referendumin. Tsipras përfaqëson një qeveri dhe një elitë politike, e cila nuk është e vetëdijshme për ndikimin që ka ndërvarja ndërmjet shteteve brenda zonës monetare të euros. Me atë referendum krijoi një hendek të pakalueshëm. Marrëveshja që iu imponua Tsipras tregon qartë se askush nuk ka më besim tek ai, as francezët… Pasoja e mundshme e këtij – të themi – imponimi të jashtëzakonshëm e pa precedent është kriza e qeverisë Tsipras dhe formimi i një qeverie të bashkimit kombëtar në Greqi. Duhet parë nëse kjo do të mjaftojë për të qetësuar 18 vendet e tjera të Eurozonës. Nuk e di nëse Greqia do të arrijë të dalë nga gjendja e krijuar, por sigurisht, duhet reformuar Eurozona, sepse nuk mund të shkojmë përpara me diktatin e vendeve të veriut dhe me, ta quajmë “dinakërinë” e vendeve të jugut. Duhet shkuar drejt një konvente a një konference - e cila, sipas meje, duhet organizuar në Romë – që të formohet vërtet një Eurozonë me karakter politik.

13/07/2015 14:19