2015-07-02 11:31:00

Drejtësi e Paqe: të ndryshohet drejtimi, duke ndjekur Enciklikën e Papës


“Ndryshoje Planetin – Kujdesu për njerëzit” është fushata, që nisi dje në Sallën e Shtypit të Vatikanit, gjatë paraqitjes së konferencës “Njerëzit dhe planeti në vendin e parë: i domosdoshëm, ndryshimi i drejtimit”. Konferenca mbahet sot në Romë. Takimi u organziua nga Këshilli Papnor i Drejtësisë e Paqes, në bashkëpunim me rrjetin Cisde, shoqata jo qeveritare katolike.

Enciklika e Françeskut “Laudato si’” është prijëse, fanar. I fton të gjithë të nisin një rrugë të re në frontin e ndryshimeve klimaterike. Relatorët, që e paraqitën konferencën në Sallën  vatikanase të Shtypit e nënvizuan këtë shumë herë, duke vënë theksin mbi perspektivën përtëritëse dhe thirrjen urgjente për të vepruar.  Sipas kardinalit Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësië dhe Paqes, gjithçka duhet të niset nga vërejtja e Papës,  i cili na kujton se klima është pasuri e përbashkët e se jemi përballë njërës nga sfidat më të rëndësishme të kohëve tona, kur veprimtaria njerëzore e ka dëmtuar rëndë ambientin, me pasoja të rrezikshme në nivelin shoqëror, ekonomik e politik. Prandaj është e nevojshme të gjinden mënyra të reja, për ta menduar ekonominë e progresin. Fjalimin e kardinalit Turkson e lexoi Flaminia Giovanelli, zëvendës-sekretare e dikasterit vatikanas:

“Yet the single biggest obstacle…

Pengesa e vetme e madhe për ndryshimin e drejtimit nuk është ekonomike, shkencore e as teknologjike. Pengesën e kemi në mendjet tona, në zemrat tona. Të njëjtat mendje, që krijojnë pengesa, kur është fjala për të marrë vendime rrënjësore e për ta ndryshuar prirjen e ngrohjes globale, pengojnë edhe arritjen e objektivit për zhdukjen e varfërisë. Është e domosdoshme përpjekja e përgjithshme për t’u bërë ballë të dy problemeve: reduktimit të ndotjes dhe zhvillimit të vendeve e rajoneve më të varfëra”.

Brend Nilles, sekretar i përgjithshëm i Cisde (International Alliance of Catholic Developmenet Organization”(Aleancës Ndërkombëtare të Organizatave Katolike për Zhvillimin), vuri theksin mbi nevojën e punës së përbashkët, sepse solidariteti ndihmon për t’i përballuar problemet që në rrënjë. Prej këndej, ftoi për pjesëmarrje në luftën kundër ndryshimeve klimaterike, duke gjetur rrugëzgjidhje, që mund të nisen nga poshtë, nga stilet tona të jetesës, nga përpjekja që zëri ynë të dëgjohet përmes presioneve mbi qeveritë e, për këtë, Konferenca e Parisit kushtuar klimës, do të jetë vendimtare. E, lidhur me këtë takim, bëri thirrje për një fushatë ad hoc :

“We launched today…

Filluam sot, me këtë konferencë shtypi, fushatën e re ndërkombëtare “'Change for the planet, care for the people'” (Ndryshoje Planetin – Kujdesu për njerëzit)  mbi stilin e jetesës, që i fton njerëzit të ndryshojnë mënyrën e të jetuarit e të ecin  në rrugën, që çon drejt ardhmërisë së qëndrueshme".

Shtatë, pikat, që preku profesor Ottmar Edenhofer, bashkëpresident i   "Intergovernmental Panel on Climate Change”(Organizata Ndërqeveritare për ndryshimet klimaterike), për të treguar se Enciklika e Papës nuk është tekst kushtuar vetëm klimës, por edhe varfërisë e pabarazisë.

“E vështirë, por jo e pamundur”. Kështu u shpreh gazetarja  dhe shkrimtarja kanadeze Naomi Klein, prej vitesh teoriciene dhe aktiviste e lëvizjes no-global, që e ftoi politikën të mos fshihet përballë sfidës së ndryshimeve klimaterike. Një ndërhyrje me ndikim të madh, ky i kësaj gruaje, që e quan veten “feministe, hebreje e laike”. E çuditur nga ftesa, e posaçërisht e prekur thellë nga Enciklika e Papës Françesku,  u drejtoi të gjithëve ftesën për ta lexuar me gjithë zemër. Nën akuzë, edhe prirja që ka ndokush për ta ndjerë veten më të fortë se natyra, gjë që ka çuar në paaftësinë për ta respektuar gjithësinë:

"We can save ourselves…

Mund të shpëtojmë, por vetëm nëse heqim dorë nga sundimi e nga epërsia e nëse mësohemi të punojmë krah për krah me natyrën”.

Në analizën e saj, Naomi Klein vë në dukje sesi modelet ekonomike sunduese i kanë marrë e vijojnë t’i marrin nëpër këmbë njerëzit:

“The truth is that we have arrived…

E vërteta është, se kemi arritur në një pikë të rrezikshme, pjesërisht sepse shumë nga specialistët ekonomikë na zhgënjyen, duke i ushtruar, pa pikë urtie, aftësitë e tyre të forta teknokratike. Prodhuan, kështu, modele shkandulluese, që e vlerësojnë tepër pak jetën njerëzore, posaçërisht jetën e të varfërve, duke mbrojtur vetëm fitimet e ndërmarrjeve dhe zhvillimin ekonomik me çdo kush”.

U vunë, kështu, në lojë, gjëra që nuk duhet të ishin vënë kurrë, e nuk mund të ndahemi, e as  të lejojmë të na ndajnë ndryshimet ndërmjet nesh”. Naomi Klein kujtoi edhe marshimin e 400 mijë njerëzve, shtatorin e kaluar, në New York, e sidomos, britmën, që u lartua nga turma, për t’u dëgjuar”:

“But difficult is not the same…

“E vështirë po jo e pamundur. Të heqësh dorë nga besimi në një punë, që mund të shpëtojë jetë të panumërta e të parandalojë vuajtje të shumta, vetëm sepse është diçka e vështirë, e kushtueshme e që kërkon shumë flijime, nuk është sjellje praktike: është tipi më i poshtër i dorëzimit para vështirësive". 








All the contents on this site are copyrighted ©.