2015-07-01 13:41:00

Papa lutet që në Amerikën Latine shoqëria të jetë më vëllazërore


Pak ditë para nisjes për shtegtimine tij apostolik në Ekuador, Bolivi e Parguai, ku do të jetë nga 5 deri më 13 korrik, Papa ia kushton ndjetin e lutjes të krishterëve të Amerikës Latine, me dëshirën që: “Përballë pabarazive shoqërore, të  japin dëshmi dashurie për të varfërit e të mund të kontribuojnë për një shoqëri më vëllazërore”. Për pritjen e kësaj vizite, u lidhëm telefonikisht me imzot Eugenio Scarpellini-n, ipeshkëv i El Alto, qytet i Ekuadorit, ku  do të shkelë së pari Papa, të mërkurën, më 8 korrik:

Përgjigje: - Jemi tepër të kënaqur e kemi një gëzim të pamasë, sepse  presim Atin e Shenjtë. Po bëjmë një punë të jashtëzakonshme për ta organizuar sa më mirë pritjen. Por puna e bërë me gëzim nuk të rëndon aspak, përkundrazi. E shpresojmë që bota mbarë të marrë,  nga kjo vizitë e Atit të Shenjtë në tre vendet e Amerikës Latine, mesazhin e madh të vëmendjes ndaj një populli besimtar. Një populli, që pret të ketë më shumë dinjitet, ta kapërcejë krizën e t’i zhdukë padrejtësitë, që nuk mungojnë. Por, pavarësisht nga gjithë këto, një popull që shikon plot shpresë drejt së ardhmes.

Pyetje: - Tema e gëzimit, e haresë, është qëndrore në këtë shtegtim. E edhe Papa Françesku e kujtoi këtë në një videomesazh, këtyre ditëve…

Përgjigje: - Pikërisht. Ai dëshiron të vijë për të qenë pranë nesh, për të perceptuar shqetësimet tona, por edhe për të na sjellë gëzimin e Ungjillit. Papa vjen për ta lexuar nga afër jetën tonë e për ta mbushur këtë jetë, nganjëherë të zbrazët, me gëzimin e shpresën që kumton Ungjilli. Dëshiron të jetë pikërisht bariu, që jeton në mes të grigjës së vet, të cilën jo vetëm e njeh fare mirë, sepse informohet gjithnjë për të, edhe nga larg, por   që dëshiron t’i shikojë sy në sy njerëzit, ta njohë më nga afër jetën e tyre në Bolivi e në këtë jetë, të skalisë fjalën e tij e mesazhin e tij të shpresës e të gëzimit.

Pyetje: - Për të përdorur një shprehje shumë të dashur për Papën, dëshiron të jetë “bari, që i vjen era dele”…

Përgjigje: - Pikërisht. E do të shkelë së pari në trojet e një qyteti të madh, i fundit, që u ngrit në Bolivi. E të mendosh se 30 vjet më parë ky qytet kishte vetëm 200 mijë banorë, ndërsa sot ka një milion e 50 mijë. Është zgjeruar me lagje periferike të mëdha, ku akoma mungojnë strukturat bazë, prej këndej, me probleme shoqërore shumë shqetësuese. Papa do të shkelë së pari këtu, në El Alto, qyteti im, dioqeza ime.

Pyetje: - Papa lutet, duke menduar për situatën në Amerikën Latine: përballë  pabarazive shoqërore,  të krishterët  e këtyre trojeve mund të japin dëshminë e dashurisë për të varfërit e të kontribuojnë për një shoqëri më vëllazërore…

Përgjige: - Sigurisht, në Bolivi janë bërë shumë hapa përpara për t’i kapërcyer pabarazitë, Hapa të rëndësishme, por që, megjithatë, nuk mund ta ndryshojnë menjëherë një realitet, që vijon të jetë ende shumë, shumë shqetësues. Vërehen pabarazi në planin ekonomik, vërehet një hendek i thellë ndërmjet të pasurve të varfërve. Vërehen pabarazi në nivelin kulturor, në mundësinë për t‘u shkolluar, në shërbimet shëndetësore, që nuk janë njëlloj për gjithë, ashtu siç duhet të jenë... Të gjitha këto situata na shqetësojnë, por edhe na nxisin, si Kishë, për ta dëshmuar dashurinë e krishterë. Duhet të kujtojmë se në Bolivi Kisha ka ende shumë veprimtari shoqërore, është gjithnjë në shërbim të njerëzve. Kemi më se 1. 500 shkolla, veprimtari shëndetësore, qendra për fëmijët handikapatë, jetimore, që  janë nën drejtimin tonë. Prej këndej shihet se Kisha punon, e punon shumë, duke u munduar të bëjë punë, që u takojnë edhe të tjerëve. Shpresojmë, prandaj, që vizita e Atit të Shenjtë ta zgjojë mbarë shoqërinë  për t’i parë këto realitete, në mënyrë që ta kuptojë se puna duhet bërë së bashku, pa menduar i përkasim Kishës apo shoqërisë civile, jemi privatë apo në shërbim publik….

Pyetje: - Këtë uroni, si ipeshkëv, për vizitën kaq të rëndësishme të Papës?

Përgjigje: - Pa tjetër! Ne kemi fiksuar dy fjalë, si lajtmotiv i kësaj vizite; përtëritje e pajtim! Përtëritja lind nga dëshira për të ndërruar rrugë e për të qenë të vëmendshëm ndaj njëri-tjetrit, për t’i kapëcyer anësitë e për ta ndjerë se, në larmi, e pasurojmë njëri-tjetrin. Pajtim, sepse duhet ta lëmë mënjanë atë, që na ndan, në aspektet kulturore, historike, fetare. Nryshimet, përçarjet e së kaluarës, nuk mund të vijojnë ta plagosin shoqërinë tonë, vendin tonë. Duhet të marrim guximin të shikojmë përpara e, në Jezu Krishtin, të rizbulojmë kuptimin e faljes reciproke, për t’i bashkuar forcat e për të ecur kah një shoqëri më e drejtë e më e denjë për çdo njeri, që jeton në këto troje.








All the contents on this site are copyrighted ©.