2015-07-05 16:11:00

Gëzimi i kumtimit, tema e shtegtimit të Papës në Amerikën Latine


Nisi sot shtegtimi papnor ndërkombëtar në Amerikën Latine: i nënti për Françeskun. Papa ishte në aeroportin romak të Fiumicinos rreth orës 9.00, për të nisur një shtegtim, që do të zgjaste 13 orë. Pritet të arrijë në Aeroportin e Quitos rreth orës 22.00 me orën evropiane, 15.00 me atë vendase, që është 7 orë mbrapa. Prej këndej, në Aeroportin e  Quitos do të jetë në orë 15.00; me orën evropiane, 22.00. E pikërisht në aeroport do të mbahet ceremonia e parë e Papës në Amerikën Latine: ajo e mirëseardhjes, me të cilën do të njihemi në programin e ditës së hënë.

E tani, të kthehemi  tek veprimtaritë më të rëndësishme të shtegtimit.

Që sot, pra, e deri më 13 korrik, Papa do të jetë në Ekuador, Bolivi e Paraguai, tre vende të vizituara më parë nga Gjon Pali II. Dyzet e tetë orë e dy etapa në secilin komb, me 22 fjalime të parashikuara, në gjuhën spanjolle. “Program impenjativ”, e quan Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federico Lombardi, shtegtim me vështrimin e ngulur gjithnjë në periferitë e me një temë të vetme: gëzimi i kumtimit ungjillor.

Impenjativ, pra, shtegtimi i Papës, që kthehet në kontinentin e tij e që do të flasë në gjuhën e  tij, spanjisht. Për herë të parë do të shkelë në tre vende, që nuk janë më të mëdhatë, e as të parat në gjeopolitikën ndërkombëtare, në vijë me logjikën e periferive, aq të dashur për Papën argjentinas. Historia e këtyre vendeve, ngarkuar edhe me konflikte e diktatura, do të jetë sfond i rëndësishëm e kuptimplotë i vizitës, kujton atë Federico Lombardi, edhe për t’i kuptuar më mirë mesazhet, që dëshiron t’u lërë Papa këtyre vendeve:

“Është mirë që historia e regjimeve diktatoriale e ushtarake në këto vende, të jetë e pranishme si sfond, edhe për inkurajimin, që Papa dëshiron të japë e që popujt e presin, për të mundur, kështu, ta përtërijnë jetën e tyre shoqërore e politike në përgjithësi, të kenë paqe e të marrin pjesë aktive në zhvillimet demokratike”.

Për t’u theksuar, hapësira dhe larmia gjeografike e këtij shtegtimi, që do të kalojë mbi troje nga më të ndryshmet; prej Andeve, në Oqeanin Atlantik e në Rio della Plata: gjatë shtatë ditëve do të ndryshojnë vazhdimisht lartësitë e temperaturat, vëren atë Lombardi, duke kaluar nga 4.000 metra lartësi në Bolivi; në nivelin  detit,  në Paraguai. E shumë i larmishëm do të jetë edhe kuadri etniko-kulturor, gjë kjo, që do të spikasë shumë gjatë takimeve e kremtimeve, njëherësh me temën e varfërisë:

“Nga sa vërejta në përgatitjen e ngjarjeve, në notat që mora edhe nga organizatorët, mund të them se do të flasin edhe njerëz me pjesëmarrje aktive, që kanë dëshmi për të dhënë, lexime për të bërë, këngë për të kënduar e kështu me radhë. Kujtoj se do të theksohet shumë përbërja e larmishme e këtyre vendeve, me popullsi të ardhur nga zona të ndryshme e me etni të ndryshme. Prej këndej, do t’i kushtohet shumë vëmendje  kësaj karakteristike etnike e kulturore të shtegtimit”.

Rreth 48 orë e dy etapa kushtuar secilit vend; asnjë problem sigurie, pohoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit. E edhe  zhvendosje të shumta të Françeskut me papamobile të krijuara në vend. Dokumentet për t’u pasur parasysh lidhur me tematikat kishtare, do të jenë ai i Aparesidës e, përsa i përket temës së shtegtimit, “Evangelii Gaudium”, gjë që shprehet edhe në loget e secilit nga vendet që do të  vizitojë:

“Tema e shtegtimit është e përbashkët për tre vendet: gëzimi i kumtimit të Ungjillit. Ekuadori ka si moto ‘Evangelizar con alegria’ (Të ungjillëzojmë me gëzim); Bolivia: ‘Con Francisco anunciamos la alegria del evangelio’ (Me Françeskun do të kumtojmë gëzimin e Ungjillit) e Paraguai: ‘Mensajero de la alegria y de la paz’ (Lajmëtar i gëzimit e i paqes). Pra, në qendër të vëmendjes: Evangelii Gaudium. Sfondi i motove, logove, i shpirtit të shtegtimit është ‘Evangelii Gaudium’, gëzimi, që buron nga kumtimi i Ungjillit”.

Duke kujtuar programin, me takimet institucionale, me episkopatet, që me këtë rast do të jenë të gjitha informale, me autoritet civile e me shoqërinë civile, në mijëra fytyrat e saj, atë Lombardi vë theksin mbi disa etapa domethënëse. Përqafimi i parë me turmën, do të jetë ai në Guayaquil të Ekuadorit, ku, si në takimet e tjera të mëdha, priten rreth një milion e gjysëm pjesëmarrës në Meshën kushtuar familjes. Vijnë, pastaj, dy vizita të rëndësishme në shenjtëroret mariane, në atë të Mëshirës Hyjnore, në Guayaquil, e atë të Zojës së Papërlyer, në Caacupé të  Paraguait. Për këtë të fundit Papa ka një devocion të veçantë. Për t’u shënuar, takimet e ndryshme me shtresat më të lëna pas dore të shoqërisë: pleqtë e Ekuadorit, të burgosurit e Palmasolit në Bolivi, me fëmijët e sëmurë të spitalit pediatrik të Asunciòn, në Paraguai. Pa harruar edhe vizitën në lagjen e varfër dhe moçalore të Asunciòn il Banado Norte. Pastaj, pjesëmarrja në Takimin botëror të Lëvizjeve popullore, në Santa Cruz të Bolivisë:

“Realitete popullore të bazës, që lindin nga poshtë, të cilat Papa dëshiron t’i mbështesë, t’u japë zemër që të angazhohen për ndërtimin  e shoqërisë, e cila nuk bie nga lart, por lind nga poshtë. Kjo lidhet me stilin e  veprimtarive të tij baritore e shoqërore në Buenos Aires e në Argjentinë,  të rrezatuara tani, në një hapësirë shumë më të madhe botërore”.

Takimi përfundimtar i shtegtimit do të jetë ai me të rinjtë në Costanera gjatë lumit, në Paraguai, të diel, më 12 korrik, një natë para se të kthehet në Romë. Përsëri atë Lombardi:

“Parashikohet pjesëmarrja e 200 mijë  vetëve, edhe në këtë ngjarje të madhe. E do të jetë një takim, ashtu si dinë ta bëjnë të rinjtë: duke mbartur Kryqin e duke dhënë dëshmi, shfaqje alegorike e koreografike, e kështu me radhë. Papa do të nderojë Kryqin shtegtar e do t’ua dorëzojë të rinjve, duke u dhënë më parë bekimin përfundimtar”.

Pastaj, nisja për Romë e pritja për një shtegtim tjetër, po kaq impenjativ: Papën e pret Kuba; e presin edhe SHBA-të, në shtatorin e ardhshëm! 








All the contents on this site are copyrighted ©.