2015-07-07 11:32:00

Guayaquil. Një milion besimtarë në Meshën e Papës: të rikthehet gëzimi i familjes


Më se një milion besimtarë morën pjesë në Meshën, kryesuar nga Papa në Parkun de Los Samanes të Guayaquil-it, në Ekuador, në brigjet e Oqeanit Paqësor. Ishte një manifestim vigan i shumëngjyrshëm, shprehje e jashtëzakonshme dashurie për Papën argjentinas, ditën e dytë të shtegtimit të tij apostolik në Amerikën Latine. Në qendër të vëmendjes, homelia, një meditim i thellë mbi familjen, duke u nisur nga Ungjilli i Dasmës së Kanës, propozuar nga liturgjia.

Vuajtja e familjes

Festë e madhe, kjo e Guayaquil-it, përplot me entuziazmin e besimtarëve: një turmë oqeanike, në brigjet e Oqeanit. Në homeli Papa u bëri realiteteve të shumta familjare, të plagosura rëndë, thirrjen plot besim e shpresë: rikthimi i gëzimit në familje është plotësisht i mundshëm, me ndihmën e Marisë. E tregon vetë Dasma e Kanës, ku nis të mungojë vera, simbol i gëzimit dhe  i dashurisë:

“Sa nga adoleshentët e të rinjtë tanë e ndjejnë se në shtëpitë e tyre prej kohe nuk ka më nga kjo verë! Sa gra të vetmuara, plot me trishtim, pyesin veten sa dashuri është shuar, sa dashuri është zhdukur nga jeta e tyre! Sa pleq e ndjejnë veten të lënë e të harruar, jashtë festës së familjeve të tyre, të flakur në një kënd e tashmë pa ushqimin e dashurisë, që e mban jetën gjallë: pa bij, pa nipa, pa stërnipa e stërmbesa. Mungesa e verës mund të jetë pasojë edhe e mungesës së punës, pasojë e sëmundjeve, e situatave problematike, që kalojnë familjet tona në të gjithë botën".

T’i lëshojmë familjet tona në dorë të Zotit

Maria i ndjek me vëmendje e dashuri të gjitha këto situata: është plot merak, i drejtohet me besim Jezusit e i lutet të bëjë mrekulli. Kështu Maria përshpejton “orën e Zotit”:

“Ajo na mëson t’i lëshojmë familjet tona në dorën e Zotit; na mëson të lutemi, ta mbajmë gjallë shpresën, që na kujton se shqetësimet tona janë edhe shqetësimet e Zotit. E lutja na bën gjithnjë të dalim nga  rrethimi i shqetësimeve tona, të shkojmë përtej asaj, që na bën të vuajmë; asaj, që na trazon a që na mungon, e na ndihmon të vihemi në vendin e të tjerëve, të  mbathim këpucët e të tjerëve, të ecim me këmbët e të tjerëve.  Familja është shkollë, ku lutja të kujton edhe një fjalë me shumë vlerë, një “ne”, që do të thotë një i afërm, një njeri që e ke pranë, me të cilin jeton nën një çati,  ndan  jetën e  nevojat e përditshme".

Familja është pasuri e madhe shoqërore; shërbimet e Shtetit nuk janë lëmoshë

Maria, vërejti Papa, na tregon se shërbimi është kriteri i dashurisë së vërtetë. E kjo mësohet posaçërisht në familje, ku bëhemi shërbëtorë nga dashuria për njëri-tjetrin. Më pas, Françesku shqiptoi tri fjalët, tashmë proverbiale, për t’u kujtuar gjithnjë në familje: “Me leje, më fal e faleminderit”:

“Gjeste të vogla, që ndihmojnë për të paqëtuar, posaçërisht atje, ku vuajtja është e madhe. Familja, kujtoi në vijim Papa, është spitali më i afërt, kur ndokush sëmuret e atje edhe mjekohet…. Familja është shkolla e parë për fëmijët, pika e mbështetjes e domosdoshme për të rinjtë e azili më i mirë për të moshuarit”.

Familja përbën pasurinë e madhe shoqërore, që nuk mund ta zëvendësojnë kurrsesi institucionet e tjera. Prej këndej, duhet ndihmuar e fuqizuar, për të  mos humbur kurrë kuptimi i drejtë i shërbimeve, që u bën shoqëria qytetarëve. E duhet ditur mirë se këto shërbime, të cilat shoqëria ua bën qytetarëve, nuk janë formë lëmoshe, por borxh i mirëfilltë shoqëror ndaj institucionit familjar, që është bazë e që jep një ndihmesë të fuqishme për të mirën e përbashkët.

Të lutemi për Sinodin kushtuar familjes

“Shumë herë, nënvizoi Papa, realitetet familjare nuk janë ideale. Madje shpesh ka shumë vështirësi. Prej këndej, ftesa për t’u lutur për Sinodin e tetorit të ardhshëm, që do të përpiqet të gjejë rrugëzgjidhje e të japë ndihmesë konkrete, në mënyrë që edhe çka ne na duket e papastër, na shkandullon e na tremb, Zoti, duke e bërë të kalojë nëpër orën e Tij, të mund ta shndërrojë në mrekulli. Familja sot ka nevojë për këtë mrekulli!”.

Në familje duhet të ndjehet guximi për të dashur

Mrekullia e Dasmës së Kanës është se vera më e mirë nuk është pirë akoma, realiteti më i ëmbël, më i thellë e më i bukur, nuk është jetuar akoma, por duhet të vijë së shpejti:

“Vera më e mirë, që është në shpresë, nuk do t’i mungojë kurrë njeriut, i cili ka guxim të dojë. E në familje të gjithë duhet ta kenë guximin për të dashur! Kjo është vera më e mirë, në të ardhur, ndonëse të gjitha situatat e statistikat thonë të kundërtën. Vera e mirë është në të ardhur për ata, që sot shikojnë si shembet gjithçka”.

Mrekullia e rikthimit të gëzimit, që buron nga të jetuarit në familje

Zoti, përfundoi Papa, u afrohet gjithnjë më shumë periferive të atyre, që kanë mbetur pa verë; atyre, që s’kanë gjë tjetër për të pirë, veç humbjes së guximit. Nëse ia besojmë vetveten Atij, me ndihmën e Marisë, “mund të ndodhë edhe mrekullia, të rikthehet gëzimi i familjes, i të jetuarit në familje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.