2015-06-28 11:45:00

Dhimbja e Papës për sulmet në Tunizi, Francë e Kuwait


Dhimbje për atentatet e së premtes së kaluar në Tunizi, Francë e Kuwait shprehet në tre telegrame të Papës, me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit, kardinalit Pietro Parolin. Në mesazhet, drejtuar nuncëve apostolikë, Françesku dënon përsëri dhunën, që bëhet gjithnjë burim vuajtjesh dhe i kërkon Zotit dhuratën e paqes e bekimin hyjnor mbi familjet e viktimave, si dhe mbi francezët e tunizianët. Papa i lutet Zotit t’i ngushëllojë njerëzit e vënë në këtë provë të vështirë, duke ia besuar mëshirës së Tij të gjithë ata që e humbën jetën.

Ati i Shenjtë pohon se është thellësisht i trishtuar nga lajmi mbi humbjen tragjike të viktimave njerëzore, shkaktuar nga sulmi kundër një xhamie në Kuwait City dhe ofron lutjet e tij  për viktimat e për të gjithë ata që qajnë e janë në zi. Duke i dënuar këto akte barbare, kërkon t’u përcillet afërsia e tij shpirtërore familjeve të prekura thellë nga ky çast dhimbjeje, inkurajon popullsinë e Kuwait-it të mos e lëshojë zemra përballë së keqes  e lutet që kombi ta ndjejë në këto çaste forcën e dashurisë ngushëlluese e lehtësuese të të Gjithëpushtetshmit.    








All the contents on this site are copyrighted ©.