2015-07-05 14:02:00

Is, atë Samir: Perëndimi e Lindja e Mesme të bashkohen kundër islamit beduin


“Sinai është bërë terren i terroristëve, si i atyre palestinezë, që luftojnë kundër terrorizimit izraelit, ashtu edhe i grupeve fundamentaliste të Daesh(Is). Nga njëra anë, ushtria nuk mund të zhvendoset lehtësisht në shkretëtirë, nga ana tjetër, Is përfiton, për të deklaruar: “Jemi kudo, të mirorganizuar e të shumëpaguar”. Ky, komenti i islamologut jezuit egjiptian atë Samir Khalil Samir, pedagog i Institutit Papnor Lindor, në Romë dhe i Universitetit të Shën Jozefit, në Beirut, përsa i përket sulmit, kryer nga milicët e shtetit islamik, kundër qytezës Sheikh Zuweid, në veri të Sinait, që forcat e armatusura të vendit po nisin ta rimarrin nën kontroll.

Nga Egjipti, rikthehemi tek atentati në Tunizi, pak ditë më parë. Jo rastësisht terroristët zgjodhën Tunizinë, saktëson atë Samir, sepse, së bashku me Libanin, është vendi më paqësor, më laik e tolerant ndërmjet vendeve myslimane, ndonëse edhe më i ndikuari nga Bashkimi Evropian. Nuk është hera e parë që paralajmërohet nga Is: Islami i vërtetë nuk është Tunizia e ne do ta sulmojmë, ashtu si gjithë Perëndimin. Problemi është se, ndërsa interpretimi i shumicës e refuzon këtë formë të islamizmit, ka një prirje radikale, që synon të riprodhojë modelin islamik të shekullit VII, në kohën kur në gadishullin arabik ishte gjallë Muhameti. Ky s’është tjetër, veçse rikthim në islamin e tipit beduin të shkretëtirës, 14 shekuj më parë.  

Pakica, që e mendon kështu, rreth 2 deri në 10%, për fat të keq e pasur dhe e fortë, sepse ka paratë e Arabisë e të Katarit, mendon se vetëm ky është islami i vërtetë e se Kurani nuk ka nevojë për shpjegime: duhet jetuar fjalë për fjalë. Çështja ndërlikohet më tej nga “wahabizmi”, forma më radikale, e cila, nga formulimi teorik, ka kaluar, prej dy vjetësh, në veprimtari ushtarake, me synim përfundimtar, rikrijimin e islamit të kalifatit. E kjo do të thotë pushtet i pasardhësit të Muhametit. Ideja, shumë e rrezikshme, është kjo: kur patëm  ndjekur rrugën e Muhametit, e patëm pushtuar botën, tani është bota, që na ka pushtuar, jemi më të ligshtë, sepse u larguam nga zanafilla, prej këndej, duhet të rikthehemi në atë, që faktikisht është një nga format e barbarive. Duan ta pushtojnë gjithë botën, duke nisur nga viset e myslimanëve, që nuk mendojnë si ata. Atë Samir shpjegon edhe arsyet historike e teologjike, që i shtynë fundamentalistët të zgjidhnin Sirinë e Irakun. Shpjegon gjithashtu, pse u organizua sulmi në Kuvait, mbi një xhami shiite. “Po të mundnin të sulmonin edhe Iranin, do ta kishin bërë edhe këtë”- nëvizon akoma atë Samir.

Tania Groppi dhe Irene Spingo janë autore të librit “Tunizia- Pranvera e kushteutës”(Carocci): “Ekzistojnë zona, shkruajnë, posaçërisht në jug të Tunizisë, ku trafikët e ekonomisë së rrënuar me Libinë, janë të vetmet që i ndihmojnë banorët të mbijetojnë. Qeveria e koalicionit, me udhëheqje laike, që e ka luftën kundër terrorizmit pikë kryesore të programit të saj,  bëri provë ta mbyllë kufirin, por kjo u prit me trazira nga ana e popullsisë kufitare. Problemi në frontin e sigurisë, nënvizojnë, është të ecet në këtë vijë. Mbetet, pastaj, situata ekonomike tejet e vështirë, gjithnjë në jug të vendit. Pellg, ku mund të shkohet për të peshkuar terroristët e ardhshëm në gjirin e breznive të reja, të zhytyra në një përzjerje injorance, mjerimi e fundametalizmi. Është tokë që mund të lërohet! Po Kushtetua e re demokratike, rast i pashembullt në botën myslimane? Duket e brishtë. Një kartë e këtij tipi, megjithëse e përparuar, mund të bëjë pak në këtë situatë. Eshtë mjet i ligshtë, po të mos ketë bazën e përshtatshme shoqërore... Këtu bashkëpunimi ndërkombëtar për mbështetjen e turizmit, është themelor. Nga ana tjetër duhet thënë se ngadalësimi i kontrollit në vendet e kultit ka bërë që fundamentalizmi dhe terrorizmi të përhapen më lehtësisht.

Përsa i përket grave të Sirisë, të cilave iu pre koka, sepse të akuzuara  si shtriga, ati jezuit Samir kujton se një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë në historinë islamike: “Lufta është konsideruar gjithnjë punë burrash e për më tepër, në Islam, nuk është folur kurrë për shtriga. Ky është term i huajtur nga perëndimi i cili, në periudhën e mesjetës, i akuzonte gratë si shtriga. E kështu mezi ç’pritën ta kopjonin. Ashtu si po bëjnë edhe me termin “kryqëzata myslimane”, duke harruar, ndoshta, se fjala “kryqëzatë” etimologjikisht vjen nga kryqi. Po i përdorin të gjitha taktikat psikologjike, që mund t’i bindin  njerëzit kulturëpakë. Ndërkaq kthimet në fenë islame janë në rendin e ditës: “Kanë shpikur një gjë të fëlligët: xhihadin seksual; gratë, posaçërisht virgjërat, duhet t’u dorëzohen ushtarakëve që bëjnë luftën, për t’u përdorur seksualisht. Për disa prej tyre, madje është nder i veçantë kjo humbje nderi, sepse kështu mund të marrin pjesë në xhihad, domethënë, në luftën e shenjtë e të hyjnë, pastaj, menjëherë në parajsë.”

Si duhet vepruar politikisht? Atë Samir flet posaçërisht për hipokrizinë e padurueshme të perëndimit: “Këto vende janë aleate të të gjitha viseve të naftës, të cilën e shkëmbejnë me favore politike. E ky është turp! Perëndimi e mban veten si mbrojtës i drejtësisë, po në të vërtetë interesi i tij i vetëm është ai ekonomik.  Kjo duhet thënë qartë, ashtu siç ka bërë edhe Ati i Shenjtë, i cili ka pohuar se mënyra si përdoret ekonomia, po e rrënon botën. Duhet të shkëputet nga këto vende fundamentaliste, që përhapin terrorizmin, përmes një strategjie botërore, për t’i ndihmuar vendet e Lindjes së Mesme që ta zhdukin këtë prirje, të rrezikshme për mbarë botën. Duhen bllokuar ushtarakisht këta barbarë. Me aksion sinergjik (vendet perëndimore e të Lindjes së Mesme duhet të bashkohen, që fundamentalistët të mos mund të marrin më armë, e as para, e të luftohen edhe në terren, me një taktikë më të studiuar e me një plan të përbashkët, pa pasur nevojë për bombardime).

Flitet edhe për strategjia afatgjatë. Po cila është kjo strategji? Aspekti themelor është “revolucioni kulturor” brenda Islamit. Mijëra intelektualë ndjehen krejt të pafuqishëm përballë miliona imamëve, që s’ bëjnë tjetër, veçse përsërisin fjalët e Kuranit, e nuk kanë në kokë asnjë mendim për të sotmen. Përsëritje! Pa asnjë përpjekje për aktualizim! Ne, të krishterët  dhe hebrenjtë, e kemi bërë këtë hap, që është i nevojshëm për të gjitha fetë, e duhet të ndihmojmë në këtë operacion: t’i ndihmojmë për rileximin e Kuranit  në dritën e parimeve të dinjitetit njerëzor. Rrugëzgjidhe, që kërkon disa dhjetëvjeçarë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.