2015-06-26 18:13:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 13-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele i këndon jetës që Zoti na ka dhuruar dhe ripohon se Ai nuk e do vdekjen tonë, siç thotë Leximi I nga libri i Urtisë. Ndërsa pjesa e Ungjillit na propozon Jezusin, si dhurues të jetës. Ungjilli i së dielës na kujton se Jezusi është “ringjallja dhe jeta”. Me mrekullitë që flasin për kthimin në jetë të vajzës së Jarit dhe shërimin e gruas së sëmurë nga gjakderdhja, Jezusi e shndrit ekzistencën tonë njerëzore. Na thërret të kemi fe dhe na hap zemrën ndaj shpresës së thellë të jetës e të shpëtimit.

Kështu pra, Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të reflektojmë mbi vlerën vërtetë të jetës njerëzore dhe mbi përvojën e takimit personal me Krishtin e me Fjalën e tij si burim jete: “Fjalët tua, o Zot, janë shpirt e jetë”, ky pohim mund të themi se është tema dhe përmbledhja e kremtimit të Fjalës së Zotit të dielës së 13-të. Leximet biblike të Meshës së dielës, kësaj here, përqendrohen pra mbi kuptimin e jetës, e këndej të vdekjes, në dritën e fesë, pra të ringjalljes, duke na ftuar të reflektojmë e të zbulojmë bukurinë dhe kuptimin e vërtetë të ekzistencës. Pra Leximi i parë nga Libri i Urtisë (Urt 1,13-15; 2, 23-24) dhe pjesa e Ungjillit nga Marku (Ungjilli Mk 5,21-43) flasin mbi pavdekshmërinë e jetës dhe ringjalljen; leximi i dytë nga Letra e dytë e Shën Palit drejtuar Korintianëve (2Kor 8,7.9.13-15) flet mbi solidaritetin, bujarinë dhe ndarjen vëllazërore me të varfrit të të mirave shpirtërore e materiale, si shenjë dalluese e jetës së vërtetë të krishterë.
Pjesa e Ungjillit e kësaj së diele, tregon dy përvoja feje. E para tregon për gruan e sëmurë prej 12 vjetësh, feja e së cilës gati gati është besëtytni. Gruaja mendon: më mjafton ta preki petkun e Jezusit. Nuk ka rëndësi nëse nuk mund të bisedoj, të jem sy më sy me Të, thua sikur manteli të ishte hajmali, e relacioni ndërmjet të prekjes e shërimit të ishte diçka automatike dhe i menjëhershëm. Në kornizën e dytë të Ungjillit kemi një babai që përjeton fenë e tij; e bija e tij nuk flet, nuk di gjë, është objekt i dashurisë, jo subjekt i fesë. Ajo është e dashur, e kaq mjafton. Janë eksperienca të fesë së papërsosur, të fesë parciale, e megjithatë Hyjit i mjafton. Jezusi hyn në jetën tonë për të na kthyer e ri-dhënë jetën, atë jetë që e mposht vdekjen dhe ngadhënjen në Amshim.
Kështu nga tregimet e ungjillit, Jezusi dëftohet si Zotëria i jetës, si që Ai e ka pushtetin për ta falur përsëri jetën dhe për ta shëruar e rilindur atë. “Shenjat” që Ai bën janë paralajmërim i ringjalljes së ardhshme, i pjesëmarrjes në jetën e të Ngjallurit, që i është premtuar të gjithë atyre që besojnë në të.
Jezusi, duke shikuar plot përdëllim sëmundjen dhe vdekjen e njeriut, përmes shenjës që paralajmëron ngjalljen e tij e ringjalljen tonë, dëftohet e tregohet si Zotëria i jetës. Ashtu sikur Jezusi, edhe ne duhet t’u japim dorën, t’i ndihmojmë të gjithë atyre që gjendën në situata vështirësie, ligështie, dhimbjeje apo vdekjeje, për ti ndihmuar e ndërtuar së bashku një jetë dhe një botë të re.
Leximi i parë nga Libri i Urtisë pohon se “vdekja hyri në botë prej smirës së djallit”. Njeriu mëkatar e bën përvojën e vdekjes. Por Zoti nuk heq dorë nga projekti i tij fillestar i njeriut të krijuar për pavdekshmëri e këtë e realizon duke dërguar Birin e vet, Jezu Krishtin, i cili përmes vdekjes i dhuron jetën të gjithë atyre njerëzve që besojnë në të.
Psalmisti këtë të diele klithë: “Të madhëroj, o Zot, pse më lirove” . Psalmi (Ps 30 (29) është një këngë falënderimi e mirënjohjeje për shpëtimin, të cilit i referohet në shumë mënyra e në forma të ndryshme, antitezë vdekje-jetë. Psalmisti i përkujton Zotit se mund ta lavdëroj e madhëroj vetëm nëse kthehet në jetë, pra vetëm nëse Zoti e mban atë në jetë.
Leximi i dytë pohon :”Çka ju keni më tepër, me begati, të plotësojë atë çka të varfëve u mungon” . Shkëmbimi i të mirave në bashkësinë njerëzore e ndërmjet bashkësive të ndryshme bëhet shenjë vëllazërimi e bashkimi në fenë e Jezusit Zot. Kështu realizohet vullneti i Zoti që në provaninë e tij hyjnore, me bujari i ka shpërndarë të mirat e veta hyjnore në botën dhe gjithësinë që ka krijuar, në mënyrë që të gjithë njerëzit të kenë bukën dhe ushqimin e domosdoshëm për jetesë. Mos t’u japësh vëllezërve e të afërmve të tu të varfër e nevojtarë atë çka ke më tepër, është vërtetë në kundërshtim me vullnetin e Zotit. 
Pjesa Ungjillore nga Marku na tregon për dy mrekulli. Jezusi e shëron gruan që vuante nga një sëmundje e pashërueshme dhe ringjall vajzën e kryetarit të singagogës. Kështu Ai na dëftohet se është Zotëria i jetës e se fati i jetës sonë njerëzore është pikërisht në dorën e tij Hyjnore. Të dy mrekullitë kanë një element të përbashkët që vlen edhe për ne: fenë në Krishtin Zot. 
I thirrur të shkruante një kujtim, me rastin e kushteve të përjetshme rregulltare, i lumi Giacinto Cormier o.p. shënoi këtë fjali: “ Kryqi pa Jezusin? Është i padurueshëm. Jezusi pa kryq? Është i pakuptueshëm. Jezusi dhe kryqi të pranuar e të përqafuar me fe: janë zgjidhja e çdo gjëje”. 

                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Urt 1, 13-15; 2, 23-24
Hyji nuk është përgjegjës për fatkeqësitë që i ndodhin njeriut. Është pikërisht njeriu që duke kryer të keqen ka tronditur harmoninë e botës dhe ka futur vdekjen që është e kundërta e veprës krijuese të Hyjit. Zoti do gjithmonë jetën e njeriut dhe të krijesave. Optimizmi ynë është themeluar mbi ringjalljen e Krishtit që është paralajmërim i ringjalljes sonë.

Lexim prej Librit të Urtisë
Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet bjerrjes së të gjallëve. Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse dhe në to nuk ka vrer shkatërrues dhe nëntoka nuk e sundon tokën: sepse drejtësia është e pavdekshme. E pra Hyji e krijoi njeriun që të mos prishet dhe e bëri atë shëmbëllesë të përngjasimit të vet; por, prej smirës së djallit, vdekja hyri në botë dhe do ta shijojnë ata që i përkasin atij. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 30
Të madhëroj, o Zot, pse më shpëtove

O Zot, Hyji im, unë të thirra 
e ti më shërove,
ti, o Zot, ma nxore shpirtin nga nëntoka,
më ktheve në jetë që të mos zbres në varr.

Këndoni Zotit ju, o besimtarët e tij,
falënderojeni Emrin e shenjtë të tij!
Sepse një çast zgjat hidhërimi i tij,
e tërë jetën dashamirësia e tij!
Mbrëmja vjen me lot, e mëngjesi plot hare!

Më dëgjoi Zoti e pati mëshirë për mua,
Zoti u bë ndihmëtari im.
Ti vajin ma ktheve në valle,
ma zhgjeshe grathoren time e më ngjeshe me hare. O Zot, Hyji im, 
do të të lavdëroj për amshim!


Leximi i dytë 2Kor 8,7.9,13-15

Në sytë e Palit edhe leku mund të jetë një mjet për të dëshmuar Ungjillin e Krishtit. Ai na ka dhuruar jetën e tij, e ne përse refuzojmë të bashkohemi me të tjerët? Ndihma ekonomike ndaj vëllezërve nuk është vetëm një shenjë e thjeshtë solidariteti njerëzor, por është një shpallje besimi, një dëshmi e Ungjillit.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve
Vëllezër, sikurse edhe në çdo gjë tjetër, dalloheni në shenjë – në fe, në fjalë, në dije e në çdo kujdes, në dashurinë tuaj ndaj neve – veçohuni edhe në këtë bujari!
Sepse, ju e njihni bujarinë e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij. Porse, merret vesh se jo ju të ngushtoheni e tjerëve t’u lehtësohet, por – për një lloj barazimi. Në këtë rast – çka ju keni më tepër, të plotësojë sa atyre u mungon, kështu që, një ditë, teprica e tyre ta plotësojë mungesën tuaj – që të bëhet barazi, siç thotë Shkrimi shenjt: ‘Asgjë nuk i teproi atij që mblodhi shumë, dhe asgjë nuk i mungoi atij që mblodhi pak.’ Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja. Aleluja.

Ungjilli Mk 5, 21-43
Krishti, duke u bërë njeri provon situatat tona të dhimbjes, të vuajtjes, të vdekjes. Ai merr pjesë në përvojat tona, por provon ndaj tyre një rebelim të fortë. Mrekullia që Jezusi kryen është si një thirrje revolte kundër së keqes; por është edhe një shpallje profetike e shpëtimit dhe e çlirimit. Jezusi nuk godet të keqen vetëm nga jashtë, por e lufton që nga rrënjët duke mundur vdekjen me ringjalljen e tij dhe duke përuruar një njerëzim të lirë nga çdo e keqe.
 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair; e, kur e pa, ra në gjunjë para tij dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” Jezusi shkoi me të. Një grua ishte e sëmurë dymbëdhjetë vjet nga derdhja e gjakut. Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie, ishte edhe më keq. Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.” Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja. Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në midis të turmës e tha: “Kush m’i preku petkat?” Nxënësit e tij i përgjigjën: “Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’!” Ai i rrethoi me sy për të parë atë që e kishte prekur. Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ngjau, u afrua, ra para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!” Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej të shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Vetëm ti beso!” Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. Arritën të shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të madh. Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.
Jezusi atëherë i qiti përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. Jezusi u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi emisionin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni edhe këtu......








All the contents on this site are copyrighted ©.