2015-06-29 13:57:00

Në Engjëllin e Tënzot, Papa i ftoi besimtarët të luten për shtegtimin e tij në Amerikën Latine


Pas Meshës, Papa doli në dritaren e studios papnore për të kremtuar lutjen e Engjëllit të Tënzot e, përballë një morie besimtarësh të pranishëm në Sheshin e ndriçuar nga rrezet e zjarrta të diellit, në një ditë tejet të nxehtë, i ftoi të gjithë të luten për shtegtimin e tij në Amerikën Latine, ku do të jetë nga data 5 deri më 13 korrik, për të vizituar Ekuadorin, Bolivinë e Paraguain.

Gëzimi i Papës për shtegtimin e ardhshëm në Ekuador, Bolivi e Paraguai

Vetëm pesë ditë para nisjes për Ekuador, Bolivi e Paraguai, Papa e ndau gëzimin për këtë shtegtim në Jug të Amerikës, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit:

“Javën e ardhshme, nga 5 deri më 13 korrik, do të nisem për në Ekuador, Bolivi e Paraguai. Ju kërkoj ju të gjithëve të më shoqëroni me lutje, që Zoti ta bekojë këtë shtegtim në Kontinentin e Amerikës Latine, aq të dashur për mua, siç mund ta merrni me mend. I shpreh popullsisë së dashur të Ekuadorit, Bolivisë, Paraguait, gëzimin që buron nga prania e afërme në shtëpinë e tyre; e ju kërkoj ju, në mënyrë të veçantë, të luteni për mua në këtë shtegtim, që Virgjëra Mari të na japë hirin e të na shoqërojë me mbrojtjen e saj amtare”.

Kisha e Romës, e themeluar mbi gjakun e shenjtorëve Pjetër e Pal

Para lutjes së Engjëllit, Françesku u kujtoi besimtarëve të shumtë, të pranishëm në Shesh, solemnitetin e sotëm të Shenjtorëve Apostuj, Pjetër e Pal. Festa kremtohet nga mbarë Kisha universale por, nënvizoi Papa, gëzimi është i veçantë në Kishën e Romës, sepse kjo Kishë i ka themelet pikërisht në dëshminë e tyre, të vulosur me gjak. Roma është plot mirënjohje e dashuri ndaj këtyre njerëzve të Zotit, ardhur nga vise të largëta për të kumtuar, edhe me çmimin e jetës, Ungjillin e Krishtit, të cilit ia kushtuan gjithë vetveten. Trashëgimia e lavdishme e dy Apostujve është burim krenarie shpirtërore për Romën e, njëkohësisht, i kujton se duhet t’i jetojë virtytet e krishtera; në mënyrë të veçantë, besimin e dashurinë:

“Besimin në Krishtin si Mesi e Bir i Zotit, të cilin Pjetri e dëshmoi i pari e Pali ua kumtoi popujve; e dashurinë, që Kisha Shenjte është e thirrur ta kujtojë me horizont universal”.

Maria dhe Shenjtorët Pjetër e Pal, prijës në fe e shenjtëri

Më pas Françesku foli për Apostujt në lidhje të ngushtë me  Marinë, që Pjetri e takoi personalisht e, në bisedë me Të, sidomos në ditët, që i paraprinë Rrëshajëve (cfr Vap 1,14) mundi ta thellojë njohjen e misterit të Krishtit. E edhe Pali, duke kumtuar përmbushjen e planit shëlbues në përplotësimin e kohës, e kujtoi “Gruan” nga e cila Biri i Zotit lindi në kohë (Cfr Gal 4,4). Në ungjillëzimin e dy Apostujve, shtoi Papa, duhen kërkuar rrënjët më të thella e shekullore të devocionit të romakëve për Virgjërën Mari, që lutet posaçërisht me titullin “Salus Populi Romani”. Maria, Pjetri e Pali janë shokët tanë në udhën e fesë e të shenjtërisë, shtoi Françesku, duke i ftuar besimtarët t’u luten, që zemra e tyre të jetë përherë e hapur për frymëzimin e Shpirtit Shenjt e për takimin me vëllezërit. Më pas Papa kujtoi kremtimin e sotëm, gjatë të cilit bekoi Paliot e Kryeipeshkvijve Metropolitë, emëruar vitin e fundit, ardhur nga të katër anët e botës, të cilët i përshëndeti njëherësh me familjarët e tyre, duke uruar që Palio, përveç forcimit të lidhjes me Selinë e Pjetrit, të jetë edhe nxitje për shërbimin ndaj njerëzve, besuar misionit të tyre baritor.

Lutja e Papës për bashkimin e të krishterëve

Duke kujtuar pjesëmarrjen në kremtimin e sotëm, në Bazilikën e Vatikanit, të delegacionit ardhur në emër të Patrikut Bartolomeu I, Françesku u lut edhe një herë për bashkimin e të krishterëve:

“Në të njëjtën liturgji pata kënaqësinë të përshëndes edhe anëtarët e delegacionit ardhur në Romë në emër të Patrikut ekumenik, vëllait të shumëdashur Bartolomeu I, për të marrë pjesë, si çdo vit, në festën e Shenjtorëve Pjetër e Pal. Edhe kjo prani është shenjë e lidhjeve vëllazërore ndërmjet Kishave tona. Të lutemi që të forcohet ndër ne dëshira për të ecur në  udhën e bashkimit”.

E një lutje të veçantë, Papa ia kushtoi Romës, duke i uruar mirëqenie shpirtërore e materiale.

Ndërmjet përshëndetjeve, edhe ajo  drejtuar artistëve që, si për vit, e kthyen në lulishtë gjithë Rrugën e Pajtimit, e edhe atyre, që do të realizojnë sonte shfaqjen piroteknike në Castel Sant’Angelo:

“Të gjithëve u uroj gëzuar festën! E, mos harroni të luteni mua. Drekën e mirë e mirupafshim!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.