2015-07-03 13:11:00

Françesku: politika të jetohet si formë e lartë e dashurisë dhe e bamirësisë


Papa Françesku fton për t’u lutur, që përgjegjësia politike të jetohet në të gjitha nivelet, si formë e lartë e dashurisë dhe e bamirësisë. Është fjala për ndjetin universal të lutjes, propozuar për muajin korrik.

Që në Evangelii Gaudium, Papa pati pohuar se “politika”, tepër e përfolur, është thirrje tejet e lartë, një nga format më të çmuara të dashurisë e të bamirësisë, sepse kërkon të mirën e përbashkët. I lutem Zotit, shkruan Françesku, të na dhurojë sa më shumë politikanë, që e kanë vërtet për zemër shoqërinë, popullin, jetën e të varfërve. Politikanë, që kujdesen për më të ligshtit: të uriturit, të papunët, të pastrehët, të braktisurit, fëmijët ende në kraharor të nënave. Gjithë të shfrytëzuarit e ata, që shoqëria aktuale e hedhurinës, i shndërron në fundërri, në “mbeturina”, sepse sot, “në këtë ekonomi që vret, njerëzit, pati thënë Papa në një nga Meshët e kremtuara në Shtëpinë e Shën Martës (1 maj 2013), kanë shumë më pak rëndësi sesa sendet, nga të cilat përfitojnë ata, që kanë në dorë pushtetin politik, shoqëror, ekonomik”.

Papa u bën thirrje politikanëve të mos kërkojnë përfitimet vetjake, por dinjitetin njerëzor. Rreziku, përsërit vazhdimisht Françesku, është ai i rënies në prehërin e korrupsionit. Term ky, që në fjalën e Papës fiton përmasë shpirtërore. Në Meshën për parlamentarët italianë, më 27 mars 2014, Françesku kujtoi se i korruptuar është njeriu  që i vë një gur të madh zemrës, aq sa të mos mund ta dëgjojë më as zërin e Zotit. Njeriu, që ia mbyll zemrën Zotit e të afërmit, që nuk e dëgjon zërin e nevojtarëve. I vetmi zë, që i pëlqen të dëgjojë, është ai veti e i partisë së vet. Njerëz me sjellje të këndshme por me zakone  krejt të pakëndshme, që shtypin popullin, duke i ngarkuar barrë të rënda, të cilat ata vetë as me gisht nuk i çikin. Mëkatari, kujton gjithsesi Françesku, mund të pendohet kurdoherë,  pa harruar kurrë se Zoti është i mëshirshëm e i pret të gjithë. Edhe të korruptuarin. Po ai vështirë se kthehet tek Zoti,  sepse nuk do të ndreqet,  dëshiron të dalë i larë nga çdo situatë, të ecë përpara me çdo kusht e të mos kthehet kurrë prapa, për të parë gjurmët e tij në udhën e jetës.

Papa Françesku i ftoi politikanët, posaçërisht ata të krishterë, të jenë të guximshëm, sepse politika, kujtoi më 30 prillin e kaluar, duke u takuar me bashkësitë e jetës së krishterë, është një lloj martirizimi i përditshëm: të kërkosh të mirën e përbashkët, pa rënë në kurthin e korrupsionit! Të bësh politikë është e rëndësishme. Mund të bëhesh edhe shenjt, duke u marrë me politikë. “Të merresh me politikë”  do të thotë të mbartësh mbi supe kryqin e një mori dështimesh e mëkatesh. Bota, nënvizon në vijim Papa, vështirë se bën mirë në mes të shoqërisë, pa i njollosur sadopak duart ose, ç’është më keq, zemrën. Por nëse u ndote, shko e kërko falje. Mos e humb guximin, por vijo të luftosh për një shoqëri më të drejtë e më solidare.

Nëse Zoti të thërret për këtë udhë, kujton akoma Papa, bëj politikë. Do të vuash, duke e bërë, e ndoshta edhe do të mëkatosh. Por Zoti është me ty. Lypi të falur e ec përpara. E mos lejo që kultura e hedhurinës të na flakë një ditë të gjithëve ndër plehra. Të flakë edhe gjithësinë, sepse gjithësia  shkon duke u rrënuar për ditë e më shumë. E, mos e harroni fjalën e Palit VI: “Politika është një nga format më të larta të bamirësisë, e edhe të dashurisë”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.