Papa Françesku hyri në Amerikën Latine përmes portës së mëshirës: etapa e parë e vërtetë e këtij shtegtimi, pas ceremonisë së mirëseardhjes, dje, në Quito, ishte vizita në Shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore të Guayaquil, që i parapriu Meshës. Ndërtesë mahnitëse, përuruar në vitin 2013, ku Papën e priti një turmë në festë. Ati i Shenjtë u gjunjëzua për disa çaste në lutje. Pastaj i ftoi edhe të pranishmit t’i luten Virgjërës Mari. E në përfundim, shqiptoi këto fjalë:
“Tani po shkoj të kremtoj Meshën. Po ju marr të gjithëve me vete, në zemër. Do të lutem për secilin prej jush. E do t’i them Zotit: ‘Ti ua di emrat atyre, që ishin atje’. Do t’i kërkoj Jezusit për secilin prej jush, shumë mëshirë; që t’ju mbulojë me mëshirën e Tij e të ketë kujdes për secilin nga ju. E edhe Virgjërës Mari, e cila është gjithnjë pranë Tij. E tani, para se të shkoj, sepse ky ishte vetëm një kalim para Meshës, e ipeshkvi po më thotë se koha vrapon…po ju jap bekimin … e nuk po ju kërkoj të më jepni gjë (të pranishmit qeshin). Gjithsesi një gjë po jua kërkoj: ju lutem, ta thoni një uratë për mua. Ma premtoni?(përgjigja është: ‘po’).
Pas bekimit, Papa i falënderoi të pranishmit për dëshminë e tyre të krishterë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |