2015-07-11 19:12:00

Mesha në Shenjtëroren e Caacupé: Maria është nënë gjithnjë pranë bijve


Një popull i mbledhur tek këmbët e Marisë. Kjo është figura emblematike e kremtimit eukaristik, kryesuar nga Papa Françesku në Shenjtëroren e Caacupè. Si Maria, kujtoi Ati i Shenjtë, gratë e Paraguáit ditën të reagojnë plot shpresë në çastet më të vështira.

Maria - pohoi Papa - është “nënë, që mësoi të dëgjojë e të jetojë mes vështirësish së shumta”. Duke rikujtuar jetën e saj, përplot me çaste të vështira, si lindja e Jezusit në një stallë, ikja në Egjipt dhe vdekja e të Birit mbi kryq, e ndjejmë  se ajo na kupton:

“Su vida, es testimonio de que Dios…

Jeta e saj provon se Zoti nuk të zhgënjen, se Hyji nuk e braktis Popullin e vet, edhe pse ka çaste e situata kur të duket se hesht, madje, se nuk është fare i pranishëm”.

Maria është gjithnjë pranë bijve të saj

Maria, siç kuptohet edhe në Shenjtëroren e Caacupé-së, që e ruan me xhelozi kujtesën e një populli, ka qenë gjithnjë përkrah bijve të saj, në shumë çaste të vështira:

“Ha estado y está…

Ishte e do të mbetet në spitalet tona, në shkollat tona, në shtëpitë tona. Ishte e do të mbetet me ne në punë e në udhë. Ishte e do të mbetet në krye të sofrës, në shtëpitë tona. Ishte e do të mbetet në formimin e Atdheut, duke bërë nga ne, një Komb. Gjithnjë me një prani të matur, të kujdesshme, të heshtur. Duke na shikuar nga një shtatore. Nga një figure. Nga një medalion. Nën shenjën e rruzares. E duke na kujtuar se nuk jemi kurrë vetëm. Ajo është! Ajo është pranë nesh!”.

Gratë e bënë vendin të rilindë

Si Maria, edhe gratë e nënat paraguaiane jetuan në situata shumë, tepër të vështira që, sipas logjikës së zakonshme, do t’i kundërviheshin çdo tipi të fesë. Ashtu si Maria, të nxitura e të ndihmuara prej shembullit të saj,  vijuan të besojnë, duke  shpresuar, në kundërshtim me çdo shpresë”(Rom 4,18). E, duke iu drejtuar pikërisht grave paraguaiane, Papa tha:

“Con gran valor y abnegación…

Me guxim të madh e vetëmohim, ditët ta ngreni përsëri në këmbë një vend të rrënuar, të shembur, të kthyer në gërmadhë nga lufta. Ju keni kujtesën, trashëgiminë gjenetike të atyre, që e rindërtuan jetën, fenë, dinjitetin e Popullit tuaj”.

Zoti e bekoftë gruan paraguaiane

Kur gjithçka dukej sikur do të shembej, shtoi Ati i Shenjtë, gratë paraguaiane e gjetën në fe forcën për të mos e lënë këtë tokë të përfundojë në kaos:

“Dios benedica este tesón…

Zoti e bekoftë këtë guxim! Zoti e bekoftë dhe e forcoftë fenë tuaj. Zoti e bekoftë gruan paraguaiane, më të lavdishmen në Amerikë”

Nuk duhet të humbasin rrënjët dhe dëshmitë e fesë

Fjalët që i tha Engjëlli e që i dëgjoi Maria: “Gëzohu,… Zoti është me ty”, janë thirrje për popullin paraguaian, që të mos e humbasë kujtesën:

“Les raíces, los muchos testimonios…

Rrënjët, dëshmitë e shumta që keni marrë nga njerëz besimtarë janë vënë në rrezik nga luftërat. Nuk duhet humbur kurrë kujtesa, nuk duhen humbur rrënjët, dëshmitë. Duhet mbartur nga breznia në brezni  një fe, që u bë jetë; një jetë, që u bë shpresë; një shpresë, që të nxit për të prirë në dashuri. Po, ashtu si Jezusi, duhet të prini në dashuri. Jeni ju mbartësit e kësaj feje, të kësaj jete, të kësaj shprese, jeni ju ndërtuesit e kësaj së sotme e të nesërme paraguaiane”.








All the contents on this site are copyrighted ©.