2015-07-01 11:50:00

Më 1 korrik kalendari kujton shën Aronin e shën Esterin


Duke shfletuar kalendarin më 1 korrik Kisha përkujton  shën Julin, shën Aronin e Shën Esterin, këta dy të fundit i njohim përmes Besëlidhjes së Vjetër të Biblës. Shën Aroni është një nga figurat qendrore të pesë librave të parë të Biblës, që njihen me titullin e vetëm: Pentateuku. Bibla, kujtojmë, është edhe i vetmi burim biografik për këtë shenjt.

Vëlla një gjaku me Moisiun, Aroni qe bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit karizmatik, që Zoti ia pati  dërguar popullit të tij, skllav në Egjipt, për ta udhëhequr drejt tokës së premtuar. Hyji e lartoi Aronin, njëlloj si vëllain e tij, Moisiun, me të cilin lidhi besën e përhershme dhe i shuguroi të dy me vajin e shenjtë, si priftërinj për popullin e zgjedhur. Njeri i brishtë e mëkatar si të gjithë njerëzit tjerë të vdekshëm, Aroni megjithatë mbetet model i bashkëpunimit me Hyjin për realizimin e planit të tij të dashurisë për të mirën e njerëzimit.

Shën Ester është mbretëreshë shenjte. E është pikërisht heroina judaike, që i dha  emrin njërit prej librave të Biblës: “Libri i Ester”. Martiriologët e lashtë latinë e kremtojnë festën e Esterit më 1 korrik, ndërsa të krishterët koptë e vendosin të kremten e “mbretëreshës së Persianëve” më datën 20 dhjetor. Në Kishat e traditës bizantine Ester kremtohet së bashku me Etërit e Besëlidhjes së Vjetër. Ndër kremtime jo përkujtohet me këto fjalë: “Përkujtimi i së drejtës Ester, që e çliroi popullin e Izraelit nga vdekja”.

E famshme është lutja e saj drejtuar Zotit për ta siguruar këtë  shpëtim: “Ma dëgjo mua uratën, që jam qyqe vetëm e që nuk kam tjetër mbrojtës, përveç Teje, o Zot, sepse vetveten po e vë në rrezik...vëre në gojën time fjalën e përshtatshme....na çliro nga dora e armiqve tanë, shndërroje vajin tonë në gëzim, dhimbjen tonë, në shëndet. Ata që sulmojnë trashëgimin tënd, o Hyj, ndëshkoi në mënyrë shembullore. Duku, o Zot, dëftohu!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.