2015-06-30 13:56:00

Françesku: hebrenj e të krishterë janë “miq e vëllezër”


"Deklarata konciliare “Nostra Aetate”, botuar 50-vjet më parë, ndihmoi në mënyrë vendimtare për fillimin e stinës re të miqësisë e të mirëkuptimit reciprok”, në dialogun ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve. E pohoi me forcë Papa Françesku, duke pritur në audiencë një delegacion të madh të Këshillit Ndërkombëtar të të Krishterëve dhe Hebrenjve (International Council of Christian and Jews), federatë shoqatash, që angazhohet për thellimin e marrëdhënive miqësore të dy bashkësive.

Nëse sot mund ta quajmë njëri-tjetrin miq e vëllezër, e jo më të huaj,  kjo ndodh sepse pati epërsi dëshira për të dialoguar, që  pasqyrohet qartë në dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. Kështu u shpreh Papa gjatë takimit,  mbajtur në Sallën Klementine, në Vatikan, në praninë e 250 anëtarëve të grupeve të ndryshme, që angazhohen në dialogun hebraiko-kristian në botë, anëtarë të Federatës Ndërkombëtare të të Krishterëve e Hebrenjve( International Council of Christian and Jews).

Nga ndryshimet, në vëllazëri

Rasti për këtë audiencë, ishte kuvëndimi i Federatës, organizuar me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës konciliare “Nostra Aetate”, e cila ia ndryshoi përgjithnjë fytyrën dialogut ndërmjet Kishës e botës hebraike. E pikërisht mbi vlerën e këtij dokumenti, që i dha përgjigje pozitive përfundimtare rrënjëve hebraike të krishterimit e përgjigje po aq përfundimtare e të prerë antisemitizmit, u ndal Françesku, duke falënderuar Zotin për gjithçka të mirë, që u realizua  në udhën e dialogut, të miqësisë e të mirëkuptimit reciprok këto 50 vjet, sepse, theksoi Papa, Shpirti Shenjt i Zotit i shoqëroi përpjekjet tona të dialogut:

“Çrregullimi ynë njerëzor, mosbesimi e krenia jonë u kapërcyen falë Shpirtit të Zotit të gjithëpushtetshëm, e kështu ndërmjet nesh u thelluan gjithnjë më shumë mirëbesimi e vëllazëria. Nuk jemi më të huaj, por miq, dashamirë, vëllezër”.

Gjithë të krishterët kanë rrënjë hebraike

Pastaj, nënvizoi Papa, nuk duhet harruar se gjithë të krishterët kanë rrënjë hebraike:

“Prej këndej, që nga fillesat e tij, Këshilli Ndërkombëtar i të Krishterëve dhe Hebrenjve pranoi në gjirin e vet konfesione të larmishme të krishtera. Ndonëse me perspektiva të ndryshme, pohoi Papa, dëshmojmë të njëjtin e të vetmin Hyj, Krijues i Universit e Zot i historisë.  E Ai, në mirësinë e Tij të pacak e në dijen e Tij të pambaruar, e bekon gjithnjë angazhimin tonë për të dialoguar”.

Konfesionet e krishtera e gjejnë unitetin e tyre në Krishtin; hebraizmi, në Torah. Të krishterët besojnë se Jezu Krishti është Fjala e Hyjit e mishëruar në botë; për hebrenjtë, Fjala e Hyjit është e pranishme posaçërisht në Torah. Të dyja traditat e fesë kanë në themel Hyjin e vetëm, Zotin e Besëlidhjes, që i dëftohet njerëzve përmes Fjalës së Tij. Në kërkimin e rrugës së drejtë, që çon te Hyji Atë, të krishterët i drejtohen Krishtit, si burim  i jetës së re; hebrenjtë, mësimeve të Torah.

Ky tip reflektimi teologjik lidhur me marrëdhëniet ndërmjet hebraizmit e krishterimit nisi, pohoi Papa, pikërisht nga “Nostra Aetate”, që mund ta quajmë themel i fortë, i cili mund e duhet të prodhojë zhvillime të reja  në këtë drejtim. E po kështu, vijoi Françesku, vërejmë se është fuqizuar edhe interesimi i madh me të cilin Selia e Shenjtë ndjek veprimtaritë e Këshillit Ndërkombëtar. Posaçërisht duke nisur nga viti 1974, kur u krijua Komisioni vatikanas për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, Takimet tuaja vjetore, përfundoi me mirënjohje Papa, japin një kontribut të ndjeshëm për dialogun hebraiko-kristian.








All the contents on this site are copyrighted ©.