2015-07-04 17:04:00

Ati i Shenjtë: të krishterë të bashkuar në gjak, nuk duhet të ndahemi në jetë


Lutje për bashkimin e gjithë të krishterëve. E lartoi Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, duke folur për nismën “Udhë uniteti e paqeje. Zëra në lutje për martirët e sotëm dhe për ekumenizmin shpirtëror”, ndërsa hapte, dje pasdite, takimin e 38-të të lëvizjes Përtëritja në Shpirtin Shenjt. Takimi i lutjes, përshpirtërisë, ungjillëzimit, në praninë e përfaqësuesve të bashkësive të krishtera nga mbarë bota, vijon në Stadiumin Olimpik të Romës e do të pasohet, në vitin 2017. nga një takim tjetër në Sheshin e Shën Pjetrit, për ta kremtuar, njoftoi Françesku, këtë rrymë hiri.

O Zot, na e jep hirin e bashkimit të gjithë të krishterëve

Lutja ekumenike u tha në heshtje,  në thellësi të zemrave. Nuk u lexua. As nuk u shpreh me gojë. Në një pasdite, një herë të valë, pastaj të lagur nga shiu i papritur, që u resh mbi Sheshin e Shën Pjetrit, ku ipeshkvij, pastorë, dëshmitarë e njerëz të thjeshtë, të ardhur nga Lindja e Perëndimi, ishin kapur dorë për dore, Papa Françesku iu lut Zotit ta dërgojë Shpirtin Shenjt, që të na e mësojë gjithçka, që na e ka mësuar Jezusi e të na e freskojë kujtesën për të sjellë ndër mend çka na tha Jezusi, sepse kjo na i jep karizmat, na jep larminë, që krijon unitet në Kishë:

“O Zot Jezus, ti kërkove për gjithë ne hirin e bashkimit në këtë Kishë, që është jotja, jo jona. Historia na ndau. Jezus, ndihmona të ecim në udhën e unitetit ose të larmisë, si njerëz të pajtuar. Zot, ti e bën gjithnjë, atë që premton, na  e jep unitetin e gjithë të krishterëve!”.

Përçarjet janë kundërdëshmi  

I vetmi i pazëvendësueshëm në Kishë, shpjegoi Papa, është Shpirti Shenjt, e Zoti i vetëm, është Jezusi. Ndarjet e të krishterëve, prandaj, janë kundërdëshmi:

“Bashkimi i të krishterëve është vepër e Shpirtit Shenjt e duhet të lutemi së bashku. Ekumenizëm shpirtëror. Ekumenizëm lutjeje: ‘Atë. A mund të lutem me një ungjillor, me një ortodoks, me një luteran? Duhet. Duhet: kemi marrë të njëjtin pagëzim’”

Ekumenizmi i gjakut

Nga ana tjetër, duke kujtuar se pak muaj më parë, 23 egjiptianë koptë u therën në fyt në një nga plazhet e Libisë, Papa theksoi: realiteti i sotëm e martirët tanë na bashkojnë në ekumenizmin e gjakut:

“Nëse armiku na bashkon në vdekje, po kush qenkemi ne për t’u ndarë në jetë? Ta lëmë të hyjë Shpirtin Shenjt, të lutemi për të ecur përpara gjithë bashkë”.

Të veprojmë e të humbasim në oqean

Përtëritjes në Shpirtin Shenjt Papa i kërkoi të vijojë angazhimin për të varfërit e nevojtarët, në unitet e në larmi, sipas modelit të poliedrit, që e pasqyron konvergjencën në të gjitha anët. Duke rikujtuar fjalët e kardinalit Leon-Joseph Suenens, ndër nxitësit e parë të Lëvizjes, falënderuar për këtë edhe nga Pali VI në vitin 1975, Papa i ftoi të gjithë të veprojnë. Lumi, theksoi, duhet të derdhet në oqean. Në se e ndal rrjedhën, qelbet”. Prandaj, vijoi, nëse gjithë ky hir nuk përfundon në oqeanin e Zotit, por punon për vetveten, kjo do të thotë se është vepër e djallit, e “atit të mashtrimit”:

“Sa e sa prijës krekosen si pavodat? Pushteti të çon në kotësi. E ti nis e e ndjen veten të aftë për çdo gjë, e kështu edhe rrëshqet në afarizëm, sepse djalli hyn gjithnjë nëpër portofol. Kjo është porta e hyrjes për shejtanin!”.

Marrëdhënie artizanale edhe në lëvizjet

Edhe në Kishë, nënvizoi Papa Françesku, është e nevojshme që të gjitha shërbimet të kenë një afat në kohë. Liderë të përjetshëm gjinden vetëm në vendet ku sundon diktatura. Kështu u shpreh Françesku, duke i nxitur të pranishmit në Sheshin e Shën Pjetrit të investojnë në “punë artizanale”, punë të përditshme, e jo në “mbledhjet vigane e të bujshme, që shpesh mbarojnë, pikërisht atje ku nisën”.

Në përfundim të audiencës, Papa bekoi Biblat e besimtarëve, duke u kujtuar përsëri e përsëri ta mbajnë gjithnjë në xhep Ungjillin!

Ja edhe lutja përfundimtare e Papës:

“E me Biblat, me fjalën e Zotit, shkoni e predikoni të renë që solli Jezusi. Predikojani të varfërve, të shtypurve, të verbërve, të sëmurëve, të burgosurve, të gjithë burrave e grave. Në secilin prej tyre banon Shpirti Shenjt e dëshiron të ndihmohet për ta hapur portën e për ta bërë njeriun të rijetojë. Zoti ju shoqëroftë në këtë misionin, gjithnjë me Biblën në dorë, gjithnjë me Ungjillin në xhep, me Fjalën e Krishtit në zemër”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.