2015-06-26 18:48:00

Betimi e shugurimi ipeshkëvnor i bariut të Horës së Arbëreshëve imzot Gallaro


SHUGURIMI PER PESHKOP I SH. T. Imzot GJERGJ DHIMITER GALLARO DHESPOT I CAKTUAR I HORES SE ARBERESHEVET

Pas dy vitesh me seli të zbrazët, Eparkia e Horës së Arbëresheve po përgatitet të mirëpresë Dhespotin (Ipeshkvin) e ri, Imzot GJERGJ  DHIMITER GALLARO, i emëruar nga Shenjtëria e Tij Papa Françesku fill në prill të këtij viti. Ai merr vendin si  pasardhës i Mons. Sotir Ferrara-s, i cili pati dhënë dorëheqje më 2012 për shkak të moshës, sipas të Drejtës Kanonike të Kishës.

Mungesa e Bariut shpirtëror i mundoi shumë besimtarët e të pesë vendbanimeve të Eparkisë, deri sa herë pas herë grupe besimtarësh  nga të gjitha famullitë e Eparkisë i drejtuan Kongregatës për Kishat Lindore, zyrës së Kuries Romane të ngarkuar për çështjet e Kishave Lindore katolike, lutjen për të përshpejtuar emërimin e Dhespotit (ipeshkvit) të ri.

Eparkia (Dioqeze me traditë bizantine) e Horës së Arbëresheve, Piana degli Albanesi, qe themeluar më 1937 dhe përmbledh pesë Bashkësi me origjinë shqiptare në provincën e Palermos:  Hora e Arbëresheve-Piana degli Albanesi, Sendahstina-Santa Cristina Gela,  Kuntisa-Contessa Entellina,  Munzifsi-Mezzojuso dhe Pallaci-Palazzo Adriano, përveç një numri të madhe besimtarësh arbëreshë me banim në kryeqytetin e Sicilisë, të cilët i referohen Kishës antike (sh. XII) të Shën Mërisë së Admiralit, sot selia e famullisë arbëreshe të Shën Kollit ndaj Martoranes, Kishë kjo konkatedrale e Eparkisë.

Mu në këtë Kishë monumentale e zbukuruar me mozaikë bizantinë nga sh. XII, Bariu i ri me ngrohtësi ka shprehur dëshirën të shqiptojë Formulat e Besimit (Besojmës), brenda shërbesës së Mbrëmësores të vigjiljes së dielës, të shtunën më 27 qershor, në ora 19.00. Kurse Hjrotonia, Dorëzimi si peshkop, do të mbahet në Katedralen e Shën Mitrit të Madh Dëshmor, në Horë të Arbëresheve, të Dielën, më 28 qershor, ora 10.30.

Që të dy këto ceremoni do të jenë të kryesuara nga Hirësia e Tij Kardinali Paolo Romeo, Kryeipeshkëv Mitropolit i Palermos, i cili përgjatë kohës me seli të zbrazet ka ushtruar detyrën e Administratorit Apostolik të Eparkisë

Peshkopët Shugurues, tre nga numri sipas kanunit kishtar bizantin, do të jenë:  Sh .T. Imzot Donato Oliviero, Dhespot i Ungrës për Arbëreshët e Gadishullit Italian;  Sh. T. Imzot Nikolas Samra, Peshkop i Newton (SH.B.A) për Greko-Katoliket Melkitë, dhe Sh. T. Imzot Dhimitër Salahas, Eksark Apostolik në Athinë për Greko-Katolikët e Greqisë.

Kleri dhe populli presin me padurim homelinë, pretkun, që Dhespoti i ri do të mbajë fill mbas shugurimit, ngase Mons. Gallaro, është me origjinë nga Sicilia, pra nuk është arbëresh.  Ai vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku pati përqafuar traditën kishtare bizantine, baras me të Arbëreshëve, në Komunitetin Melkit i atjeshëm.  Ka ligjëruar të Drejtën Kanonike tek Universiteti i Newton-it, ndërsa ishte Protosynqellos, Vikar i Përgjithshëm, i Eparkisë së vetë dhe Konsultues i Kongregatës për Kishat Lindore. Pritet të jenë të pranishme personalitete të larta nga Amerika, Shqipëria, Kosova dhe Italia.

Ceremonitë mund t’i shikoni në striming  http://sandemetriopiana.blogstop.T/  te shtunën nga ora 19.00, te dielën ora 10.00.

Nga Palermo njofton Zef Chiaramonte, 26 qershor 2015                                                                                








All the contents on this site are copyrighted ©.