2015-07-04 12:34:00

Liturgjia e Fjalë së Zotit e dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 14-të gjatë vitit kishtar ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele flet për mrekullimin e refuzimin ndaj Jezu Krishtit. Sipas vlerësimin e gjykimit të banorëve të Nazaretit, ku Jezusi ishte rritur e njohur, ai nuk mundi të ishte ai Mësues e ai veprimtar i mrekullive për të cilat flitej në mbarë Vendin. Pra, leximet biblike të kësaj së diele flasin për refuzimin e Fjalës së Hyjit, flasin për pritjen dhe për refuzimin e profetit e të Birit të Njeriut, flet për besimin dhe mosbesimin në Zotin.

Para propozimeve e thirrjeve të Zotit, njeriu mund të vendos e të përcaktohet për po dhe për jo; mund ta mbyll apo hap portën e zemrës. Kjo varët nga përcaktimi e nga zgjedhja e lirë e vullnetit të tij. Por para një njeriu që vullnetarisht e qëllimisht i mbyll portat, lind pyetja: çka e pengon atë njeri për të mos e pranuar mesazhin e Zotit? Çka ndërhyn e çka kundërvihet ndërmjet nismës së Zotit, hirit të tij hyjnor dhe përgjigjes nga ana e lirisë njerëzore?
Në pjesën ungjillore të kësaj diele takojmë njerëz të cilët për arsye të krenarisë së tyre plot xhelozi, nuk duan të pranojnë që njëri prej tyre, Jezusi, të jetë Bir i Zotit. Atyre u mungon urtësia e përkulshmëria ndaj nismave të Hyjit, me pak fjalë u mungon përvujtëria. Krenaria e verbër u pengon atyre ta hetojnë e zbulojnë praninë e Zotit në aspektin e thjeshtë e të rëndomtë njerëzor të Jezusit: “Po a nuk është ku zdrukthëtar (marangoz), i biri i Marisë, vëllai i Jakobit...e motrat e tija po a nuk janë këtu ndër ne ?” (Mk 6,3). Ungjilli shton: “ata shkandulloheshin prej tij” (rr 3), do të thotë që këto dyshime përfaqësojnë pengesën e vërtetë, murin ndarës që pengon besimin e tyre, ndalon mundësinë e hapjes së tyre para shpëtimit të Zotit të pranishëm në Jezusin, njeriun e zakonshëm. Po, është e vërtetë, Zoti nuk i përgjigjet mendësisë së njerëzve e lidhjeve apo marrëdhënieve të kësaj bote, siç janë familja, zanati, miqësia, farefisi. Duhet të lirohemi prej mendësisë njerëzore e prej mentalitetit të kësaj bote, nëse duam t’i përgjigjemi e ta përqafojmë Fjalën, të cilën Hyji e ka dërguar mbi tokë dhe të besojmë në urtinë e tij e në mrekullitë e tija. Vetëm kush beson mund ta fitojë shpëtimin (Ungjilli).
Në Nazaret, bashkëqytetarët e Jezusit çuditeshin për predikimin tij dhe për mrekullitë që ai bënte, por mbesin në mosbesimin e tyre: si mundet një njeri, që njihet e dihet në vendin e tyre, të bëjë mrekulli të tilla?. Këta harrojnë se feja është gjithmonë një “dhuratë që vjen nga lartë”. Kështu, pjesa ungjillore e kësaj së diele përmbyllet mes dy parantezash të çuditjes e mahnitjes: ajo e banorëve të Nazaretit – “ E shumica duke e dëgjuar çuditeshin” dhe ajo e Jezusit – “ E çuditej për mosbesimin e tyre”. Jezusi nuk e lë askënd indiferent. Mahnitja, çudia shkakton pyetje, nxit kërkimin. Vërtet Marku menjëherë propozon pesë pyetje – numri klasik i pikëpyetjeve me të cilat Bibla është përplot, Psalmet janë përplot, pra kemi Jezusin si objekt të mahnitjes, Jezusin si pikëpyetje.
Në Markun, para dy të dielash, dishepujt pyesnin: “Kush vallë është ky të cilit i bindet era e deti?” (4,41). Në pjesën ungjillore të kësaj së diele, njerëzit e vendlindjes së tij pyesin e kërkojnë: “Po a nuk është ky Jezusi jonë? Po a nuk është ky marangozi për të cilin dimë çdo gjë?”. E, në fund të pjesë ungjillore kemi befasinë e Jezusit, çudinë e dhimbshme të tij se pse nuk është kuptuar, çudinë e të dashuruarit të refuzuar që vazhdon të dashuroi, që vazhdon të bëjë gjeste, edhe më të voglat gjeste, për të thënë me zemër të plasur dëshirën e parealizueshme. “E nuk mundi atyre të bëjë asnjë mrekulli”, thotë Marku, por menjëherë korrigjohet: “Vetëm vuri duart mbi të sëmurët dhe i shëroi”. Dashuria e refuzuar vazhdon të dashuroj: shëron pak të sëmurë, por nuk ushqen urrejtje, nuk mban inate. Dashuria nuk lodhet; vetëm çuditet, por vazhdon ta shëroj jetën. 

                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I parë Ez 2, 2-5
Izraeli është një popull rebel dhe jo besnik. Ezekieli është internuar së bashku me popullin e tij dhe i flet popullit në emër të Shpirtit të Zotit. Si shpallës i fjalës së Zotit ai pranon të njëjtin fat me bashkëqytetarët e tij, por vazhdon të denoncojë pabesnikëritë e popullit të tij. 

Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Në ato ditë, një shpirt hyri në mua, më ngriti në këmbë dhe e dëgjova atë që po fliste me mua.
Ai më tha: “Biri i njeriut, unë po të dërgoj tek bijtë e Izraelit, te një popull kryengritësish që kanë çuar krye kundër meje. Ata dhe etërit e tyre kanë mëkatuar kundër meje deri në ditën e sotme. Njerëzit, tek të cilët po të dërgoj, janë kokëfortë e zemër-gur. Ti thuaju: Kështu thotë Zoti Hyj! Dëgjuan ose s’dëgjuan – sepse janë pjellë e keqe – megjithatë le ta dinë se në mesin e tyre është profeti!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 123
Sytë tanë janë të kthyer drejt Zotit


Drejt teje po i ngre sytë e mi,
drejt teje që banon në qiell.
Qe, porsi sytë e shërbëtorëve
drejt dorës së zotërinjve të vet.

Porsi sytë e shërbëtores
drejt duarve të zonjës së vet,
ashtu priren sytë tanë drejt Zotit, 
Hyjit tonë,
derisa të ketë mëshirë për ne.

Ki mëshirë për ne, o Zot, 
ki mëshirë për ne, 
sepse për së tepërmi 
na kanë mbuluar me përbuzje.
Sepse u ngi tepër më shpirti ynë
me përqeshje të të ngopurve,
me përbuzje të krenarëve.

Leximi II : 2Kor 12,7-10
Pali tregon përvojat e tij mistike dhe pohon se ka një ferrë të mistershme në trup, ndoshta sëmundje apo vuajtje me qëllim që të mos bjerë në tundimet e mendjemadhësisë. Ai është munduar ta largojë, por tani e pranon me përvujtëri. Hyji zgjedh për misionin e tij njerëz normalë, që janë të kufizuar dhe mëkatarë. E pikërisht në dobësi Zoti na qëndron afër.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, që të mos më rritet mendja për shkak të lartësisë së zbulesave, m’u dha në trup një ferrë – engjëlli i djallit – për të më rrahur që të mos krenohem. Për këtë gjë tri herë iu luta Zotit të largohet prej meje. Por Ai m’u përgjigj: “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” Për këtë arsye me kënaqësi do të krenohem edhe më tepër me ligështitë e mia që të banojë në mua fuqia e Krishtit. Prandaj kënaqem në ligështi, në sharje, në vështirësi, në salvime e ngushtica që më bëhen për shkak të Krishtit! Sepse, kur jam i ligshtë, atëherë jam i fortë.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. 
Atyre që e pranuan u dha zotësinë 
të bëhen bijtë e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Mk 6, 1-6
Jezusi ndërsa shpall Ungjillin në qytetin e tij, ngjall disa kontradikta mbi personin e tij: disa mahniten nga dituria e tij, të tjerët skandalizohen dhe e refuzojnë. Ungjilltari sheh në këtë fakt se për të ndjekur Ungjillin është e nevojshme të thyhen disa mentalitete. Për Jezusin, të afërmit e tij dhe atdheu i tij nuk janë ata që kanë thjesht një lidhje gjaku apo shoqërore me të, por të gjitha ata që besojnë në Të dhe pranojnë e jetojnë Ungjillin e tij.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u nis prej andej e shkoi në vend ku u rrit. E përcollën edhe nxënësit e tij. Kur erdhi e shtuna, filloi të mësojë në sinagogë. Shumica e dëgjuesve çuditeshin e thoshin: “Nga i vijnë këtij këto? Ç’është kjo dije që iu dhurua? Po këto mrekulli të mëdha që bëhen nga duart e tija? Po a nuk është ky zhdrukthëtar, i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Jozefit, i Judës, i Simonit? Po a nuk janë këtu ndër ne motrat e tija?”. Jezusi u tha: “Profeti ndahet pa nder vetëm në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.” Dhe nuk mundi aty të bëjë asnjë mrekulli, përveç se shëroi disa të sëmurë duke vënë mbi ta duart. E çuditej për mosbesimin e tyre. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu..........








All the contents on this site are copyrighted ©.