2015-07-10 15:42:00

Françesku, rregulltarëve: dëshmitarë të mëshirës, jo të ideologjisë


Përshpirtëria “hidh këndej e prit andej”, një lloj “zapping”, u vu në shënjestër nga Papa Françesku gjatë takimit me rregulltarët bolivianë në shkollën e salezianëve “Coliseo Don Bosco” në Santa Cruz. Duke lënë mënjanë letrat e përgatitura, Ati i Shenjtë kritikoi ata njerëz të Kishës që “kalojnë, rikthehen, por nuk ndalen, shkojnë pas risisë së fundit”, pa arritur të krijojnë edhe një kontakt të vetëm me njerëzit.

Të krishterët indiferentë para dhimbjes

Është Ungjilli që e frymëzon Papën e, pikërisht, pjesa ku Bartimeu, lypës i verbër, e kupton se po kalon Jezusi dhe e thërret. Sa njerëz, vuri në dukje Françesku, kishin kaluar para tij e as që e kishin kthyer kokën. Këta janë si të krishterët me zemër të blinduar, të mbyllur. Nuk i habit më asgjë, prandaj janë të paaftë të impenjohen për t’i ndryshuar gjërat. Është “përshpirtëria e zapping”, tha Papa: "Të kalosh pa e dëgjuar dhimbjen e njerëzve, pa u rrënjosur në jetën e tyre, në tokën e tyre, është si ta dëgjosh Fjalën e Zotit pa e lënë të shtrijë rrënjët brenda nesh e të bëhet pjellore. Një pemë, një histori pa rrënjë, është jetë e thatë”.

Të krishterët, që e dinë veten të zgjedhur

E Papa kujtoi sjelljen tjetër, që karakterizon pjesën ungjillore të Bartimeut: atë të njerëzve, që i thoshin të heshtë, ta mbyllë gojën. Është qëndrimi i atyre që vetëm e kritikojnë Popullin e Zotit, që nuk i durojnë fëmijët në meshë, sepse qajnë, a thua se, theksoi me forcë Ati i Shenjtë, lotët e një fëmije nuk janë “lutje sublime”: "Është drama e e ndërgjegjes së izoluar, e atyre që mendojnë se jeta e Jezusit është vetëm për më të përshtatshmit, por këta e përçmojnë thellësisht popullin besnik të Zotit. …nuk janë më barinj, janë kapitenë… të larguar jo vetëm nga thirrja e lotët e njerëzve të tyre, por sidomos nga arsyet e gëzimit. Të qeshësh me kë qesh, të qash me kë qan, ja një pjesë e shërbimit të zemrës meshtarake e të zemrës së rregulltarit”.

Nuk ekziston mëshirë hyjnore, që nuk ndalet, nuk dëgjon e nuk solidarizohet

 Duke shkaktuar të qeshura ndër të pranishmit, Papa tregoi se si një herë, në shenjtëroren e Zotit të mrekullive, shkoi me një prift, që e mënjaëi katër herë një plakë të shkretë, që i kërkonte bekimin. Së fundi, gruaja e moshuar iu drejtua Bergoljos për bekimin, ndërsa prifti në fjalë shkoi me një shokun e vet, duke i kthyer shpinën gruas. Këta e largojnë Popullin e Zotit, nënvizoi Ati i Shenjtë:  Nuk ekziston mëshirë hyjnore, që nuk ndalet, nuk dëgjon e nuk solidarizohet me tjetrin… Mëshira nuk është ‘zapping’, nuk është heshtim i dhimbjes, përkundrazi, është logjika e brendshme e dashurisë”.

Nuk jemi dëshmitarë të një ideologjie

Pastaj Jezusit i jep guxim Bartimeut të çohet, të ecë përpara. Kjo është pedagogjia e Krishtit, u tha Papa rregulltarëve, duke i këshilluar: Ne nuk jemi dëshmitarë të një ideologjie apo të një recete, të ndonjë mënyre për të bërë teologji. Jemi dëshmitarë të dashurisë shëlbuese e të mëshirshme të Jezusit, jemi dëshmitarë mirënjohës për mëshirën hyjnore. E jo sepse jemi më të mirë, jo sepse jemi funksionarë të Zotit, por vetëm se jemi dëshmitarë të asaj mëshire”.

 E katër dëshmitë, që dëgjoi Papa në fillim të meshës, duket sikur i miratojnë katërcipërisht këto fjalë, sidomos dëshmia e murgeshës, që citoi shën Augustinin: “këndo dhe ec”. Edhe Ati i Shenjtë u kërkoi njerëzve të Kishës të këndojnë e të ecin, siç thoshte shenjti i madh, e të luten shumë, sidomos për vetë Papën. Si gjithnjë e mbylli me frazën e njohur: “Kam nevojë për këtë!"








All the contents on this site are copyrighted ©.