2015-07-06 12:30:00

Papa në Ekuador: dialog e pjesëmarrje pa përjashtime


Me etapën e parë në Ekuador, filloi shtegtimi i Françeskut në Amerikën Latine. Më pas do të vizitojë Bolivinë e Paraguáin. Avioni  i Alitalia-s  arriti në Aeroportin e Quitos në orën 14.45 me orën vendase (21.45 me atë evropiane). Si zbriti nga shkallëza, takimi i parë i përzemërt ishte ai me presidentin e Ekuadorit, Rafael Correa, që shoqërohej nga bashkëshortja. Në fjalimin e parë drejtuar Amerikës Latine, Papa Françesku i ftoi të gjithë për dialog e pjesëmarrje, pa asnjë përjashtim.

Me Ungjillin, t’i përballojmë sfidat aktuale: dialog e pjesëmarrje pa asnjë përjashtim

“Çelësat” për t’i përballuar sfidat e sotme, janë në Ungjill. Sapo arriti në Quito, në atë, që e quajti “toka e bukur e Ekuadorit”, Papa Françesku u paraqit si dëshmitar i mëshirës së Zotit dhe i fesë në Jezu Krishtin. Si përshëndeti presidentin e Republikës, Rafael Correa, institucionet, Kishën vendase e besimtarët, që e pritën, duke ia hapur, pohoi, portat e zemrave të tyre, të familjeve e të Atdheut, Papa theksoi se ishte në Ekuador për arsye baritore dhe kujtoi menjëherë fenë që, në rrjedhë shekujsh, formoi  identitetin e popullsisë së vendit. Më pas kujtoi figurat e ndritura të kësaj toke që, duke e jetuar mëshirën, kontribuan për ta përmirësuar shoqërinë ekuadoriane të kohës së tyre: Shën Mariana e Jezusit, Shën Mikeli Febres, Shën Narçiza e Jezusit e Mercedes Molina e Jezusit, lumnuar në Guayaquil tridhjetë vjet më parë, gjatë vizitës së Shën Gjon Palit II.

“En el presente, también nosotros podemos encontrar en el Evangelio...

Sot edhe ne mund të gjejmë në Ungjill çelësat, që na ndihmojnë t’u bëjmë ballë sfidave aktuale, duke vlerësuar larmitë, duke promovuar dialogun e pjesëmarrjen pa asnjë përjashtim, me qëllim që hapat përpara të bëra në drejtim të progresit e të zhvillimit, të garantojnë një ardhmëri më të mirë për të gjithë, me vëmendje të veçantë për vëllezërit tanë më të brishtë e pakicat më të ligshta. Prandaj, Zoti president, mund të mbështeteni  gjithnjë në angazhimin dhe bashkëpunimin e Kishës, për t’i shërbyer popullit ekuadorian, që u ngrit përëri në këmbë plot dinjitet.

Vetëm Jezusi ndrit me dritën e  vet

Në këtë mision, Françesku siguroi se Kisha do të vijojë angazhimin dhe bashkëpunimin e  saj, pastaj pohoi se e nisi plot dëshira e shpresa javën në Amerikën Latine, duke vërejtur se pika më e afërt e hapësirës së jashtme të botës, është pikërisht në Ekuador. E është maja e Chimborazo-s, pika më e afërt me diellin, me hënën e me yjet, shtoi.

“Nosotros, los cristianos, identificamos a Jesucristo con el sol...

Ne, të krishterët, e krahasojmë Krishtin me diellin e hënën me Kishën, sepse hëna nuk ndriçon me dritën e vet e, po të fshihet dielli, mbi tokë dyndet errësira. Dielli është Jezu Krishti, e nëse Kisha largohet ose fshihet nga Jezusi, errësohet e nuk është më në gjendje të japë dëshmi. Prandaj, tha në vijim Papa, uroj që këto ditë ta vëmë më në pah afërsinë e Diellit të lindur nga lart, për të na ndriçuar ne, që jemi pasqyrim i dritës së Tij, i dashurisë së Tij.

Mbrojtja e më të ligshtëve e besimi në të rinjtë

Nga maja e Chimborazo-s e deri në brigjet e Paqësorit, nga pyjet pa fund amazonike e deri në ishujt Galapagos, e përqafoj dhe e bekoj gjithë Ekuadorin!

“Nunca pierdan la capacidad de dar gracias a Dios...

Mos e humbisni kurrë aftësinë për të falënderuar Zotin, që bëri gjithë këtë për ju: aftësinë për të mbrojtur të voglin e të thjeshtin, për të kujdesur fëmijët e pleqtë, për të pasur besim tek rinia e për t’u mrekulluar nga fisnikëria e njerëzve tuaj e nga bukuria e vendit tuaj”.

Programi i vizitës në Quito e Guayaquil

Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa  u drejtua, ndërmjet një turme në festë, në të dy anët e rrugës, drejt nunciaturës, për darkën e pushimin e natës së parë në trojet amerikanolatine.  Sot u nis nga Quito për në Guayaquil, ku vizitoi shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore e po kremton Meshën në Parque de Los Samanes, për të shkuar, për drekë, në Kolegjin Javier të jezuitëve.

Pasdite, kur mbi Evropë do të ketë rënë nata, Papa do të shkojë për t’i bërë një vizitë mirësjelljeje Presidentit të Republikës, Rafael Correa e, si veprimtari e fundme e kësaj dite, do të jetë vizita në Katedralen e Quitos.








All the contents on this site are copyrighted ©.