2015-07-07 17:06:00

Berlini i kërkon Serbisë hapa para për Kosovën


Hapja e negociatave për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian varet nga hapat përpara, që do të bëhen në marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën. Fjalët, e cituara nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, janë të kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila do të vizitojë Ballkanin. “Ne të Bashkimit Evropian i kemi nxitur qeveritë e Serbisë e të Kosovës të ulen në tryezën e bisedimeve. Ka akoma shumë për të bërë, por ka vërtet sinjale të mira për hapa përpara, prandaj kërkojmë të përshpejtohet procesi”, thotë në një videomesazh kancelarja gjermane.

         Nesër e pasnesër, Angela Merkel do të shkojë për vizitë në Shqipëri, Serbi e Bosnjë-Hercegovinë, siç pohoi, në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert.

         Pyetjes së një gazetari, nëse e konsideron Ballkanin si “fuçi baruti”, Seibert iu përgjigj: “Në Ballkan, ka vende që mbartin shenjat e plagëve të luftës në ish-Jugosllavi e kjo do të kujtohet edhe gjatë udhëtimit të zonjës Merkel”. Sipas zëdhënësit, Evropa mund të japë kontributin e saj në përmirësimin e gjendjes e Gjermania do të luajë rolin e vet për këtë. Duhet thënë se interesi i Gjermanisë për zonën e Ballkanit është në rritje. Angela Merkel e takon për herë të tretë kryeministrin shqiptar, Edi Rama, pas dy herëve që u takua me të në Berlin vitin e kaluar. Ndërsa në Bosnjë, kancelarja gjermane do të takohet edhe me nënat e viktimave të Srebrenicës.








All the contents on this site are copyrighted ©.