2015-06-21 11:38:00

Papa në Torino: punë për të mirën e përbashkët, jo për prodhimin


Sapo arriti në kryeqendrën piemonteze, i pritur nga kryetari i bashkisë Piero Fassino dhe nga autoritete të tjera vendase, Papa Françesku u takua me botën e punës. Pas përshëndetjes së një punëtoreje, një bujku e një afaristi, Françesku e mori fjalën, për t’iu kundërvënë edhe një herë, me forcë, ekonomisë së hedhurinës, idhujtarisë së parasë, korrupsionit, pabarazisë, që lind dhunën. Papa ngulmoi për paktin në gjirin e shoqërisë e ndërmjet breznive për një punë, që u përgjigjet kërkesave të njeriut.

Fjalim, që preku nervin e botës së punës, gjatë të cilit Françesku, duke iu përgjigjur historive plot flijime e vështirësi, rrëfyer nga një punëtore, një bujk e një afarist, përmblodhi temat e punës, të krizës ekonomike, të familjes e të emigracionit. Kalon përmes punës, theksoi, udha për rigjallërimin ekonomik, por sidomos, përmes pohimit të rolit, që duhet të ketë njeriu në shoqëri:

“Puna nuk është e nevojshme vetëm për ekonominë, por kryesisht për njeriun, për dinjitetin e tij, për qytetarinë e edhe për përfshirjen në radhët e shoqërisë”.

Mungesa e punës shkaktuar nga kriza, krijon pabarazi shoqërore me ndikim shumë negativ mbi banesën, shëndetin dhe sigurimin e mjeteve më të domosdoshme për jetesën. Por e gjithë kjo, shtoi Papa, nuk duhet të krijojë antagonizëm me njerëzit, që vijnë në Itali në kërkim të një ardhmërie më të mirë:

“Emigracioni e thellon konkurrencën, por për këtë nuk duhen fajësuar emigrantët, sepse ata janë viktima të padrejtësisë e të pabarazisë së kësaj ekonomie, që  të flak, e edhe të luftërave. Nuk mund të mos përlotesh duke parë shfaqjen e këtyre ditëve, në të cilën qeniet njerëzore trajtohen si të ishin mall tregu”.

Në këtë situatë, Françesku i kundërvihet me forcë ekonomisë së hedhurinës, që i përjashton nga shoqëria të varfërit, fëmijët, pleqtë, e tani ka nisur t’i përjashtojë edhe të rinjtë, sepse, sipas saj, kush nuk prodhon, përjashtohet, prej këndej, prirja e kohës: “Përdor e flak”. Papa iu kundërvu me forcë edhe formave të ndryshme të korrupsionit, si marrëveshjeve të fshehta mafioze, mashtrimeve, batakçillëqeve, ryshfeteve. E edhe më me forcë, iu kundërvu pabarazisë. Konflikti shoqëror, theksoi, duhet parandaluar, e kjo mund të bëhet vetëm me drejtësi.  Siç pohon Kushtetuta italiane, vijoi Françesku, puna është themelore. Të gjithë anëtarët e shoqërisë duhet të bashkëpunojnë, që ajo të jetë e denjë për burrin e për gruan, në kuadrin e një modeli ekonomik,i cili nuk organizohet në funksion të kapitalit e të prodhimit, por përkundrazi, në funksion të së mirës së përbashkët. E, përsa u përket grave, Papa pohoi:

“Të drejtat e tyre duhen mbrojtur me forcë, sepse gratë, që kanë mbi shpinë barrën më të rëndë të kujdesit për shtëpinë, fëmijët, pleqtë, vijojnë të diskriminohen, edhe në punë”.

Themelor, për një hop cilësor, është “pakti ndërmjet anëtarëve të shoqërisë e të breznive, ndërmjet punëtorëve e afaristëve, por edhe ndërmjet të rinjve e të moshuarve":

“Mos e harroni këtë pasuri! Fëmijët janë premtimi për ta çuar përpara... E pleqtë, pasuri e kujtesës. Kriza nuk mund të kapërcehet pa të rinjtë, fëmijët e gjyshat... Fëmijët e gjyshat janë pasuria dhe premtimi i ardhmërisë së një populli”.

Së fundi, nxitja për “guxim”,  drejtuar gjithë të pranishëmve, një guxim  që nuk do të thotë durim e nënshtrim, por nxitje për të ecur përpara.

E, thirrja e Papës, drejtuar botës së punëtorëve: “Jini krijues! Jini artizanë ditë për ditë. Artizanë të së ardhmes, me forcën e kësaj shprese, që na e jep Zoti  e që nuk të zhgënjen kurrë. Por që ka nevojë edhe për punën tonë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.