2015-06-25 12:34:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit


Ja në takimin tonë me Fjalën e Zotit të festës së Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit. Vëllezër e motra të dashur, në liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj feste, përmes leximeve biblike, Kisha na thërret të kremtojmë me gëzim Lindjen e Gjon Pagëzuesit, Pararendësit të Jezu Krishtit, me fjalë e me vepra. Shën Gjon Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. 
Në solemnitetin e Lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit, Kisha na fton të gjithëve, pa dallim e pa përjashtim, të ecim në gjurmët e Pararendësit të Krishtit, ta dëshmojë të vërtetën dhe dashurinë me guxim e pa kompromise, sipas shembullit të tij. 
Kështu, më datën 24 qershor Kisha përkujton e kremton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit: solemnitet aq i rëndësishëm për arsyeja se jeta e Shën Gjonit, ashtu si ajo e Virgjërës Mari, iu kushtua krejtësisht Jezu Krishtit.
Gjon Pagëzuesi qe pararendësi, ‘zëri’ i dërguar nga Hyji për të kumtuar Krishtin, Fjalën e Mishëruar. Prandaj, ta kremtosh ditëlindjen e tij do të thotë të kremtosh Krishtin, përmbushjen e premtimeve të të gjithë profetëve, nga të cilët Pagëzuesi qe më i madhi, sepse i thirrur të përgatisë udhën para Mesisë.
Po kujtojmë se të gjithë ungjijtë e fillojnë rrëfimin mbi jetën publike të Jezusit, duke përshkruar sesi Gjoni e pagëzoi Zotin Jezus në lumin Jordan, ngjarje, që asokohe pati jehonë të jashtëzakonshme. Njerëzit rendnin nga Jerusalemi e nga të katër anët e Judesë për të dëgjuar Shën Gjon Pagëzuesin e për t’u pagëzuar prej tij në lumë, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Gjoni është i famshëm, megjithëse nuk kumton vetveten, por “Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës”. Ai është dëshmitari i parë i Jezusit që, duke pas marrë shenja nga qielli, e tregon Atë si Birin e Hyjit dhe shpërblyesin e njeriut. Rrëfen, kështu, të vërtetën, pa kurrfarë frike.
Si profetë i vërtetë, Gjoni bëri dëshmi për të vërtetën, pa kompromise. Denoncoi shkeljet e urdhrave të Zotit, edhe kur ata që nuk i respektonin, ishin njerëz të pushtetshëm. Kështu, kur Gjon Pagëzuesi akuzoi Herodin e Herodiadën për shkelje kurore, e pagoi me jetë, duke e vulosur me martirizim shërbimin e tij ndaj Krishtit, që është vetë e Vërteta. T’i lutemi të ndërmjetësojë për ne, së bashku me Zojën e Bekuar, që edhe në ditët tona Kisha t’i qëndrojë gjithnjë besnike Krishtit e ta dëshmojë me guxim të vërtetën e tij e dashurinë e tij për të gjithë.
Me shembullin e tij, Shën Gjon Pagëzuesi, na mëson pra, të luftojmë kundër padrejtësive, kundër mashtrimeve, kundër shpërdorimeve, kundër imoralitetit, gënjeshtrës e ta dëshmojmë me guxim e me vepra të vërteta, të drejta, paqeje e dashurie dhe feje (besimi),
Le t’ia besojmë ndërmjetësimit të Shën Gjon Pagëzuesit të gjithë ata që, duke ndjekur shembullin e tij, përhapin në botë drejtësinë e Mbretërisë së Hyjit. Si Shën Gjon Pagëzuesi, edhe ne ta dëshmojë të vërtetën pa kompromise.

                                     Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi par Iz 49,1-6
Shërbëtorit të Jahvehut i është besuar misioni universal i shpëtimit nga ana e Hyjit. I thirrur për të qenë profet që nga kraharori i nënës ka detyrën për të shfaqur madhështinë e Hyjit në popullin e Izraelit, edhe pse provon dështimin. Por besimi i profetit është i pamposhtur, sepse Hyji është me të. Vështirësitë që takon janë një rast për të shfaqur se asgjë s’mund të ndalë planin universal të shpëtimit të Hyjit.

Lexim prej Librit të Izaisë profet
Më dëgjoni, o ishuj, vështroni me kujdes, popuj të largët: Zoti më thirri prej prehrit të nënës, prej barkut të nënës sime iu kujtua emri im. Gojën time e bëri shpatë të mprehtë, më mbrojti nën hijen e dorës së vet, më bëri shigjetë të zgjedhur e më fshehi në kukurrën e vet dhe më tha: “Shërbëtori im je, o Izrael, në të cilin do ta dëftoj lavdinë time!” E unë thashë: “Kot u mundova, kot i treta forcat e mia! Megjithatë, e drejta ime është me Zotin, shpërblimi im është te Hyji im.” E tash thotë Zoti që më trajtoi që nga kraharori i nënës sime shërbëtor për vete, për t’ia kthyer Jakobin Atij, për ta mbledhur rreth tij Izraelin. U bëra i lavdishëm ndër sytë e Zotit, Hyji im u bë fuqia ime. Ai më tha: “Tepër pak është të me jesh shërbëtor për t’i rilindur fiset e Jakobit, për t’i riatdhesuar tepricat e Izraelit: por të caktoj të jesh drita e popujve që shëlbimi im të arrijë në skaj të tokës!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 139
Ti më thirre nga kraharori i nënës sime


O Zot, ti më shqyrton e më njeh,
ti di kur rri e kur ngritëm,
prej së largu i njeh mendimet e mia.
Si në shtegtoj si në pushoj, ti më vëren,
ti i di të gjitha udhët e mia.

Ti je ai që m’i krijove veshkët,
ti më ke endur në kraharorin e nënës!
Të lavdëroj pse më krijove 
kaq mrekullisht,
të mrekullueshme janë veprat e tua.

Po, shpirti im mirë e di!
Eshtrat e mi nuk të mbetën të fshehur
kur unë po trajtohesha në fshehtësi
i endur në thellësinë e tokës.

Leximi dytë Vap 13, 22-26
Pali konstaton që ungjillëzimi është lidhur ngushtë me persekutimin. Çdo herë që u drejtohet hebrenjve përplaset me refuzimin e tyre siç i kishte ndodhur Gjonit dhe Jezusit. Kur prania e profetit bëhet e bezdisshme, sepse denoncon të keqen, atëherë afrohet momenti i kryqit. 

Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë Pali foli e tha: “Zoti i ngriti Izraelit për mbret u ngriti Davidin, për të cilin edhe dëshmoi: ‘Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë gjithçka dua unë.’ Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin. Para ardhjes së Jezusit, Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit. E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: ‘Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen ai, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh sandalet e këmbëve’. Burra e vëllezër, bij të Abrahamit dhe ju tjerët që besoni në Hyjin e vërtetë, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi.” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja! Aleluja! 
E ti, o foshnjë, do të jesh profeti i të Tejetlartit, sepse ke për të shkuar para Tij për ta përgatitur udhën e Tij.
Aleluja!

Ungjilli Lk 57-6.80
Ndërsa populli hebre është në sundimin roman, judenjtë janë mbyllur në një respekt të ashpër të traditave të tyre. Por ja, lind një fëmijë dhe gëzimi për lindjen e tij kundërshton klimën e mungesës së shpresës që mbizotëron kudo. Fëmija nuk do të mbajë emrin e të atit sipas traditës, por do të marrë një emër tjetër, simbol i një misioni krejt të ri dhe i mundësisë për tu çliruar nga pesha e së shkuarës. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Elizabetës i erdhi koha të lindë. Dhe ajo qiti në dritë një djalë. Kur fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti e tregoi mirësinë e vet të madhe ndaj saj, u gëzuan me të. Të tetën ditë erdhën për të rrethprerë djalin. Donin ta quanin me emrin e t’et, Zakari, e ëma tha: “Assesi, por le të quhet Gjon!” Ata iu përgjigjën: “Askush në fisin tënd nuk quhet me këtë emër.” Atëherë me shenja e pyetën të atin ç’emër donte t’i vinte. Ai kërkoi rrasën e shkrimit dhe shkroi: “Gjon është emri i tij!” Të gjithë u çuditën. Po në atë moment i erdhi goja dhe iu zhdërvillua gjuha: fliste dhe lëvdonte Hyjin. Të gjithë fqinjët e tyre i kapi frikë e madhe. Edhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këtë ngjarje. Kushdo që dëgjonte, thoshte në zemrën e vet: “Çka thua do të bëhet kjo foshnje?” Vërtet, dora e Zotit ishte me të. Ndërkaq foshnja rritej e zhvillohej shpirtërisht. Jetoi në shkreti deri atë ditë, kur iu dëftua ballafaqe Izraelit. 
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!








All the contents on this site are copyrighted ©.