2015-07-07 14:21:00

Atë Lombardi: në Ekuador, mikpritje e jashtëzakonshme


Në takimin me gazetarët në Quito, në përfundim të ditës së dytë të udhëtimit të Papës Françesku në Amerikën Latine, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, përshkoi veprimtaritë e Atit të Shenjtë, duke u ndalur veçanërisht në takimin me jezuitët e në ambientin familjar të krijuar me këtë rast, në vizitën e kortezisë tek presidenti i Republikës së Ekuadorit, në përshëndetjen e në bekimin e njerëzve të mbledhur në sheshin para Pallatit presidencial, në takimin e përzemërt me të sëmurët e të gjymtuarit në katedralen e Quitos, ku Papa foli pa letër, duke kërkuar që askush të mos lihet mënjanë, si të ishte diçka e padobishme për shoqërinë, askush të mos hidhet si të ishte i panevojshëm. Por dita e djeshme pati pa dyshim në qendër Guayaquil-in, ku Ati i Shenjtë kremtoi meshën. Të dëgjojmë atë Federiko Lombardin:

Kjo ditë iu kushtua pa dyshim Guayaquil-it, që është qyteti i dytë më i madh i vendit. Ishte rasti për të takuar një numër të jashtëzakonshëm ekuadorianësh, që mundën ta shohin e ta prekin Papën. Tema e zgjedhur ishte ajo e familjes, sepse, vërtet, është një nga temat më të rëndësishme për Kishën dhe për çdo shoqëri, pra, edhe për Ekuadorin. Kështu, ky udhëtim hyri në kuadrin e Kishës universale, që po punon për temën e familjes me impenjim të madh. Pasdite, Ati i Shenjtë kaloi edhe në Quito, në Pallatin presidencial e në katedrale. Edhe këtu u takua me qindra mijëra vetë. Një nga gjërat, që  më bën më shumë përshtypje, është pikërisht sasia e njerëzve, që grumbullohen përgjatë rrugëve të këtyre qyteteve e kjo është diçka shumë e bukur, tregon për mikpritjen e jashtëzakonshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.