2015-07-06 18:57:00

Dielli e hëna, në fjalën e parë të Papës drejtuar popullit ekuadorian


Qenë shumë, shumë, ndoshta qindra mijëra, njerëzit, të cilët vërshuan udhëve të Quitos, për ta përshëndetur, me petale shumëngjyrëshe lulesh, Papën Françesku, që shkeli përsëri në Amerikën e tij Latine. Shtegtimi, pas atij të Rio de Janeiros për Ditën Botërore të Rinisë – takim i fiksuar nga paraardhësi i tij, por që u bë, pastaj, programatik pak muaj pas fillimit të Papnisë - është i pari amerikan i Bergoglios, për vizitë në Ekuador, Bolivi e Paraguái.

Sapo arriti, pas një udhëtimi të gjatë me avion, Papa u prit në aeroportin e Quitos nga presidenti ekuadorian Rafael Correa, me një fjalim të apasionuar, përmes të cilit, duke e quajtur mysafirin “vigan moral” në skenën ndërkombëtare, tregoi se përkon me shumë nga shqetësimet e Papës. E nënvizoi menjëherë pas, këtë përkim, vetë Françesku, që u paraqit si dëshmitar i mëshirës së Zotit e i fesë në Jezu Krishtin.

Në Ungjill, theksoi, mund t’i gjesh çelësat për të përballuar sfidat e sotme. Kanë një emër, këta çelësa: quhen vlerësim i larmive, favorizim i dialogut, vëmendje e posaçme për njeriun, që nuk ka mbështetje, që nuk është në gjendje të ecë vetë, që ka nevojë për ndihmë. I quajti “borxhi i Amerikës Latine”, këta njerëz. Më pas kujtoi se ndërmjet majave të Andeve, që  përshkojnë vendin, është edhe maja më e afërt me diellin e me hënën. Maja e Chimborazos. Banorët e quajnë Taita Chimborazo apo Tatë Chimborazo, ndërsa lokja është Tungurahua. Prej saj lindin një mori lumenjsh, si ai i Amazonës.

Vullkan i shuar, Chimborazo u shkel e u studiua nga një mori shkencëtarësh të mirënjohur në historinë e gjeografisë botërore. Maja e tij është më afër diellit e hënës, sesa të gjitha majat e tjera. Prej këndej, Papa Françesku preku një temë shumë të dashur për të e për paraardhësin e tij. Kujtoi figurat, që përdor tradita e krishterë për Jezusin e për Kishën. Jezusin e  quan  “Diell, që lind nga lart”. Kishën, hënë. Sepse nuk ka dritë të vetën, por ndriçohet nga Dielli, si Kisha nga Krishti. E kur largohet nga drita e Diellit, nuk shihet më. Kridhet në errësirë.

Prej këndej, për të pasqyruar dritën edhe dashurinë e Zotit, populli i Ekuadorit, nënvizoi Papa, nuk duhet të harrojë kurrë ta falënderojë për mrekullitë, që ka bërë në këtë vend. Vend që, sipas presidentit, është parajsë, përfundoi Françesku, duke kujtuar një frazë nga fjalimi i Correa-s e duke nënkuptuar, kështu, edhe se duhet mbrojtur!








All the contents on this site are copyrighted ©.