2015-07-05 16:31:00

Fundjave në Vatikan e në Kishë


Ndjeti i lutjes  së Papës për muajin korrik

Papa i fton të gjithë besimtarët të luten me të, me ndjete që Apostullimi i Uratës i bën të njohura çdo fillim muaji. Sapo përfundoi muaji qershor, kushtuar Zemrës së Krishtit e nisi korriku, muaj i Gjakut të paçmueshëm të Jezu Krishtit gjatë të cilit  Papa na kujton dy ndjetet e lutjes:

Ndjeti universal: Të lutemi, që përgjegjësia politike të jetohet në të gjitha nivelet, si një nga format më të larta të dashurisë e të bamirësisë për njeriun!

Ndjeti për ungjillëzimin: të lutemi, që të krishterët në Amerikën Latine, përballë pabarazive shoqërore, të mund të japin dëshmi dashurie për të varfërit e të kontribuojnë për një shoqëri gjithnjë më vëllazërore.

Kubë: “Gëzimin e Kishës kubane për vizitën e Papës në një çast historik, plot me shpresën e përfundimit të tensioneve me SHBA-të”. Këtë nënvizojnë ipeshkvinjtë kubanë, në mesazhin e botuar, nësa afrohen ditët, kur Papa do të shkelë në trojet e Ishullit (19-22 shtator) si lajmëtar i pajtimit e  i paqes ndërmjet popujve:

“Françesku do të jetë Papa i tretë, që vjen të na vizitojë gjatë 17 vjetëve, pohojnë prelatët e, në vijim, kujtojnë: “Kuba e Brazili janë të vetmet vende, që kanë privilegjin të jenë vizituar nga tre Papë”.

Më 1998, Shën Gjon Pali II, i pari Papë, që vizitonte vendin, e “revolucionit të përhershëm”, u prit në ishull si “Lajmëtar i së vërtetës e i shpresës”.“Benedikti XVI, më 2012, arriti si “Shtegtar i dashurisë së krishterë”. Papa Françesku, si “Misionar i mëshirës!

E gjithë bota ka nevojë për mëshirë, përfundojnë ipeshkvijtë kubanë.

Burundi: “Po jetojmë në një situatë tejet të vështirë, edhe pse tani për tani duket se ka një farë armëpushimi. Po njerëzit vijojnë të ikin në viset fqinje: Ruandë, Ugandë, Kongo e Tanzani. Kush ka mundësi ekonomike, ikën edhe më larg. Sipas njoftimeve rreth 200 mijë burundezë janë strehuar jashtë vendit. E, ndërmjet tyre, edhe 5 meshtarë, që u detyruan të ikin, sepse u kërcënuan me vdekje, sipas njoftimeve të agjencisë Fides.

Një shoqatë për t’i përfaqësuar  instancat e kaldejve në shoqërinë civile

Shoqata do të aktivizojë profesionistët, intelektualët dhe specialistët më të aftë në disiplina të ndryshme, për t’i përfaqësuar në mënyrë të rregullt instancat e bashkësisë kaldeje në shoqërinë civile, në nivel vendor e ndërkombëtar. Synon, kështu, t’i mbrojë denjësisht të drejtat e kaldejve, krijimi i kësaj shoqate, si mjet presioni mbi vendimet që kushtëzojnë bashkëjetesën civile.

Republika Çeke: Sot në Pragë u organizuan kremtime me rastin e 600 vjetorit të  vdekjes së Jan Husit. I dërguar i posaçëm i Papës, ishte kardinali Miroslav Vlk, kryeipeshkëv nderi i Pragës.

Kërkesa për “ungjillëzimin e  ri” sot na nxit të mos e shtyjmë më për asnjë çast “bashkimin e dukshëm të të krishterëve”. E vuri në dukje Papa më 15 qershorin e kaluar, duke pritur delegacionin e Republikës Çeke,  ardhur në Romë për të kremtuar një Liturgji Pajtimi me rastin e 600-vjetorit të vdekjes së predikatarit reformator bohem, Jan Hus, djegur mbi turrën e druve në vitin 1415 në Konstancë. I pranishëm në audiencë  edhe kardinali Miroslav Vlk, kryeipeshkëv nderi i Pragës. Uroj të shikohen me sy të rinj, problemet e vjetra, që shkaktuan konflikte, për të përparuar së bashku në udhën e pajtimit e të paqes”, ky, urimi i Papës Françesku drejtuar delegacionit të Kishës çekosllovake husite dhe Kishës ungjillore të Vëllezërve çekë:

“Shumë grindje të së kaluarës duhen rishkuar në dritën e rrethanave të reja, në të cilat jetojmë. Marrëveshjet dhe afrimet mund të realizohen vetëm nëse i shikojmë konfliktet e vjetra, me një sy të ri”.

Kjo, dëshira e Papës.

E përsa i përket Husit, Ati i Shenjtë mendon se:

“Duhet vijuar studimi mbi personalitetin dhe veprimtarinë e Jan Husit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë objekt kundërvëniesh ndërmjet të krishterëve, ndërsa sot është bërë burim dialogu. Ky kërkim pa kushte të tipit ideologjik, do të jetë shërbim i rëndësishëm, që i bëhet së vërtetës historike, gjithë të krishterëve dhe mbarë shoqërisë, edhe përtej kufijve të kombit çek”.

Në Taize të Francës sot nisi “Java e reflektimit për aktualitetin e thirrjes rregulltare”, me pjesëmarrjen e drejtuesve të kongregatave e të rregulltarëve të rinj katolikë, ortodoksë e protestantë.

Në Spanjë u kremtua dita e trafikut. Kremtimi përsëritet çdo vit, të dielën e parë të korrikut, shoqëruar nga mesazhi përkatës i ipeshkvijve .

Castel Gandolfo: Dje paradite Papa i nderit Benedikti mori, nga Universiteti Gjon Pali II dhe nga Akademia Muzikore e Krakovit, në Poloni, dy laura honoris causa. Ia dorëzoi kryeipeshkvi i Krakovit, kardinali Stanislaw Dziwisz, kancelar i madh i Universitetit Papnor “Gjon Pali II”. Shkolla  e lartë u ngrit nga vetë Benedikti XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.