2015-06-22 16:12:00

Françesku në Torino: deklarata të fuqishme, që nuk kërkojnë miratime


Sot, në ditën e dytë e të fundit  në Torino, Papa pati një takim historik. E edhe më historik e bënë fjalët, shqiptuar me përvujtëri të vërtetë kristiane, në një Tempull valdez, në shekuj të ndaluar për katolikët. Françesku u tha ungjillorëve metodistë piemontezë fjalë ndjese, kërkesë për falje, gjë që u bë menjëherë etapë themelore në udhën ekumenike, të cilën e ka aq shumë për zemër Jorge Bergoglio.

Nuk është kurrë gjë e thjeshtë të kalosh nëpër Torino.

Aq më pak të shkosh atje, për të mbajtur fjalime a për të hyrë në biseda. E kjo, sepse gjërat marrin shpejt e shpejt një përmasë simbolike, e nganjëherë, edhe shqetësuese, që lidhet e zgjidhet me të sotmen e me të kaluarën. I pari që e ktheu përmbys historinë e qytetit, ishte Papa Wojtyla, i cili erdhi këtu, në pranverë të vitit 1980, pothuajse një vit pas zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Erdhi e menjëherë bëri thirrjen e fuqishme: “Ringjallu, Torino!”.

Thirrja e Papës polak u përhap në ajrin e një dite pranvere plot me re.

Ndërsa dje, Torino vezullonte nën qiellin e kaltër veror, ndriçuar fort nga dielli i valë. Në këtë kornizë, Françesku, më piemontezi nga të gjithë papët, preku nervin që i dhemb më shumë këtij qyteti industrial: atë të mungesës së punës e të pasojave të saj. Larg simboleve, foli fare qartë, duke ngritur zërin kundër veseve të kohës, që e rrënojnë njeriun e duke mbrojtur punëtorin, bujkun, afaristin e ndershëm, të varfërin, emigratin. E sidomos, punën në përgjithësi, të drejtën për punë, pa të cilën njeriu nuk mund të ketë kurrfarë dinjiteti. Natyrisht plagët e thella nuk mund të shërohen menjëherë, me një të prekur të dorës së Papës, po Françesku, në takimin e djeshëm me botën e punës i zbuloi para të gjithëve e edhe i  preku, pikërisht për t’i shëruar.

Mesha e paradites, pastaj, në një Shesh, ku ishte mbledhur një turmë oqeanike. Dhjetra mijëra njerëz, të inkuadruar si “batalione” karduçiane, gati për “beteja të reja”! Madje në takim ishin edhe dy Savoja, atë e bir. Vitor Emanuelin e pyetën ç’mendon për Papën. “E’ up-to-date” u përgjigj anglisht, që domethënë,  “I përshtatshëm për kohën”.

Në takimin me botën saleziane, Papa kujtoi Torinon e tetëqindës, ku Don Bosko ngriti veprën e tij, duke i mbledhur të rinjtë e varfër e duke u dhënë arsim e dinjitet, në një botë që i kishte përjashtuar nga radhët e veta. Shprehje kjo, e katolicizmit “konkret” të asaj Kishe sociale, që është vula e Torinos, qytetit të masonëve e të shenjtorëve socialë; qytetit demoniak e shenjt. Fjala e Papës ishte ujë i bekuar kundër demonit; dashuri e fe, kundër atij, që dikur quhej “liberalizëm, e që sot Papa e quan “zoti para”. Kundër egoizmit, manipulimit të tjetrit... Frymëzim krijues salezian, kërkoi Papa, për t’i hapur udhë të reja të rinjve, e për t’u dhënë punë, dinjitet...

U ringjall Torino? Po ta gjykoje nga ngjyrat, që vetëtinin në shesh, dukej krejt i ringjallur. Në shesh, natyrisht, kishte dhe dhimbje, lodhje, djersë varfëri të reja. Po gjithsesi ndjehej fort rrahja e pulsit të jetës së re. E syri kënaqej nga valëvitja e flamujve të një mori kombesh, nga ai i Perusë, tek ai i Kinës, i Ukrainës, i Meksikës, i Guninesë Bissau... Ç’i bashkonte këta njerëz?: “Dashuria për lirinë...për fenë... për Krishtin,... për Papën që, në përfundim  të Meshës, u tha “Mirupafshim” e torinezët iu përgjigjjen “Ciau Francesco” me ‘u’, si thuhet në Torino.








All the contents on this site are copyrighted ©.