2015-07-01 11:26:00

Papa, etapat e vizitës së shtatorit në Kubë e SHBA


Do të jenë nëntë ditë të ngarkuara për Papën Françesku, ato të shtegtimit të tij apostolik në Kubë e në SHBA: me takime, bisedime, fjalime e kremtime eukaristike, sipas programit të shtegtimit, njoftuar nga Salla vatikanase e Shtypit.

Nisja parashikohet për të shtunën, 19 shtator, nga Roma, në orën 10.15; arritja në aeroportin La Habana, në orën 16, me orën vendase, në të njëjtën ditë, në të cilën Papa do të ketë vetëm një veprimtari, ceremoninë e mirëseardhjes. Në kryeqytetin kuban, një ditë më pas, domethënë të diel, 20 shtator, Françesku do të kremtojë Meshën në Plaza de la Revolucion, pasuar nga vizita e mirësjelljes Raul Kastros, kryetar i Këshillit të Shtetit dhe i Këshillit të Ministrave të Republikës, e, më pas, nga lutjet mbrëmësore me priftërinjtë, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët, në Katedralen e qytetit. Dita do të përfundojë me përshëndetjen drejtuar të rinjve të Qendrës Kulturore Atë Felix Varela.

Të hënën, 21 shtator, Papa do të largohet nga Habana  për në Holguin, ku do të kremtojë Meshën Shenjte para se të niset për në Santiago. Në Santiago, ku do të kalojë natën, do të takohet me ipeshkvijtë, në Seminarin e Shën Bazilit të Madh, për t’u zhvendosur më pas në Shenjtëroren e “Virgen de caridad del Cobre”, për lutjen me ipeshkvijtë e grupin shoqërues.

Të nesërmen, e martë, 22 shtator, gjithnjë në Shenjtërore, do të kremtojë Meshën, ndërsa në Katedralen e Zojës së Ngjitur në Qiell, do të takohet me familjet.

Nga aeroporti i Santiagos, Françesku do t’i japë lamtumirën qytetit dhe ishullit të Kubës për t’u nisur drejt Washingtonit, etapa e parë e vizitës në SHBA. Ceremonia zyrtare e pritjes do të mbahet në Andrews Air Force Base, ndërsa ceremonia e mirëseardhjes është zhvendosur ditën e mëpasme, më 23 shtator, në South Lawn të Shtëpisë së Bardhë, me vizitën e mirësjelljes presidentit  të  SHBA-ve, Barak Obama. Menjëherë pas kësaj vizite, Papa do të shkojë në katedralen e qytetit, ku do të takohet me ipeshkvijtë e SHBA-ve, ndërsa pasdite, si takim i fundit i ditës, do të jetë kremtimi i Meshës, me kanonizimin e të Lumit atë Junipero Serra, në Shenjtëroren Kombëtare të Zojës së Papërlyer.

Të enjten, më 24, sipas programit, parashikohet vizita në Kongresin e SHBA-ve, vizita në Qendrën bamirëse të famullisë së Shën Patrikut, ku Papa do të takohet me të pastrehët e, pastaj, nisja me avion për në Aeroportin JFK (John Fitzgerald Kennedy) të New Yorkut ku, para përfundimit të kësaj dite, do të kremtojë lutjet mbrëmësore me klerin, rregulltarët e rregulltaret, në Katedralen e Shën Patrikut.

Më 25 shtator do të vizitojë Selinë e Organizatës Kombeve të Bashkuara. Më pas, do të marrë pjesë në takimin ndërfetar në Memorialin e Ground Zero dhe do të vizitojë shkollën “Zoja, Mbretëresha e Engjëjve”, në Harlem, ku do të takohet me fëmijët e familjeve të emigrantëve. Në orën 18, Mesha Shenjte në Madison Square Garden.

Të shtunën, 26 shtator, Papa do ta fillojë me nisjen për Philadephia, ku do të arrijë në më pak se një orë e ku do të kremtojë Meshën Shenjte me ipeshkvinjtë, klerin, rregulltarët e rregulltaret e Pennsylvanisë, në Katedralen e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Pasdite, takimi për lirinë fetare me bashkësinë hispanike dhe emigrantët e tjerë, në Indipendence Mall. Do të shkojë, pastaj, në B. Franklin Parkwau (Benjamin Franklin Parkway) për festën e  familjeve dhe mbrëmësoren e lutjes.

Në fillim të Ditës së fundit, e diel, 27 shtator, biseda me ipeshkvijtë, miq të Takimit Botëror të familjeve, në Seminarin e Shën Karl Borromeut, për të vijuar me vizitën tek të burgosurit e Institutit të korrektimit Curran-Fromhold dhe me Meshën Shenjte përfundimtare të Takimit VIII Botëror të familjeve, përsëri  në B. Franklin Parkwau.

Në aeroportin e Philadelphias, para nisjes së fluturimit, që do ta sjellë në Vatikan, Françesku do të përshëndesë komitetin organizator, vullnetarët dhe bamirësit, për t’i dhënë, pastaj, lamtumirën SHBA-ve. Arritja në aeroportin Ciampino të Romës, parashikohet për të hënën, 28 shtator, në orën 10.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.