2015-07-13 19:35:00

Papa: rinia e Amerikës Latine, mësim për Evropën e vjetër


Biseda e zakonshme e Papës me gazetarët gjatë kthimit në Romë, zgjati një orë. Të shumta, pyetjet. Lidhur me situatën në Greqi, Papa tha: “Do të ishte e thjeshtë të pohoje: fajin e ka kjo palë. Qeveritarët grekë, që e  vijuan këtë situatë të borxhit ndërkombëtar, kanë edhe përgjegjësi. Me qeverinë e re greke është ecur kah një rishikim paksa më i drejtë e unë uroj të gjindet rruga për ta zgjidhur problemin grek e edhe rruga e mbikqyrjes, që të mos bien edhe vendet e tjera në të njëjtën situatë, e kjo t’i ndihmojë të ecin përpara, sepse udha e huave dhe e borxheve nuk mbaron kurrë”.

Kisha – tha - nuk mund të jetë indiferente përballë varfërisë së shumë njerëzve. Kisha ka një doktrinë shoqërore e dialogon me lëvizjet popullore, që organizohen jo vetëm për të protestuar, por sidomos, për të shkuar përpara, për të mundur të jetojnë. E janë lëvizje, që kanë forcë, e këta njerëz, që janë shumë, shumë, nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar nga sindikatat, sepse thuhet që sindikatat tani janë korporatë, nuk luftojnë. Tani jam duke e thjeshtuar paksa çështjen. Por ideja është se nuk luftojnë më për të drejtat e të varfërve.

Një gazetar e pyeti Papën çka mendon lidhur me faktin se padia kundër sistemit ekonomik global, që shpesh imponon mendësinë e fitimit me çdo kusht, në dëm të të varfërve, u perceptua nga SHBA-të si kritikë e drejtpërdrejtë ndaj sistemit e edhe mënyrës së tyre të jetesës. Papa Françesku u gjegj, duke kujtuar atë, që ka thënë në Evangelii Gaudium: “Kjo ekonomi vret! Fjalë, që është e radhitur në një kontekst të caktuar”. “Kam dëgjuar, tha, se disa kritika janë bërë në SHBA. Po nuk i kam lexuar. Nuk kam pasur kohë t’i studioj mirë, sepse çdo kritikë duhet studiuar plotësisht, para se të nisësh të dialogosh”.

U pyet, më pas, ç’provoi kur pa dhuratën e presidentit Morales, kryqin në formë drapri e çekani, kopje e një kryqi tjetër, realizuar nga atë Espinal, meshtar jezuit, vrarë në vitin 1980, gjatë diktaturës. Papa u përgjigj se nuk e dinte që Espinal paska qenë edhe skulptor e madje edhe poet. Për të, kjo ishte diçka e papritur. “Mund ta cilësoj si lloj i artit të protestës”, kujtoi. Për shembull, në Buenos Aires, disa vjet më parë, u hap një ekspozitë e një skulptori të mirë, krijues, argjentinas. (...). Kishte ekspozuar një art proteste, e mua më kujtohet posaçërisht një Krisht i kryqëzuar që lëshohej nga një avion bombardues.  Pika  e parë, nuk e dija; e dyta, e klasifikoj në llojin a artit të protestës, që në disa raste mund të kalojë edhe në fyerje, në disa raste. Së treti, në rastin konkret, atë Espinal u pushkatua në vitin 1980. Ishte koha kur teologjia e çlirimit kishte rryma të ndryshme, e një prej tyre i bënte analizë marksiste realitetit. Atë Espinal i përkiste kësaj rryme. Kujtoj edhe se eprori i Shoqërisë së Jezuitëve, atë Arrupe, i shkroi një letër gjithë shoqërisë, lidhur me analizën marksiste të realitetit në teologji, duke u ndaluar pikërisht në të e duke i dhënë përgjigjen “Nuk shkon!”. Janë gjëra të ndryshme! Nuk shkon! Nuk është e drejtë! E, katër vjet më pas, në vitin 1984, Kongregata për Doktrinën e Fesë botoi një vëllim të vogël, deklarata e parë për teologjinë e çlirimit, që e kritikonte këtë. Të bëjmë hermeneutikën e asaj epoke. Espinal është entuziazt i kësaj analize marksiste të realitetit, por edhe i teologjisë, duke përdorur marksizmin. Prej këndej doli kjo vepër. Edhe poezitë e Espinal janë të këtij lloji. Poezi proteste, po kjo ishte jeta e tij, ishte mendimi i tij. Ai ishte njeri i posaçëm, njeri gjenial, që luftonte, me besimin se ishte me të drejtën. Duke e bërë hermeneutikën e llojit, unë  e kuptoj këtë vepër. Për mua nuk ishte fyerje, as mësymje. Por m’u desh të përdor këtë hermeneutikë, këtë metodë interpretimi, e po jua them edhe juve, që të mos krijoni opinione të gabuara.

Një gazetare i kërkoi të shpjegonte më qartë atë që tha në Meshën e Guayaquil lidhur me Sinodin, i cili duhet të gjykojë thellë, për të gjetur rrugëzgjidhje konkrete lidhur me vështirësitë e familjeve.

Papa u kërkoi njerëzve të luten, sepse çka ne mund të na duket e papastër, çka na shkandullon ose na tremb, Zoti mund ta shndërrojë në mrekulli.

“Edhe këtu, u përgjegj Papa, po bëj hermeneutikën e tekstit. Po flisja për mrekullinë verës së mirë, e thashë se shtambat e ujit ishin plot, por ishin për pastrim. Çdo njeri, që hynte, duhet të pastrohej, duke lënë aty ndyrësitë e veta shpirtërore. Është riti i pastrimit para se të hysh në një shtëpi, ose në një tempull. Një rit, që ne tani e bëjmë me ujin e bekuar: e ky mbeti nga riti hebraik. Thashë edhe se Jezusi bën verë të mirë me ujin e ndyrësive, më të keqin. Mendova këtë koment; familja është në krizë, e dimë të gjithë, mjafton të lexosh Instrumentum laboris, që ju e njihni mirë.... Kujtoja pikërisht këtë: që Zoti të na pastrojë nga këto kriza, nga shumë gjëra, që shkruhen në Instrumentum laboris. Kështu ishte e nuk mendova asnjë gjë të veçantë: që të na bëjë më të mirë, të na bëjë familje më të pjekura... më të mira. Familja është në krizë, e unë lutem që Zoti të na pastrojë e të shkojmë kështu përpara.

Mbi rolin, që pati në afrimin ndërmjet Kubës e SHBA-ve, pohoi qartë: nuk ishte ndërmjetësim, ishte dëshirë, ndërhyrje, por jo me karakterin e ndërmjetësimit. Ishte vullneti i mirë i të dyja vendeve; merita është e tyrja, janë ata vetë, që e bënë. Ne nuk bëmë pothuajse asgjë,  gjëra fare të vogla.

Lidhur me qëndresën fizike përballë gjithë kësaj lodhjeje, tha: “Mate më ndihmon, po nuk e kam shijuar kokën. Kjo është e qartë, apo jo?”.

Pyetjes për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kubë, iu përgjigj: “Të drejtat njerëzore janë për të gjithë, e nuk respektohen vetëm në një a dy vende. Unë them se në shumë vende të botës të drejtat e njeriut nuk respektohen. Madje edhe në ndonjë vend evropian, që nuk të lë të bësh shenjën fetare”.

Përsa i përket mundësisë së keqinterpretimit të fjalëve të tij, tha: “Çdo fjalë, çdo frazë e fjalimit mund të keqinterpretohet. Duke folur për të njëjtën frazë, disa thoshin se ishte pro-qeverisë, të tjerët, kundra qeverisë. Prandaj po flas për hermeneutikë të përgjithshme. Keqintepretimi, manipulimi, është gjithnjë i mundshëm. Ndonjë herë vijnë lajme, që e marrin një frazë të shkëputur nga konteksti. Po unë nuk kam frikë. Them vetëm: “Shikojeni kontekstin! Po të gaboj, me pakëz turp, kërkoj falje e shkoj përpara”.

Për mesazhin, që deshi t’i japë Kishës latinoamerikane këto ditë e për rolin, që mund të ketë Kisha latinoamerikane, tha: “Kisha latinoamerikane ka një pasuri të madhe: është kishë e re, e kjo ka shumë rëndësi. Kishë e re, me një farë freskie, edhe me disa informalitete; e besoj se kjo Kishë mund të na japë shumë ne të gjithëve. Po kujtoj diçka, që më preku tepër. Në të trija vendet, në të trija, pashë rrugëve etër e nëna me fëmijët tyre: i kishin marrë me vete fëmijët, që t’i shikoja. S’kam parë kurrë aq shumë fëmijë.

Populli, e edhe Kisha, është kështu – gjë që shërben si mësim i çmuar për ne, për Evropën, ku rënia e ndjeshme e lindjeve të tremb sadopak. E edhe politikat për të ndihmuar familjet me shumë fëmijë janë të pakta. Mendoj për Francën, që e ka një politikë të bukur për të ndihmuar familjet e mëdha, e ka arritur kështu afër 2%, të tjerët janë afër  0%, ndonëse jo të gjithë. Besoj se në Shqipëri 45 %, ndërsa në Paraguai 70% e popullsisë përbëhet nga njerëz 40 vjeç e poshtë. Pasuri e këtij populli, e kësaj Kishe:  Kishë e gjallë. Kjo është pasuri jete! Mendoj se duhet të mësojmë nga kjo e të korrigjohemi, sepse përndryshe, nëse nuk vijnë fëmijët...është pikërisht kjo, që më prek, kur flas për hedhurinat, për të përjashtuarit: përjashtohen pleqtë, përjashtohen fëmijët. E, me mungesën e punës, përjashtohen edhe të rinjtë. Prej këndej, popujt e rinj na japin më shumë forcë. Për Kishën, që do ta quaja Kishë e re, edhe pse me shumë probleme, sepse problemet nuk i mungojnë, besoj se ky është mesazhi: të mos ketë frikë për këtë rini e për këtë freski të Kishës. Mund të jetë dhe Kishë paksi e padisiplinuar, por me kohë do të disiplinohet e do të na japë shumë  të mira.








All the contents on this site are copyrighted ©.