2015-07-01 15:55:00

Imzot Frang Bardhi, në përvjetorin e vdekjes, 1 korrik 1643


Imzot Frang Bardhi, në përvjetorin e vdekjes. Shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare dhe luftëtar i patrembur për çlirimin e popullit shqiptar nga pushtuesi osman. Pra si sot, më 1 korrik të vitit 1643 ndërroi jetë ipeshkvi shqiptar imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare. Imzot Frang Bardhi, i përket aradhes së atyre priftërinjve e ipeshkvijve shqiptarë, të cilët duke kultivuar gjuhën shqipe kishin si synim shpëtimin e kombit nga asgjësimi e falimentimi politik e fetar. Në letrën drejtuar lexuesve shqiptarë, në hyrje të veprës së tij Fjalori, Bardhi shpalos arsyet që e shtyn të shkruan ‘Dictionarium Latino-Epiroticum’ una cum nonullis usitatiorbus loquendi formulis – Romae – 1635. Pasi kishte medituar gjatë, se si mund të ndihmonte më së miri nga njëra anë në ruajtjen e gjuhës kombëtare e cila dita ditës shkonte duke humbur e çoroditur dhe në anën tjetër si t’u vinte në ndihmë shërbëtorëve të altarit, meshtarëve, të cilët duke mos ditur mirë gjuhën latine, nuk mund të ushtronin me ndërgjegjësim shërbimin e misionit të tyre, ai vendosi  të përpilonte një fjalor latinisht-shqip. Kjo vepër për te ishte një libër i dobishëm që ai mund ta shkruante.

Ai lindi në Kallmet të Zadrimës në vitin 1606. Studioi në kolegjin kishtar të Loretos në Itali dhe në atë të Propaganda Fide-s të Selisë së Shenjtë, në Romë. Imzot Frang Bardhi emërua ipeshkëv në dioqezën e Sapës. Krahas misionit e punës meshtarake e pastaj asaj ipeshkëvnore, imzot Frang Bardhi pati një kujdes të veçantë për kultivimin e kulturës shqipe dhe përparimin e popullit shqiptar, e kështu zhvilloi edhe veprimtari të dendura letrare dhe shoqëroro-politike.
Në korrespondencë me Kongregatën e Shenjtë të Vatikanit, Imzot Bardhi flet edhe për disa përkthime në gjuhën shqipe për përdorim të klerit, për të cilat nuk dimë më shumë nëse janë botuar apo qenë përhapur si dorëshkrime. 

Pra, ipeshkvi imzot Frang Bardhi u mor edhe me përkthimin e veprave tjera katekistike, liturgjike e fetare nga italishtja e latinishtja në shqip, për formimin shpirtëror të besimtarëve të krishterë dhe për mbrojtjen e përforcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Por imzot Frang Bardhi njihet edhe si leksikografi i parë shqiptar, si historian i folklorit e si etnograf. Që kur ishte student në kolegj, ai pat filluar të shkruajë në latinisht vepra që më vonë e bënë të njohur.

Të dhënat biografike për imzot Frang Bardhin mund të nxjerrim vetëm nga korrespondenca e dendur e tij me Romën, ku tregohet zelli i tij e veprimtaria e palodhur për të mirën e Kombit.

Disa prej tyre janë: Dictionarium latino - epiroticum (1635, Romë ), ("Fjalori latinisht - shqip" dhe "Skënderbeu" (1636, Venedik) (Apologji). Këto vepra e lidhin imzot Frang Bardhin me humanizmin. Siç përmendem, Imzot Bardhi njofton vetë se ka përkthyer edhe libra fetarë të liturgjisë, katekizma e tjerë, të cilët sot nuk njihen, dhe se ka shkruar disa relacione për viset shqiptare, të cilat kanë vlerë historike.
Në veprimtarinë e tij shoqëroro-politike imzot Frang Bardhi do të jetë në radhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për  çlirimin e popullit shqiptar e Atdheut nga zgjedha e huaj osmane, për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të gjuhës shqipe.
Gjendja e mjeruar e popullit shqiptar nën sundimin e egër osman, dëshira e përpjekjet për ta ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht bariun shpirtëror imzot Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që ai i dërgonte herë pas here Papës e Propaganda Fides në Vatikan.
Ja si shprehet imzot Frang Bardhi në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhet të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …"
Relacionet e imzot Frang Bardhit kanë edhe shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit shqiptar, për zakonet, traditën, sfidat dhe perspektivat për një të ardhme në liri e përparim.








All the contents on this site are copyrighted ©.