E diel, më 5 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 14-të gjatë vitit
kishtar, e gjithnjë më 5 korrik, kalendari përkujton edhe shën Ndoun Maria
Zakaria. Shenjti është themelues i Barnabitëve dhe i Motrave Engjëllore të Shën Palit.
Shën Anton Maria Zakariae na kujton një të vërtetë të madhe feje: “Edhe në se njerëzimi
do të arrijë t’i zhdukë të gjitha sëmundjet fizike e të zgjidhë shumë nga problemet
që e trondisin, nuk do të mundet kurrë ta çlirojë njeriun nga sëmundja më e rëndë,
mëkati. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërhyrja e Zotit! Po kujtojmë se këtë ditë Bijtë
e Bijat e Shën Ndout Maria Zakarisë , pra Barnabitët e Motrat Engjëllore, që prej
vitesh me mision në Shqipëri e Kosovë, do ta kremtojnë festën e Themeluesit të tyre.
Të hënën më 6 korrik, sipas kalendarit kishtar bie kujtimi i shën
Maria Goretit, virgjër e martire, i Papëve të shenjtë të Romës që pushojnë në paqe
në Bazilikën e Vatikanit dhe i së shën Marisë Tereza Ledohovska, themeluese e Motrave
misionare të shën Pjetrit Klaver.
Ungjilli i liturgjisë së ditës na çon në skenën e ballafaqimit të Krishtit me farisenjtë.
Ata e qortojnë, sepse rri me mëkatarë. Ndërsa Zoti u kujton se janë në mënyrë shkandulluese
larg nga mëshira hyjnore.
Të martën më 7 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Astin, ipeshkëv i
Durrësit e shën Benediktin XI, papë. Liturgjia e ditës na kujton se kur pajtohemi
me një mënyrë jetese që nuk përkon me Ungjillin, do të thotë se më kot e pimë verën
e tij të re; ajo nuk ka kurrfarë efekti mbi ne, sepse nuk e kemi kuptuar akoma revolucionin
e vërtetë të krishterë.
Të mërkurën më 8 korrik, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Akuila
e Prishila, bashkëshortë martirë, nxënës të shën Palit, dhe i lumi Eugjeni III papë.
Liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron
e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon
në çdo hap.
Të enjten më 9 korrik, kalendari përkujton shën Agostinin Zhao Rong,
meshtar dhe shokët e tij, martirë kinezë; shën Adrianin III papë; e shën Veronika
Gjulianin, abateshë, klarise kapuçine.
Këto figura na nxisin të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa.
Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu si na mëson Mateu, kur
përshkruan dy mrekulli të Krishtit, që shëron një të sëmurë rëndë e ngjall një të
vdekur.
Të premten më 10 korrik, kalendari përkujton shenjtorët Rufina e
Sekonda, dhe Anatolia e Vitorja, martire.
Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është Bariu i Mirë, e kudo shkon, shëron sëmundjet
e shpirtit e të trupit; turmat rendin pas Mësuesin Hyjnor nga të katër anët, ashtu
si delet e lodhura e të këputura, në kërkim të një bariu që të kujdeset për to.
Të shtunën më 11 korrik, kalendari përkujton shën Benediktin Abat,
pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekim - e shën Piun I papë.
Kisha na fton të reflektojmë mbi simbolikën e hardhisë e të shermendeve, që na kujton
se pa Jezusin, nuk mund të arrijmë kurrfarë suksesi. E kjo, sepse shermendi nuk mund
të japë fryte i shkëputur nga hardhia. Kështu edhe nxënësi, i shkëputur nga Krishti.
Të dielën e ardhshme më 12 korrik, Kisha katolike do të kremtojë
të dielën e 15-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë më 12 korrik kalendari përkujton edhe
shën Gjon Gualbertin, abat, themelues i Valombrozanëve dhe shenjtorët Nabori e Feliçi,
martirë milanezë.
Liturgjia e kësaj së diele flet për dërgimin e apostujve nga Jezu Krishti për të kumtuar
Lajmin e Mirë të shëlbimit të njerëzimit mbarë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |