2015-06-29 13:25:00

Françesku: Kisha është e Krishtit, asnjë Herod nuk mund ta shuajë fenë


Asnjë Herod, ndërmjet gjithë atyre, që e mundojnë, “nuk do të mund ta asgjësojë kurrë Kishën”. Të krishterëve, e para  së gjithash, barinjve të tyre, u kërkohet dëshmia bindëse e fesë, përmes jetës e lutjes. E pohoi Françesku në homelinë, mbajtur në Meshën solemne të Shën Pjetrit e Shën Palit, gjatë së cilës bekoi paliot, për t’ua dorëzuar, pastaj, kryeipeshkvijve të rinj metropolitë. Sipas traditës, në kremtim ishte i pranishëm edhe delegacioni i Patriarkanës ekumenike të Kostandinopojës, i përshëndetur me shumë dashuri nga Papa.

Pjetri, i flakur në një qeli, i ngarkuar me zinxhirë, i rrethuar me ushtarë, si të ishte krimineli më i ndyrë e më i rrezikshëm e, në sfond, ekzekutimi  i paramenduar nga Herodi, për të zhdukur grupin e padëshiruar, që vepronte në gjirin e popullit. Duket sikur kishte ardhur fundi i fillesës së ndritur të Rrëshajëve, fundi i Kishës së vogël, që dilte në jetën publike për të kumtuar Ungjillin, mbi të cilën nisi të rëndojë persekutimi. Ndërsa pikërisht kjo fillesë, qe paracaktuar për një ardhmëri mijëravjeçare, pohoi Françesku gjatë homelisë. Zoti, vijoi Papa, nuk i heq kurrë bijtë e tij nga bota, as nga e keqja, por u jep forcë për t’i mundur:

“Sa forca gjatë historisë, u përpoqën, e përpiqen, ta asgjësojnë Kishën, si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda. Por asgjësohen vetë, të gjitha, e Kisha mbetet e gjallë e në lulëzim! Mbetet pashpjegueshmërisht e fuqishme (..): Gjithçka kalon, vetëm Zoti mbetet. Kaluan mbretër e mbretëri, popuj e kultura, kombe, ideologji, pushtete. Por Kisha, e themeluar mbi Krishtin, pavarësisht nga stuhitë e shumta e mëkatet tona, po aq të shumta, i qëndroi besnike trashëgimisë së fesë në shërbim, sepse Kisha nuk është e papëve, e ipeshkvinjve, e priftërinjve, e as e besimtarëve: është vetëm e vetëm e Krishtit”.

Një Engjëll, përherë pranë

Vërejtja e Françeskut ishte zemra e një reflektimi, që nisi për të kujtuar persekutimet çnjerëzore e të pashpjegueshme të cilat, për fat të keq, janë edhe sot të pranishme në një mori vendesh të botës, shpesh para syve të të gjithëve e të ndjekur nga heshtja fajtore e të gjithëve:

“Por Mesha, kremtuar në solemnitetin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, është Meshë e shkëmbit dhe e zjarrit, Meshë e dy shtyllave, mbi të cilat ngrihet ndërtesa e Kishës. E është edhe Meshë e kryeipeshkvinjve metropolitë, që marrin mbi shpatulla paliot e bekuara nga Papa, simbol që i nxit të jenë, ashtu si dy Apostujt e mëdhenj, “mësues feje”, përmes jetës”.

E, para së gjithash, kujtoi Françesku, mësues të lutjes, si lutja e pareshtur, që të krishterët e parë i lartuan Zotit, duke nxjerrë prej Tij hirin e mrekullisë së dërgimit të Engjëllit, i cili do ta lironte Pjetrin nga burgu:

“Të mendojmë, sa herë e dëgjoi Zoti lutjen tonë, duke na dërguar edhe ne një Engjëll? Atë Engjëll, që vjen papritmas për të na shpëtuar nga situatat e vështira. Për të na nxjerrë nga kthetrat e vdekjes e të shejtanit; për të na treguar rrugën e humbur; për të rindezur në shpirtin tonë flakën e shpresës; për të na dhënë një ledhatim; për t’i ngushëlluar zemrat tona të thyera; për të na zgjuar nga dremitja jonë ekzistenciale; ose thjesht, për të na thënë: “Nuk je vetëm!’”.

Ose dëshmitarë të Krishtit, ose të vdekur të pakallur

Ishte thirrje për t’u lutur e për ta përforcuar fenë, që nuk shuhet përballë asnjë persekutimi: këtë na dëshmon jeta e Shën Pjetrit dhe e Shën Palit.

Më pas Papa foli për një thirrje të tretë, për “dëshminë”, që nuk mungoi kurrë, nënvizoi, në njëzet shekuj historie martirësh e shenjtorësh:

“Kisha ose i krishteri pa dëshmi, është shterpë; i vdekur, që mendon se është gjallë; pemë e fishkur, që nuk jep fryt; pus i tharë, që nuk ka ujë! Kisha fitoi mbi të keqen, falë dëshmisë së guximshme, konkrete e të përvuajtur të bijve të saj”.

Mësojuni besimtarëve guximin e fesë

Në këtë çast, Papa i hodhi një vështirm gjysëmrrethit të metropolitëve të rinj, gati-gati si të donte t’i ngulte mirë në zemrat tyre porositë, që përgatitej t’u jepte: 

“Krishti ju do njerëz të fesë, mësues të fesë: që i mësojnë besimtarët të mos kenë frikë nga shumë e shumë Herodë, të cilët i mundojnë me persekutime, me kryqe të të gjitha llojeve. S’ka Herod, që mund ta shuajë dritën e shpresës, të fesë e të dashurisë së njeriut, që beson në Krishtin!”. .

Mësues koherence

Nuk ka dëshmi, pa jetë koherente, vijoi të përsërisë Papa, duke i porositur prelatët e radhitur para elterit, t’i mësojnë popullit se çlirimi nga të gjitha llojet e burgimeve, është vetëm vepër e Zotit e fryt i uratës:

“Sot nuk ndjehet aq nevoja për mësues, sa për dëshmitarë guximtarë, të bindur e bindës: dëshmitarë që nuk turpërohen nga Emri i Krishtit dhe i Kryqit të Tij, as nga luanët brurues e as nga pushtetet e kësaj bote. E kjo është shumë e thjeshtë, sepse dëshmia më e frytshme e më e vërtetë është të mos i kundërvihesh, me sjellje e me jetë, asaj që e predikon me fjalë e që ua mëson të tjerëve”.

E, në përfundim, porosia:

“Mësojeni lutjen, duke u lutur; kumtojeni fenë, duke besuar; jepeni dëshminë, duke e jetuar!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.