2015-07-07 15:18:00

Dhurata e dritës


Atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës “Civiltà cattolica”, shumë i dashur nga mediat për gatishmërinë e tij, e jo më pak, edhe për guximin e cilësinë e lartë intelektuale të analizave, që flasin për një mendje të ndritur, mori dje, në 49-vjetorin e ditëlindjes, një dhuratë shumë të rrallë, e tepër simbolike.

Kremtonte ditëlindjen në një mënyrë të jashtëzakonshme – e njëkohësisht edhe të zakonshme - si rregulltar, që mund ta zërë dita a nata në shtegtim, sepse gjithnjë në mision. E 49-ta ditëlindje e gjeti në fund të botës.  Modest, si gjithë njerëzit mendjendritur, deshi ta kalonte në heshtje këtë datë të rëndësishme për jetën e secilit. I mjaftonte që po e kalonte në praninë e Papës, për ta konsideruar si ditëlindje të jashtëzakonshme. Po Papa e sivëllezërit jezuitë ishin kujtuar me kohë për këtë festë të sivëllait të tyre, prej këndej, edhe torta festive ishte gati. Pasi u vu në mes të sofrës, sipas traditës, Papa Françesku, gjysëm i kënaqur e gjysëm i pakënaqur, tha: “Mirë torta, po dhurata? Si nuk u kujtova të përgatit një dhuratë për Antonion! Shumë keq!”. Por nuk i kishte kryer ende këto fjalë, kur njëri nga sivëllezërit i dorëzoi, gati fshehurazi, dhuratën: ishte një qiri, që u vu sakaq në mes të ëmbëlsirës e edhe u ndez. S’kishte marrë dhuratë më të bukur, kryeredaktori i “Civiltà cattolica”. Një qiri. Simbol drite. Që rri ditë-natë mbi elter duke u shkrirë nga dashuria, derisa mbetet vetëm fjollë e bardhë tymi, që lartohet drejt qiellit, si simbol i flijimit të dritës për Dritën. Një qiri, ndezur nga dora e vetë Papës! Mbi një tortë, nga sivëllezërit, në anën tjetër të botës. Jo gjithkush mund të marrë një dhuratë të tillë, kaq domethënëse, në një nga kulmet e jetës së vet. Dhuratë e porosi njëkohësisht, për të ndriçuar botën.








All the contents on this site are copyrighted ©.