2015-07-13 14:41:00

Lombardi: mirëpritet mesazhi i Papës: bota mund të ndryshohet


Shtegtim absolutisht pozitiv, me një mesazh shpresash të mëdha për popullin latinoamerikan: është ky bilanci, që skicon atë Federico Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, duke folur  për vizitën e Françeskut në Ekuador, Bolivi e Paraguái.  Ta dëgjojmë reflektimin e tij në mikrofonin e së dërguarës sonë në Paraguái, Linda Bordoni:

Përgjigje: - Vërtet Papa Françesku, duke ardhur në Amerikën Latine, u prit në mënyrë të jashtëzakonshme. E pamë që në hapin e parë, gjatë gjithë rrugëve. Nisi që nga mbrëmja e parë, kjo valë njerëzish, valë vëmendjeje e pranie popullore, e vijoi gjatë gjithë shtegtimit. Për t’u kujtuar, pastaj, çastet e mëdha, takimet në meshët, në kremtimet, me praninë e qindra-mijëra vetëve, madje  nganjëherë më se një milion. Turma pa fund, pra, e rrethuan Papën kudo që kaloi, kudo që kremtoi. E ky më duket aspekti i parë interesant, prekës i këtij shtegtimi, përgjigjja e popujve, që vizitoi Papa. Françesku u ndoq në çdo hap me vëmendje, me dashuri, me dëshirë për t’i dëgjuar thirrjet e tij, për ta pasur pranë, për t’i mirëpritur mesazhet, fjalët, gjestet, parë si inkurajim, si orientim, si burim shprese e besimi për të ardhmen. Fjalë, për të cilat këta popuj kishin vërtet nevojë. Janë popuj, që jetojnë një çast delikat të historisë së tyre: çast kalimi në një situatë përgjithësisht më të mirë se ajo, që jetuan në të kaluarën, edhe në këndvështrimin e formave të qeverive, që kanë pasur. Megjithëkëtë, problemet e rënda, të trashëguara nga e kaluara, nuk janë zgjidhur akoma plotësisht. Ka ende shumë varfëri, padrejtësi, përjashtim të njerëzve nga radhët e shoqërisë, vështirësi për integrimin e grupeve të ndryshme në shoqëri, sepse janë në kushte inferioriteti, për një mori arsyesh. Ja pra, e gjithë kjo u jetua me një frymë jashtëzakonisht pozitive. Papa pati aftësinë t’u përcillte të gjithëve një mesazh optimist, t’i inkurajonte këta popuj, që po ecin në udhë të reja e t’u tregonte se Kisha, me përvujtëri e me shumë, shumë dashuri, është pranë tyre, merr pjesë  - e nuk është e shkëputur - në fatin e tyre. Kisha është gjithnjë solidare me këta popuj, thellësisht pranë e mund t’i inkurajojë, t’i frymëzojë në udhën e tyre. Ungjilli, pikërisht Ungjilli i Jezu Krishtit, si lajm i mirë dashurie, përdëllimi, mëshire e gëzimi, ndërton e ndihmon për të ndërtuar një shoqëri e një botë, në të cilën njerëzit takohen, duhen, mbështeten, e këtë e bëjnë pa kurrfarë interesi, me synimin e vetëm për t’i ndryshuar situatat, kriteret, parimet. E bëjnë për të ndërtuar një jetë të re, që nuk ka në qendër të vëmendjes interesat ekonomike e politike të një grushti njerëzish, por të mirën e përgjithshme e të mirën e çdo njeriu, dinjitetin e tij. Atëherë, si mund të bëhet ky revolucion, ky ndryshim? Papa Françesku i ndihmoi shumë njerëzit, që të kuptojnë e të ecin në rrugë të drejtë, duke u nisur nga fryma e krishterë, të cilën duhet ta jetojnë, pastaj, në jetën e përditshme. Prej këndej, fjalët e Papës u pritën me shumë gëzim e kënaqësi nga gjithë njerëzit, që mundën ta takojnë Atin e Shenjtë.

Pyetje - Cili është filli i kuq, që lidhi Ekuadorin, Bolivinë e Paraguáin, sipas jush?

Përgjigje: - Tema e këtij shtegtimi ishte gëzimi i kumtimit të Ungjillit, e kjo vlente për të tre vendet: ishte, pra, pikërisht fryma e kësaj papnie, që u ndje fort gjatë kalimit të Françeskut nëpër tre vendet e Kontinentit latinoamerikan. Françesku kumton Ungjillin, e kumton pa e shkëputur për asnjë çast nga realiteti i botës. Papa është në gjendje ta gjallërojë angazhimin e Kishës e të frymëzojë edhe angazhimin e të gjithë njerëzve vullnetmirë, të cilët i kanë veshët e hapur për ta dëgjuar e për ta bërë të vetin mesazhin e këtij Pape, që ndiqet me vëmendje të madhe edhe jashtë kufijve të Kishës.

Pyetje: - Papa duhet të jetë paksa i lodhur, por edhe jashtëzakonisht i kënaqur, besoj…..

Përgjigje: - Sigurisht që Papa e mbarti lodhjen e këtij shtegtimi me një forcë, me një guxim, por edhe me një natyrshmëri të jashtëzakonshme. Ne jemi mësuar - të themi të drejtën - ta shikojmë Papën gjithnjë energjik, gjithnjë me sjellje pozitive, gjithnjë në gjendje për të përballuar veprimtari të jashtëzakonshme e me ngarkesë të madhe – edhe pse në moshë – e për t’i çuar deri në fund me guxim punët, që duhen bërë. E kjo, sepse e vë gjithë vetveten, në atë që thotë. E vë gjithë vetveten, në takimin me njerëzit. E këtu mund të flitet për ditë e ditë të kaluara plot vëmendje ndaj të sëmurëve, varfanjakëve të rrugës, që  kanë diçka për të thënë e kërkojnë dikë, që t’i dëgjojë. .. E pastaj duhen kujtuar çastet e kremtimeve aq prekëse, si ai i Shenjtërores së Caacupé-së, çast, të cilin Papa e jetoi me devocion të madh, së bashku me popullin që këtu, në Paraguái, është shumë i lidhur shpirtërisht me Nënën e Zotit. Kështu mund të themi se çdo çast i Papës në këto vende ishte plot. Asnjë çast i zbrazët. Asnjë pa angazhime. Histori, që duhet treguar minutë për minutë, sepse plot me hirin e Zotit, i cili e ndihmon Papën. Hir i veçantë, që Zoti ia dha, pikërisht në sa i jepte edhe këtë detyrë: i dha detyrën e  edhe ndihmën e nevojshme për ta kryer si duhet. E këtë e tregoi edhe një herë ky shtegtim i jashtëzakonshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.