2015-06-21 12:43:00

Shën Françesku i Asizit: "Kanga e Kreatyrëve".


Ja “Kanga e Kreatyrëve" e shën Françeskut të Asizit në përkthimin e françeskanit Atë Daniel Gjeçaj.

O fort i nalti, i gjithëpushtetshmi
Zot i mirë,
tuat janë lavdet, lumnia e ndera
e çdo bekim.

Vetëm ty, o fort i nalti Zot, të përkasin
e s’ka njeri që të jetë i dêjë
veç emnin me të përmendë!

Lavdue kjosh, o Zoti em,
me tana kreatyrët tua;
posaçe me vëllá diellin,
i cili lëshon dritë
e në vend Tand na shndritë;

E ai âsht i bukur e i shndritshëm
e me shkëlxim të madh;
e jotja, o Zot tejèt i naltë,
âsht pasqyrë.

Lavdue kjosh, o Zoti em,
për motrën hanë e për hyj;
në qiell i krijove të ndritshëm,
të çmueshëm e të bukur.

Lavdue kjosh, o Zoti em,
për motrën erë e për mot
si të vrantë si të kthjelltë
e për çfardo klime,
me të cilën kreatyrët tua
i mban në jetë.

Lavdue kjosh, o Zoti em, për ujin vëllá,
i cili âsht fort i dobishëm e i përvûjtë,
i çmueshëm e i kulluet.

Lavdue kjosh, o Zoti em,
për vëllá zjarmin,
me të cilin natën né na e bân dritë;
ai âsht i bukur e i kandshëm,
e i fuqishëm e i fortë.

Lavdue kjosh, o Zoti em,
për motrën tokë nanën tonë,
që na ushqen e na mban
e prodhon fryte gjithfárë,
me lule shumëngjyrëshe e me bár.

Lavdue kjosh, Zoti em,
për ata që falin për dashtëní tande
e bájnë sëmundje e travajë.

Lum ata që kanë me bájtë në paqë,
përsè prej tejet, o fort i nalti Zot
kanë me kenë kunorue.

Lavdue kjosh, o Zoti em,
për motrën tonë dekën e trupit,
prej së cilës njeri i gjallë
s’mundet me pështue.

Mjerë ata që desin në mëkate mortare;
lum ata të cilët deka ka me i gjetë
në vullnesë tande gjithëshenjte
përsè prej dekës së dytë
të keqe s’kanë me pasë.

Lavdonie e bekonie Zotin tem,
e falënderonie
e shërbeni me përvûjtní të madhe.

Përkthye nga Atë Daniel Gjeçaj OFM, Romë, shtator 2000








All the contents on this site are copyrighted ©.